Detajet nga vrasja e Ivanoviç

Aktuale January 16, 2018 - 15:20

Lideri i iniciativës qytetare "Liria, Demokracia, Drejtësia" [SDP] në Kosovë, Oliver Ivanoviq, nuk u ka mbijetuar plagëve, pas sulmit ndaj tij me armë zjarri, në mëngjesin e së martës.

Vdekjen e Ivanoviqit e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Shyqri Syla, kryeprokuror i Prokurorisë në Mitrovicë.

“Ivanoviq është vrarë para selisë së partisë së tij dhe nga plagët e marra, ai ka vdekur”, ka thënë Syla.

Sulmi ndaj Ivanoviqit kishte ndodhur para zyrës së Ivanoviqit. Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin.

Zheljko Bojiq, shef i operativës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se incidenti me armë zjarri ka ndodhur në rrugën Sutjeska, rreth orës 8 e 10 minuta.

“Me këtë rast është plagosur Oliver Ivanoviqi. Viktima, menjëherë është dërguar në spitalin e Mitrovicës së Veriut, ku është tentuar t’i bëhet reanimimi, pas së cilës, mjekët kujdestarë kanë konstatuar se ai ka vdekur. Ekipet hetuese dhe prokurori kompetent ende janë në vendin e ngjarjes dhe po e bëjnë hetimin. Gjithashtu po i hetojnë edhe gjurmët e caktuara që janë gjetur në vendin e ngjarjes, të cilat do të shërbejnë për rrjedhën e mëtejshme të hetimit”, ka thënë Bojiq.Image

Ai ka shtuar se një incident tjetër ka ndodhur, po ashtu në Mitrovicën e Veriut, rreth një orë pas incidentit ku u qëllua Ivanoviq, duke thënë se Policia po i heton të dyja rastet, për të shikuar nëse eventualisht ato kanë ndërlidhje.

“Rreth orës 9 e 15 minuta, në rrugën Vojvoda Putnik është gjetur e djegur një veturë e tipit ‘Opel Astra’, pa tabela regjistrimi. Policia, aktualisht është duke dyshuar se ky rast mund të jetë i ndërlidhur me rastin e vrasjes së Ivanoviqit. Hetimet ende janë duke vazhduar”, ka thënë Bojiq.

Lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ka reaguar Qeveria e Kosovës, duke e dënuar ashpër aktin e vrasjes me armë zjarri të politikanit serb nga Kosova.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se akti i vrasjes së Oliver Ivanoviqit sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin në gjithë territorin e Kosovës. Dhuna është e papranueshme pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt drejtohet”.

“Qeveria fton të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit në zbardhjen e rastit dhe njëkohësisht nga mekanizmat e sigurisë kërkon që të kapin autorët e krimit dhe t’i sjellin ata përpara drejtësisë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Oliver Ivanoviqi, në zgjedhjet e fundit lokale, ka qenë lider i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia”.Image

Ndonëse kishte paralajmëruar pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të qershorit të vitit 2017, ai kishte hequr dorë për shkak të numrit të madh të subjekteve politike nga bashkësia serbe, duke thënë se kjo do të sillte deri te shpërndarja e votave.

Gjatë fushatës për zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, disa kandidatë për këshilltarë komunalë nga subjekti i tij politik, ishin tërhequr nga lista për shkak të kërcënimevese do t’i humbnin vendet e punës. Beogradi zyrtar, me këtë rast kishte mbështetur vetëm Listën Serbe.

Në fillim të vitit 2014, Ivanoviq ka qenë një prej kandidatëve për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut, kur edhe ishte arrestuar. Gjykata e Apelit, në shkurt të vitit 2017, kishte vendosur për gjykimin e sërishëm të Oliver Ivanoviqit, pasi që në vitin 2016 ishte dënuar me 9 vjet burg për krime të luftës ndaj shqiptarëve të Kosovës, gjatë viteve 1999 dhe 2000.

Gjykimi i sërishëm kishte nisur me 24 mars të vitit 2017 dhe me 21 prill, Ivanoviqit i ishte hequr masa e arrestit shtëpiak dhe i ishte mundësuar mbrojtja nga liria.

Ivanoviq pas vetes ka lënë bashkëshorten Milenën dhe katër fëmijë.