Gjuha angleze mësohet nga klasa e parë

Aktuale January 17, 2018 - 14:20

Anika Dragusha, 6 vjeçare, tanimë di t`i thotë numrat dhe shkronjat në gjuhën angleze.  Ajo dallon ngjyrat dhe figurat në po këtë gjuhë dhe krejt kjo ka ardhur si rezultat i futjes së gjuhës angleze në sistemin parashkollor dhe atë fillor.

Prindi i Anikës, Vlora Dragusha ka thënë që vajza e saj përveç se mëson në shkollë është e interesuar që edhe në shtëpi të mësoj gjëra të reja, jashtë atyre që i ka detyra obligative, raporton "Zëri.info".

“Anika plotëson detyra edhe në shtëpi, të cilat i`a jep mësuesja në shkollë, ajo e anglishtes edhe jashtë detyrave përcjell edhe në YouTube programet e anglishtes, e po ashtu edhe në televizion”, ka thënë ajo.

Image
 

Për Hanife Sadikun mësimdhënëse e gjuhës angleze, në shkollën fillore  “Nazim Gafurri” në Prishtinë, kjo është hera e parë që ajo jep mësim këtë gjuhë për nxënësit e këtij niveli. “Për herë të parë është futur në procesin mësimor dhe fëmijët janë mjaft të interesuar ta mësojnë gjuhën angleze” ka thënë ajo.

Gjithashtu këtë lëndë ajo e konsideron si të veçantë dhe me ndikim pozitiv tek fëmijët. “Futja e gjuhës angleze në këtë nivel të shkollimit ka ndikuar pozitivisht tek fëmijët për shkak edhe të kushteve të përshtatshme për mësim” -ka thënë ajo.

Përveç si mësimdhënëse e gjuhës angleze për fëmijët parashkollor, ajo jep mësim edhe për klasat më të larta në po këtë shkollë, për shkak të mungesës së personelit arsimor për këtë nivel, raporton "Zëri.info".

 Adonis Tahiri, zëdhënës në komunën e Prishtinës ka thënë se komuna ka angazhuar mësimdhënës për të zbatuar kurrikulën e re.  “Në të gjitha institucionet edukativo-arsimore të Komunës së Prishtinës, nga viti shkollor 2017/2018, sipas kurrikulës së re është duke u implementuar gjuha angleze nga klasa përgaditore (parafillor).”- ka thënë Tahiri, raporton "Zëri.info".

Përndryshe në vitin 2016, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT)  ka hartuar kurrikulën bërthamë për klasën përgaditore dhe klasët fillore (I, II,III, IV dhe V). Në kurrikulë parashihet futja e gjuhës angleze si lëndë obligative në planprogramin mësimor dhe që në fund nxënësit të jenë të aftë të komunikojnë gjëra elementare në këtë gjuhë.  

Image
 

“Emërton në gjuhën e huaj objekte, veprime, dukuri dhe i përkthen në gjuhën amtare fjalët që i dëgjon nga gjuha e huaj të dhëna në detyrë.”- thuhet në kurrikulën bërthamë të MASHT.  

Të pyetur se sa kanë arritur t`i trajnojnë të gjithë mësimdhënësit për kurrikukën e re dhe cilat janë rezultatet e para të zbatimit të saj,  MASHT-i për një gjë të tillë  nuk ka kthyer përgjigjeje./Zëri