Bozhoviq: Policia në veri merr urdhra nga Serbia

Aktuale January 17, 2018 - 18:57

Bojan Bozhoviq, ish-gazetar dhe për dikur agjent i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, ka thënë se nëse institucionet e Kosovës nuk i mbrojnë serbët që duan të integrohen, në veri nuk do të mbeten veç të atillë që direktivat i marrin nga Beogradi.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se Policia e Kosovës në veri urdhrat i merr nga shteti serb, duke theksuar se do të organizohen për të mbrojtur veten sa të munden.

“Nuk jam tradhtar. Por thjesht e di që Kosova është shtet i pavarur. Por kam respekt edhe për krejt të tjerët që jetojnë në Kosovë. Për këto arsye mendoj që jam i rrezikuar. Shteti duhet të na mbrojë, neve serbëve që nuk mendojmë njëjtë me Listën Serbe. Ose ndryshe do të organizohemi për ta mbrojtur veten. Sepse ka edhe një opsion tjetër veç Listës Serbe, që po forcohet përditë. Por nëse nuk kemi mbështetje, kjo do të jetë hera e fundit që dal të flas për këto gjëra. Dhe jo vetëm kaq. Do të largohen nga Kosova serbët që duan të integrohen dhe të mbeten vetëm ata që marrin direktiva nga Beogradi”.

“Në vitin 2011 pas kërcënimeve u larguam në veri si miu. Por sonte ndjehem si luan. Sepse do të përgjigjem me të njëjtën mënyrë, siç më kërkohet. Policia në anën veriore ka veshur uniformën kosovare, por urdhrat i merr nga Beogradi. Në veri, Lista Serbe kërcënonte se të gjithë ata serbë që bëhen pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të margjinalizohen, qysh disa ditë më herët. Dhe unë prisja destabilizim situate, siç edhe ndodhi”.