Drecun thotë se hetimet për vrasjen e Ivanoviqit duhet të shkojnë kah Veseli

Aktuale January 17, 2018 - 09:58

Hetimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit do të duhej të shkonte në dy drejtime – kah Kadri Veseli dhe kah Washingtoni.

Kështu ka thënë Presidenti i “Këshillit Parlamentar për Kosovë e Metohi”, Milovan Drecun.

Ai tha se rrjedha e tanishme e hetimit tregon se kemi të bëjmë me një planifikim të mirëorganizuar dhe, fatkeqësisht, ekzekutim brutal të Oliver Ivanoviqit dhe se këtë akt e kanë kryer profesionistë.

Sipas tij, Ivanoviqi është qëlluar nga një automobil “Opel Astra”, i cili më pas u gjet i djegur.

“Pronari i asaj veture është i vdekur, nuk është më, vetura është blerë më 1994 – gjithçka është planifikuar me precizitet, ky është një atentat që ka karakter rajonal – pyetja është se nga janë vrasësit, nga ka ardhur arma, kush i siguroi informatat”, ka thënë Drecun për televizionin publik të Serbisë, transmeton Koha.net.

Sipas tij, hetimi do duhej të shkonte në dy drejtime.

“Kah Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës, i cili është shef i shërbimit ilegal të informacionit. Ky para-shërbim vepron kryesisht në jug të Mitrovicës dhe kryen veprime destruktive në veri të Mitrovicës. Mendoj se do të mund të ofronte shumë informacione për këtë vrasje”, tha Drecun, duke pasur parasysh “kërcënimin” e Veselit se shqiptarët “më nuk do të ndalen deri në Nish”.

Ndërsa, drejtimi i dytë do të duhej, sipas tij, të shkonte kah Washingtoni.
“Do të doja që Departamenti i Shtetit të merrte vesh nga shërbimet e tyre të inteligjencës në bazë të të cilave ata vlerësuan në raport se trazirat dhe incidentet ishin të mundshme”, tha në fund Drecun.