Veriu mund të destabilizohet

Aktuale January 17, 2018 - 07:47

Vrasja e liderit të iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, Oliver Ivanoviq, mund të përcillet me destabilizim të veriut të Kosovës. Ky është alarmi që jepet nga mbikëqyrësit e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), nga Komisioni Parlamentar për Punë të Brendshme, si dhe nga ekspertë të çështjeve të sigurisë.

Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit ditë më parë kishte lajmëruar qytetarët e saj që të kenë kujdes të shtuar në Kosovë e posaçërisht në veri për shkak të terrorizmit. Në një raport të Departamentit Amerikan të Shtetit, që mban datën 10 janar 2018, përmenden komunat veriore të Kosovës të banuara më shumicë serbe si zona me shkallë të shtuar të rrezikut. Në paralajmërim thuhet se “grupet terroriste vazhdojnë të planifikojnë sulme të mundshme në rajonin e Ballkanit, duke përfshirë Kosovën. “Terroristët mund të sulmojnë më pak ose pa paralajmërim, duke synuar zonat turistike, qendrat e transportit, tregjet dhe qendrat tregtare, objektet e qeverisjes vendore, hotelet, klubet, restorantet, vendet e adhurimit, parqet, ngjarjet kryesore sportive dhe kulturore, institucionet arsimore, aeroportet dhe zona të tjera publike. Përveç kësaj, dhuna e motivuar politikisht ndodh në të gjithë Kosovën”. DASH-i thekson se “tensionet brenda dhe ndërmjet komuniteteve vazhdojnë të nxisin dhunë, demonstrata dhe trazira të tjera në Mitrovicën e Veriut, në Leposaviç, në Zubin Potok e në Zveçan”.

Shala: Policia dhe AKI-ja kanë informacionet e nevojshme

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe po ashtu anëtar i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Haxhi Shala, ka thënë për “Zërin” se paralajmërimi i Departamentit Amerikan të Shtetit do të duhej të merrej seriozisht nga institucionet e sigurisë në vend dhe të bëhen parandalime të sulmeve të mundshme.
Sipas tij, institucionet e sigurisë, Policia edhe AKI-ja janë në krye të detyrës së tyre dhe kanë informacione të mjaftueshme sa për t’i ndaluar këto sulme. Po ashtu për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq Shala tha se kjo nuk mund të ndikojë në destabilizimin e vendit, por tha se duhet të trajtohet me seriozitet që të mos fajësohen shqiptarët.  “Institucionet e sigurisë sot vetëm janë në detyrë dhe për të gjitha sulmet e mundshme kanë informacione të nevojshme. Deri më tani nuk ka ndonjë informacion që mund të ngrihet ndonjë shqetësim, nuk ka pse të shqetësohemi për ndonjë destabilizim në vend”, tha ai.

Sveqla: Potenciali për destabilizim në veri është i madh

Kurse Xhelal Sveqla (LVV), anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, tha se për shkak të zhvillimeve të fundit duhet të merren masa për çfarëdo eskalimi të mundshëm të situatës në veri. “Ne e kemi pasur një deklaratë të State Department që i fton qytetarët të mos shkojnë në veri për shkak të sulmeve të mundshme terroriste e po ashtu një deklaratë të papërgjegjshme të kryekuvendarit, i cili bën gafe politike. Tani kemi edhe vrasjen e Oliver Ivanoviq. Duhet që të merren masa që të parandalohet çfarëdo eskalimi i situatës në veri”, ka thënë ai.

Sipas tij, pasi Kosova nuk ka shtrirë sovranitetin e plotë në veri potenciali për destabilizim në vend del të jetë i madh. Por e rëndësishme, siç tha ai, është që të mobilizohemi dhe ta parandalojmë çdo eskalim të situatës.   

Quni: Kosova të mbrohet nga destabilizimi eventual

Deputeti Anton Quni (LDK), anëtar i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, tha për “Zërin” se në vendet ku mungon sundimi i rendit dhe i ligjit krijohen parakushtet për bashkëjetesën e krimit dhe politikes.
Sipas tij, veriu i Kosovës, ku institucionet kanë autoritet të kufizuar, është vatër ku në çdo moment siguria e qytetarëve mund të vihet në pikëpyetje.

