Deklarata e plotë e ambasadorit amerikan për Gjykatën Speciale

Aktuale January 17, 2018 - 15:00

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie në një konferencë për media ka thënë se  Gjykata Speciale është thellësisht e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se Kosova nuk mund të jetë një vend ku pandëshkueshmëria është normë.

Ambasadori amerikan në deklaratën e tij për media ka thënë se kjo gjykatë iu intereson sepse ndërhyrja e tyre në vitin 1999 ishte bazuar në idenë se krimet e luftës kundër kujtdo, kudo, ishin sulm ndaj drejtësisë ndërkombëtare.

Lexoni të plotë deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë lidhur me Gjykatën Speciale:

Së pari, në emër të ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes së z. Ivanoviqit, vrasja e djeshme e të cilit është tragjedi për Kosovën.  E dënoj këtë vepër në mënyrën më të fuqishme. Askush nuk duhet ta shfrytëzojë këtë krim për qëllime politike.

Jam këtu sot për të folur për drejtësinë. Jam këtu për të folur për viktimat. Jam këtu për të folur për përkushtimin e Kosovës ndaj drejtësisë dhe të ardhmes së saj si vend demokratik dhe evropian.  Ky përkushtim është nën kërcënim serioz nga një nismë për ta zhbërë apo ndryshuar ligjin që autorizon Gjykatën Speciale.  Kjo përpjekje paraqet shembull të tmerrshëm të rastit kur interesat vetanake mbizotërojnë mbi të mirën e përgjithshme dhe mbi interesat e Kosovës si shtet. Më lejoni të jem i qartë: deputetët që e mbështesin këtë nismë – dhe politikanët që i prijnë asaj, përkundër mohimeve të tyre – do t’iu nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra nëse kjo nismë ka sukses.  Ata e dinë këtë; ua kemi thënë këtë.

Por, dëshiroj të flas me ju, qytetarët e Kosovës, se përse Gjykata Speciale është e rëndësishme për Kosovën dhe përse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjnë gjithçka që e kanë në fuqi për të siguruar që Gjykata të ketë mundësi ta përfundojë mandatin e saj.

Pra, pse Kosova e ka krijuar Gjykatën Speciale? Kosova e ka bërë këtë për të bërë drejtësinë ndaj individëve që janë akuzuar se kanë kryer krime kundër individëve të tjerë gjatë kohës së luftës së Kosovës për liri.  Gjykata Speciale nuk është për drejtësi për shtete, ushtri ose grupe etnike; ka të bëjë me drejtësinë për viktimat individuale.

Kosova ka luftuar në vitin 1999 dhe ne kemi qëndruar krah jush.  Kemi qëndruar me viktimat; kemi qëndruar përkrah drejtësisë. Askush nuk do të mundet ndonjëherë t’i rishkruajë librat e historisë për fushatën e mizorive të Republikës Federale të Jugosllavisë. Por, realiteti është se disa individë që kanë luftuar për kauzën e drejtë të lirisë së Kosovës kanë kryer krime të rënda kundër të tjerëve për të cilat duhet të japin llogari. E pikërisht për këtë gjë është Gjykata Speciale.

Viktimat, rastet e të cilave mund të ndiqen penalisht nga Gjykata Speciale përfaqësojnë shumë etni: shqiptarë, serbë, romë dhe të tjerë. Të gjithë ishin njerëz të Kosovës. Të gjithë meritojnë trajtim të barabartë sipas ligjit.  Të gjithë kanë të drejtën e njëjtë për ligj. Për këtë arsye Kosova ka krijuar këtë gjykatë.

Gjykata Speciale është thellësisht e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Kjo gjykatë na intereson sepse ndërhyrja jonë në vitin 1999 ishte bazuar në idenë se krimet e luftës kundër kujtdo, kudo, ishin sulm ndaj drejtësisë ndërkombëtare; mbajmë mend vuajtjet e një milion kosovarëve të dëbuar nga shtëpitë e tyre; të vendosur në male ose përtej kufirit maqedonas; dëshironim drejtësi për ta.  Ushtarët amerikanë vënë jetët e tyre në rrezik për ta mbrojtur atë parim dhe ua kemi borxh atyre që të vazhdojmë ta mbrojmë atë edhe sot.

