Ja kush vendos se a do të përfshihet Serbia në hetime sipas EULEX-it

Aktuale January 17, 2018 - 13:15

Serbia ka kërkuar zyrtarisht që të përfshihet në hetimet për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq. Ivanoviq u vra dje nga persona ende të paidentifikuar dhe për këtë Serbia ka dërguar kërkesë në Zyrën e BE’së në Beograd. Nga Zyra e EULEX’it kanë konfirmuar autoritetet vendore duhet të merren me çështjen e lejimit apo mos lejimit të Serbisë në këto hetime

Pak orë pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, që ndodhi dje orët e para të mëngjesit para selisë së partisë së tij në Veri të Mitrovicës, Serbia kërkoi të përfshihet në hetimet për vrasjen e politikanit serb.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Zyra e EULEX’it ka bërë të ditur se ata nuk marrin vendime të kësaj natyre, por që kjo është detyrë e autoriteteve vendore kosovare se a do ta përfshijnë Serbinë në hetime apo jo.

“Misioni i EULEX nuk merr vendime të kësaj natyre. Autoritetet vendore vendosin se a do të përfshihet apo jo Serbia zyrtare në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviq”, thotë EULEX, për Express.

Burime të Gazetës Express kanë bërë të ditur se Ministria e Drejtësisë e Serbisë kërkesën për përfshirje në këtë hetim e ka dorëzuar në zyrën e BE-së në Beograd, një kanal i zakonshëm për komunikim ndërmjet palëve. Kjo kërkesë tashmë ka arritur në Ministrinë e Drejtësisë të Kosovës.

Aktualisht hetimet po kryhen nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, nga një prokuror shqiptar dhe serb.

Por, të martën, pala serbe, më saktësisht Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për media, ka thënë se Serbia do t’i drejtohet zyrtarisht UNMIK-ut dhe EULEX-it që edhe organet serbe të përfshihen në hetime./Express/