Mediat gjermane: Veriu i Kosovës - vrima e zezë e mafias

Aktuale January 17, 2018 - 13:34

Prishtina, Beogradi, misionet ndërkombëtare dhe krimi marrin pjesë në sundimin hibrid të veriut të Kosovës. Për vite të tëra është e njohur se në një biotop të tillë lulëzojnë strukturat mafioze, shkruan shtypi në gjuhën gjermane për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

"Vdekja në bastionin e mafies ballkanike," është titulli i një artikulli në prestigjiozen “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Gazeta shkruan se Ivanoviq ishte një "pragmatist, i moderuar, kur të tjerët luanin me zjarrin e histerisë kombëtare dhe miteve". "Është e sigurt se Ivanoviq me qasjen e tij jo-kozmetike ndaj realitetit të Kosovës, krijojë shumë armiq", tha gazetari Michael Martens: "... Nacionalistëve serbë gjithashtu nuk iu shkonte për shtati sepse që në fillim u shpreh për të njohur realitetin e pavarësisë së Kosovës... Sloganet e rreme rreth Kosovës si tokë përgjithmonë serbe dhe tokën e shenjtë të Fushë Kosovës, të cilat i përhapën të vetë-shpallurit heronj të Kosovës nga Beogradi, për Ivanoviqin ishin të papranueshme.  

Gazeta e Frankfurtit më tej shton se Ivanoviq personalisht në intervistat në muajt e fundit ka bërë të qartë se serbët në veri të Kosovës nuk trembën nga shqiptarët por nga serbët e tjerë, nga kriminelët lokal dhe xhipat pa targa. Kërcënimet, shton artikulli, u bënë më intensive, pasi ai vendosi të hyjë në garën politike për kryetar komune të qytetit kundër kandidatëve të mbështetur nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. "Ivanoviq u tregua i kujdesshëm që të mos përmend emrin e Vuçiqit në lidhje direkte me mafian në Mitrovicë, por kishte folur qartë për" strukturat kriminale të lidhura me politikën".

Martens përfundon artikullin e tij kështu: "Ivanoviq ishte i trajnuar në karate dhe ai ishte në gjendje për t’u mbrojtur nga sulmet fizike - por nuk kishte asnjë shans kundër gjashtë plumbave që të martën shpuan trupin e tij. Për Kosovën, Serbinë dhe Serbët në Mitrovicë, do të ishte e rëndësishme që të qartësohet vrasja. Por shanset nuk janë të mira. Nga aspekti i sundimit të ligjit, Mitrovica është një vrimë e zezë që tani ka gëlltitur një viktimë të re".

Në një stil të ngjashëm për gazetën “Neue Zürcher Zeitung” shkruan korrespondenti i saj nga Beogradi, Andreas Ernst: "Veriu i Kosovës është ende tokë e askujt që tronditet nga dhuna". Ivanoviq përshkruhej si "një serb i njohur i serbëve të Kosovës, i cili ishte duke u përpjekur për të mbajtur një politikë pjesërisht të pavarur nga Beogradi... ".

Ernst citon edhe deklaratat e Ivanoviqit në lidhje me frikën e serbëve prej serbëve të tjerë dhe shkruan se Lista Serbe, "dega serbe e partisë në pushtet SNS, me metodat e ndryshme, me sfondin e aparatit shtetëror, fitoi një monopol partiak në mesin e serbëve të Kosovës". "Që nga lufta, as Prishtina e as Serbia nuk e kontrollojnë veriun e Kosovës. Atje u krijua një rregull hibrid në të cilin marrin pjesë Beogradi, misione ndërkombëtare, krimi i organizuar dhe, dhe në një masë më të vogël, Prishtina. Për vite me radhë, dihet se strukturat mafioze lulëzojnë në një biotop të tillë".

"Vrasjet mafioze i përkasin jetës së përditshme të vendeve të Ballkanit, si në Beograd, Prishtinë dhe Tiranë, si dhe në Sofje dhe Shkup. Por kjo vrasje ka të ngjarë të jetë e motivuar politikisht", shkruan “Spiegel” në versionin elektronik, transmeton DW në gjuhen serbe. "Vrasja e Ivanoviqit vjen në mes të një situate shumë kritike politike. Marrëdhëniet serbo-kosovare janë në pikën më të ulët në vitet e fundit. (...) Dhe pikërisht Kosova në aspektin politik, ekonomik dhe social - disa javë para dhjetë vjetorit të shpalljes së pavarësisë – gjendet në fund (të pusit)"./Zeri