Na intereson sepse Kosova nuk mund të jetë vend ku pandëshkueshmëria është normë. Ta pranosh atë realitet do të thoshte kthim në udhëheqësin e stilit të epokës së Millosheviqit, të cilën një gjeneratë e qytetarëve kosovarë ka luftuar për ta rrëzuar.

Gjykata Speciale na intereson sepse duam që Kosova ta marrë vendin e saj të duhur si vend evropian duke iu bashkuar NATO-s dhe BE-së. Ndryshimi ose zhbërja e Ligjit për Gjykatën Speciale dhe demonstrimi i përbuzjes së saj për sundimin e ligjit do ta kthente Kosovën prapa me vite të tëra në integrimin e saj në institucionet evropiane. Nëse doni të anëtarësoheni në një klub, duhet të jetoni sipas rregullave të atij klubi.  E njëra ndër rregullat më të rëndësishme në klubin euroatlantik është sundimi i ligjit.

Nuk kam asnjë ide se kur do të ngritën aktakuzat; apo ndaj kujt; nuk dua ta di.  Por, kurdo që kjo ndodh, pres që Kosova t’i respektojë ato duke përmbushur premtimin e saj dhënë bashkësisë ndërkombëtare.

E dimë se mekanizmat e tjerë të drejtësisë kanë ardhur e kanë shkuar.  Asnjë sistem i drejtësisë nuk është i përsosur; disa janë më të suksesshëm se sa tjerët.  Përderisa Tribunali ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ka akuzuar dhe ka dënuar një numër të udhëheqësve të lartë për krimet e kryera në Kosovë, ka pasur shumë të tjerë që kanë kryer krime lufte dhe të cilët nuk janë përballur me drejtësinë.

Por, siç ka thënë Sekretari Tillerson më 21 dhjetor, ne mbesim plotësisht të përkushtuar për gjetjen e kryerësve të krimeve mizore.  Kjo sigurisht përfshin edhe kriminelët e luftës të të gjitha etnive që jetojnë këtu apo jashtë vendit që kanë kryer krime në Kosovë.

Fakti se disa kriminelë të luftës i kanë ikur drejtësisë nuk iu jep të tjerëve pandëshkueshmëri.  Të gjitha viktimat meritojnë drejtësi.  Kosova duhet të jetë e gatshme për ta mbyllur këtë kapitull të historisë së saj, madje edhe nëse kjo nënkupton që disa udhëheqës të kohës së luftës të japin llogari.

Disa thonë: pse të mos kemi gjykime këtu; mund ta bëjmë këtë vetë.  Po mirë, ne kemi investuar shumë në sistemin e drejtësisë së Kosovës.  Por, ky sistem ende nuk është treguar i aftë për të ndarë drejtësi në rastet e profileve të larta dhe dëshmitarët vazhdojnë të jenë subjekt i frikësimeve, kërcënimeve dhe dhunës. Ende nevojitet një mekanizëm i jashtëm. Drejtësia; drejtësia për viktimat ka pritur mjaft.

Prandaj, i bëj thirrje popullit të Kosovës për të këmbëngulur që udhëheqësit e tyre të mbrojnë të drejtën për drejtësi që e keni fituar me çmim kaq të lartë. Pyetini këtë: “Çfarë shteti dëshironi që të bëhet Kosova”?

A dëshironi që Kosova të jetë vend ku sundimi i ligjit nuk zbatohet për ata që kanë pushtet ose miq politikë? A dëshironi që Kosova të jetë vend ku kriminelët nuk përballen me kurrfarë pasojash për krimet e tyre? A dëshironi që Kosova të jetë vendi i lënë prapa kur të tjerët t’i bashkohen Bashkimit Evropian?

Apo mos dëshironi që Kosova të jetë vend ku respektohet sundimi i ligjit, që mbron të drejtat e viktimave dhe që e merr vendin e vet të duhur si anëtare e respektuar e bashkësisë ndërkombëtare dhe aleate me Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Ky është vizioni im për të ardhmen vendit tuaj. Nëse e ndani këtë vizion, qëndroni përkrah drejtësisë.  Qëndroni përkrah viktimave. Qëndroni me mua kundër këtij tentimi për shthurjen e përkushtimit të Kosovës për Gjykatën Speciale.

Nuk dua asgjë më shumë se sa të shoh Kosovën që ka arritur të bëhet shtet i drejtë, i njohur, dhe i suksesshëm. Jam këtu që të punoj me juve, dhe shpresoj se ju do të punoni me mua. Ju faleminderit shumë”.