Aktuale

Tahiri: Serbia nuk kërkoi të involvohet në hetime, por kërkoi informata sensitive për rastin Ivanoviq

Tahiri: Serbia nuk kërkoi të involvohet në hetime, por kërkoi informata sensitive për rastin Ivanoviq
17 janar 2018 • 15 : 17 Foto: Laura Hasani

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka konfirmuar se të mërkurën ka pranuar një shkresë nga Ministria homologe e tij në Serbi.

Ai ka sqaruar se shkresa e Ministrisë së Drejtësisë në Serbi nuk kërkon involvimin e autoriteteve të Beogradit në hetimin e vrasjes së Oliver Ivanovqit, por kërkon që Prokuroria e Shtetit serb të ketë informacione shtesë rreth vrasjes dhe zhvillimit të hetimeve

Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka kërkuar që Prokuroria në Beograd të ketë disa informacione shtesë për vrasjen e ish-deputetit serb të Kuvendit të Kosovës, Oliver Ivanoviq. Kërkesa i është adresuar ministrit të Drejtësisë kosovare, Abelard Tahiri, i cili po e shqyrton atë.

Tahiri, ka konfirmuar shkresën zyrtare të Ministrisë serbe të Drejtësisë. Ai shton se kërkesa e Beogradit zyrtar nuk është për t’u involvuar në hetime, por vetëm lypen informata shtesë, të cilat, sipas Tahirit, janë sensitive.

“E konfirmoj se kam marrë një shkresë nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Serbisë në lidhje me ngjarjen e rëndë të djeshme, vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Shkresa e saj ka të bashkangjitur edhe një kërkesë të Prokurorisë së Republikës së Serbisë, ku në fakt kërkon disa informacione shtesë rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, thotë Abelard Tahiri.

Ai paralajmëron se do t’ia japë një përgjigje shtetit serb, por paraprakisht do t’i duhet të konsultohet më Kryeprokurorin, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës.

“Meqenëse çështja është mjaftë sensitive, këto informacione nuk mund t’i ndajmë me publikun, mirëpo këtë kërkesë do ta adresoj dhe do të konsultohem me zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës”, tha ai të mërkurën pasdite.

“Do ta kemi një takim ku do të konsultohemi për veprimet tona, dhe në bazë të ligjeve dhe Kodit të Procedurës Penale, dhe atij Penal të Kosovës, dhe marrëveshjes së IBM-së që kemi me Republikën e Serbisë, do të shohim se cilat janë informacionet të cilat mund t’i ndajmë, me qëllim të nxjerrjes para drejtësisë të dorasit të atentatit ndaj zotit Ivanoviq”, tha Ministri Tahiri.

“Kjo kërkesë mund t’ju them se nuk kërkon involvimin e autoriteteve serbe në hetimet e mëtutjeshme, po kërkohen informacione që ka dhe që mund t’i ketë Republika e Kosovës apo Prokuroria e Shtetit mbi këtë vrasje”, sqaron ministri kosovar i Drejtësisë.

Ndryshe, 24 orë pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, autoritetet kosovare ende nuk kanë identifikuar asnjë të dyshuar për vrasjen e ish-deputetit serb të Kosovës.

Hetuesit kosovarë kanë marrë për ekzaminim xhirimet e kamerave të sigurisë që ndodhën në rrugën në të cilën ndodhet selia e partisë së politikanit serb të vrarë në Veri të Mitrovicës, pranë të cilës ndodhi atentati.

Dy prej kamerave, ndodheshin pikërisht në objektin në fjalë, drejt të cilit ishte nisur ish-zyrtari i Qeverisë së Kosovës, në kohën kur u qëllua me gjashtë plumba në gjoks nga një pistoletë e tipit “Zastava”, nga një person ende i paidentifikuar.

Megjithatë, vrasësi që dyshohet se qëlloi ish-deputetin Ivanoviq, e më pas me veturën “Opel Astra” u largua nga vendi i ngjarjes, nuk është identifikuar ende nga autoritetet kosovare.

Oliver Ivanoviq është figura më e lartë politike e vrarë në Kosovë, në 15 vjetët e fundit. Ai ka qenë për disa mandate deputet i Kuvendit dhe zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës.

Ivanoviq së fundi ka qenë duke u përballur me aktakuzën për krime lufte, ndonëse ishte i dënuar nga Themelorja për vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve nga Veriu, por rasti ishte kthyer në rigjykim. 

© zëri.info