Thaçi e Borissov flasin për vrasjen e Ivanoviqit dhe proceset integruese të Kosovës

Aktuale January 17, 2018 - 12:19

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka treguar se ka informuar kryeministrin bullgar për përpjekjet e institucioneve që ta ndriçojnë sa më shpejtë vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Postimi i plotë:

Sapo zhvillova një bisedë telefonike me Kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, shtet ky që e kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian në këtë vit.
Kryeministrin bullgar e informova për përpjekjet e institucioneve që ta ndriçojnë sa më shpejtë vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe për përkushtimin e Kosovës për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian nuk ka alternativë dhe është parakusht për paqe e stabilitet në rajonin tonë.
Po ashtu, nga shteti bullgar kërkova mbështetje edhe për procesin e integrimeve euroatlantike të Kosovës dhe tërë Ballkanit Perëndimor.