Bashkimi i LVV-së si bashkimi me Shqipërinë

Aktuale January 17, 2018 - 08:01

Pavarësisht heshtjes që ka kapluar lëvizjen “Vetëvendosje” që nga mbledhja e fundit, zyrtarë të kësaj partie ende nuk shprehen optimistë se ata do ta arrijnë një marrëveshje mes dy grupeve tashmë të krijuara brenda “Vetëvendosjes”. Se a do të rrinë të bashkuara apo do të ndahen rrugët e tyre nuk është vendosur as pas takimit të fundit mes Grupit Parlamentar dhe Kryesisë së “Vetëvendosjes”, edhe pse në këtë mbledhje morën pjesë edhe deputetët që tashmë janë dorëhequr e mes tyre edhe Visar Ymeri e Shqipe Pantina. Edhe pas mbarimit të këtij takimi zyrtarë të kësaj partie bënë të ditur që mbledhja do të vazhdojë edhe gjatë javës, por nuk dhanë ndonjë datë të saktë se kur një gjë e tillë do të ndodhë, shkruan Zëri.Info

Albin Kurti, njëherësh kandidati i vetëm për kryetar të kësaj partie, pas mbledhjes së fundit ka thënë se diskutimet do të vazhdojnë, duke mos dhënë detaje se si mbledhja shkoi. Por njësoj nuk reagoi edhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti i cili është shprehur i bindur se pavarësisht se ende ka mospajtime të theksuara brenda Lëvizjes, sipas tij, nëse ekziston të paktën edhe një mundësi “Vetëvendosja” do ta shfrytëzojë atë dhe do të vazhdojnë së bashku. “Ne që jemi mësuar me mbledhje të Kryesisë e të Grupit Parlamentar kjo ishte relativisht e shkurtër mund të them, duke e marrë parasysh që problemi është i dukshëm. Ka mospajtime të theksuara që për herë të parë në këtë përbërje të përbashkët është diskutuar, shtruar dhe hapur”, ka thënë Ahmeti. Sipas Ahmetit, ata nuk kanë arritur të merren vesh për problemet e partisë, por që ishte njëri nga diskutimet më të sinqerta deri më tani. “Nuk kemi arritur që të gjejmë marrëveshje apo që të dakordohemi për rrugën përpara, megjithatë mendoj që ka qenë diskutimi së paku më i sinqertë që kam dëgjuar në këta muajt e fundit sa u përket dallimeve të cilat mendoj se janë tepër të thjeshtuara në publik, por së paku u dakorduam që të vazhdojmë diskutimet dhe mendoj që do të ketë diskutime edhe më intensive ditëve në vijim për të parë se a ka mundësi që të vazhdohet në një rrugë të përbashkët”, ka thënë më tutje Ahmeti.

Ndërsa sekretari organizativ i lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismajl Kurteshi, ka konfirmuar për “Zërin” se një afat nuk është bërë i ditur ende si pasojë e punës që deputetët e kësaj partie kanë në Kuvend. “Kemi punë në Kuvend, nuk e kemi lënë për sot, nuk kemi caktuar kurrfarë date, tash jemi në Kuvend të zënë në një komision”, ka thënë shkurt Kurteshi. Ndërsa i pyetur për mbledhjen e fundit të “Vetëvendosjes” ai ka thënë se ka pasur prononcim nga ata që kanë qenë të autorizuar dhe ai vetë nuk ka se çfarë t’u shtojë deklaratave të tyre. “Nuk kam çka i shtoj asaj. Është prononcuar Glauku dhe Shpendi”, ka thënë Kurteshi.

 Në anën tjetër, njëra nga anëtaret e kësaj Lëvizjeje që është dorëhequr nga Kryesia e partisë, Shqipe Pantina, për “Zërin” ka thënë se nuk është arritur një marrëveshje e përbashkët pavarësisht përpjekjeve. “Deri në javën tjetër do të shikojmë të gjejmë një përpjekje, nuk e di çka do të ndodhë. Ka pasur diskutime gjerë e gjatë, por e kam të vështirë për ta dhënë një vlerësim”, ka thënë Pantina. Gjithashtu ajo ka bërë të ditur se ka pasur diskutime që kanë sqaruar disa gjëra, mirëpo nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

 Analisti Agron Halitaj thotë se është evidente që “Vetëvendosja” po kthehet në një rast unik të shembjes së shpejtë të një subjekti politik nga brenda. Sipas tij, nuk mund të thuhet me absolutizëm, mirëpo në masë të konsiderueshme blloqet brenda këtij subjekti janë ndarë në idealistë dhe në materialistë. “Ata që i takojnë bllokut të parë pa dyshim që mbështesin frymën e Albin Kurtit, ndërsa të tjerët janë rreshtuar përkrah politikanëve që kanë koncepte krejt të tjera. Duke qenë të barrikaduar në dy kampe që s’përputhen në koncepte e kanë krijuar një atmosferë që e bën të vështirë ribashkimin e tyre, ashtu siç është i vështirë në rrethanat e tashme kohore bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, të cilin e kanë pasur si synim të përbashkët”, ka thënë ai.

 Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike Mazllum Baraliu e ka quajtur të pakuptueshme përçarjen brenda “Vetëvendosjes”, si dhe sipas tij këto probleme të tyre po e dëmtojnë partinë. “Gjykuar nga mbledhja e përbashkët e mbrëmshme e këtij subjekti kemi të bëjmë me një përçarje serioze dhe me një mosmarrëveshje serioze, që është e pakuptueshme dhe e papranueshme nga këndvështrimi i opinioni publik, sidomos i ‘Vetëvendosjes’ dhe i anëtarëve të saj dhe aktivistëve, por edhe simpatizuesve”, ka thënë Baraliu. Sipas tij, këto deklarata kaq shpërthyese, si dhe çarjet e tilla të kësaj partie në asnjë mënyrë nuk i bëjnë mirë partisë, madje ato e dëmtojnë seriozisht këtë të fundit.  Gjithashtu ai shtoi se “ka mundësi që të kalohet kjo përçarje në qoftë se ata do të tregoheshin të matur dhe jo të eksplodojnë e ta nënçmojnë njëri-tjetrin, por të bashkohen dhe të punojnë në dobi të të gjithëve”.