Ja kur do të varroset Ivanoviq

Aktuale January 17, 2018 - 11:03

Nga orët e vona të djeshme, gjatë natës dhe sot herët, numër i madh qytetarësh nga pjesa veriore e Mitrovicës, por edhe nga pjesë të tjera të Kosovës dhe nga Serbia, po i japin nderimet e fundit liderit të Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq, i cili u vra dje nga persona ende të panjohur.

Homazhe do të bëhen deri në orën 11, kur arkivoli me trupin e tij dhe kortezhi do të kalojë nëpër rrugën kryesore të Mitrovicës veriore prej nga përcillet për në Beograd, ku nesër do të varroset.

Sipas njoftimit në mediet serbe, Ivanoviq nesër, në orën 12 e 30 minuta, do të varroset me nderime në Alenë e të Shquarve të Varrezave të Reja në Beograd.

Është paralajmëruar pjesëmarrja e shumë serbëve të Kosovës në këtë varrim, ndërsa nesër në Mitrovicën e veriut do të jetë ditë zie.