Ai tha se edhe rasti i Oliver Ivanoviqit duhet sa më shpejt të marrë epilog nga institucionet e autorizuara. Në të kundërtën, sipas tij, formacionet kriminale me motive të ndryshme do të inkurajohen që kurdo që duan ta sfidojnë rendin dhe ligjin.  

Quni tha se në këtë kohë Kosova ka më shumë se kurrë nevojë për vigjilencë që ta parandalojë çdo eskalim të mundshëm. “Në prag të përvjetorit të 10 të pavarësisë Kosova ka nevojë më shumë se kurrë më parë për vigjilencë të lartë, që të mbrohet nga një destabilizim eventual”, ka thënë ai.

Qehaja: Të merren masat e duhura

Në anën tjetër eksperti i sigurisë, Ramadan Qehaja, ka thënë se situata në veri të Kosovës është e brishtë. Mirëpo, sipas tij, pas incidenteve të fundit situata është ndërlikuar edhe më shumë. “Kujtoj që situata e sigurisë në vendin tonë apo më mirë ta themi në veri edhe kështu ka qenë e brishtë. Tani kemi edhe një vrasje të një politikani serb, por pati edhe disa të shtëna të mëhershme, pati vrasje e plagosje... dhe sulme kundër pjesëtarëve të FSK-së. Me një fjalë, në atë pjesë të territorit situata e sigurisë është mjaft e ndërlikuar”, ka thënë ai.

Qehaja ka thënë se në pjesën më të madhe të Kosovës situata është stabile, mirëpo ai tha se situata mund të përkeqësohet në rast se nuk merren masat e duhura. “Mendoj që në pjesën tjetër të Kosovës situata e sigurisë është stabile, por kjo nuk do të thotë që nuk mund të vijë deri te përkeqësimi i situatës nëse nuk do të jemi vigjilentë në këtë drejtim”, tha ai.

Kurse Avni Islami, njohës i çështjeve të sigurisë, tha se s’mund të ketë destabilizim në vend, por, sipas tij, qeveria e Serbisë do të tentojë që rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq t’ua atribuojë shqiptarëve. “Unë nuk shoh ndonjë situatë alarmante, pasi vrasja e Oliver Ivanoviqit ka ardhur si rezultat i mosdëgjueshmërisë së subjektit politik të tij në raport me qeverinë serbe. Kështu që unë nuk mendoj që do të ketë destabilizim edhe pse mund të ketë tendenca nga qeveria serbe që këtë rast t’ua atribuojë shqiptarëve”, ka thënë ai.  

Haradinaj: Kosova nuk përjashtohet nga caku i sulmeve terroriste

Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme me ç'rast u diskutua vrasja e politikanit serb në veri të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka dënuar krimin në fjalë duke u bërë thirrje institucioneve të vendit që të zbardhin rastin sa më shpejt. “Kjo vrasje ka parametra të keqpërdorimit politik apo më shumë. Që nga momenti i marrjes së lajmit për ketë rast institucionet e vendit kanë kryer detyrat e veta dhe janë ende në punë. Ne e dënojmë këtë krim dhe i shprehim ngushëllime familjes Ivanoviq”, ka thënë ai. Haradinaj ka thënë se edhe pas këtyre incidenteve gjendja në Kosovë mbetet e qetë dhe stabile dhe se nuk ka gjasa për destabilizim, ndonëse nuk ka përjashtuar mundësinë që edhe Kosova në mesin e shteteve tjera të jetë cak i sulmeve terroriste. “Vlerësimet për gjendjen e sigurisë në Kosovë janë që gjendja e sigurisë është stabile dhe e qetë, por nuk bën përjashtim që të rrezikohet nga akte të caktuara terroriste. Ju sigurojmë që gjendja në Kosovë është stabile dhe e qetë”, ka thënë ai.

Kurse drejtori i përgjithshëm i Policisë se Kosovës, Shpend Maxhuni, ka thënë se që nga momenti i parë i informimit me rastin janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme. Ai ka thënë se nëse do të kenë nevojë për ndihmë do ta ftojnë edhe FBI-në.