Vuk Drashkoviq: Oliver Ivanoviq u vra sipas modelit të shërbimeve të Slobodan Millosheviqit

Aktuale January 16, 2018 - 18:02

Politikani serb Vuk Drashkoviq, kryetar i Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe (SPO), thotë se vrasja e Oliver Ivanoviq në mëngjesin e sotëm në veri të Mitrovicës është kryer sipas modelit të shërbimeve të sigurisë së Millosheviqit nga vitet e 1990-ta, njofton Klan Kosova.

Drashkoviq ka deklaruar se të shtënat ndaj Oliver Ivanoviqit janë të shtëna në Marrëveshjen e Brukselit, dialogun e brendshëm të Serbisë për Kosovën, stabilitetin e rajonit dhe rrugën europiane të Serbisë.

“Oliver Ivanoviq ka qenë zëri i arsyes, politikan i arsimuar dhe lider i serbëve të Kosovës, i përkushtuar për dialog me shqiptarët dhe promovues i respektimit të ligjit në hapësirën ku shumëkujt i ka penguar pikërisht për këtë”.

Ai gjithashtu ka shtuar se autoritetet në Kosovë duhet ta zbardhin ngjarjen dhe të arrestojnë autorin e krimit.