Diskutojnë, por nuk pajtohen

Aktuale January 16, 2018 - 08:16

Takimi i Grupit Parlamentar, i cili ka zgjatur deri në orët e vona të së hënës, nuk i ka përafruar qëndrimet e dy krahëve të lëvizjes “Vetëvendosje”, shkrua sot 'Gazeta 'Zëri'

Ish-kryetari Visar Ymeri pas këtij takimi ka deklaruar se nuk ka parë ndonjë vullnet që të reflektohet mbi problemet që kanë ndodhur kohëve të fundit në këtë Lëvizje.

Në anën tjetër kandidati për kryetar të lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka deklaruar se diskutimet do të vazhdojnë e po ashtu puna në Lëvizje dhe në organizatë. "Ishte mbledhje e gjatë, diskutimet vazhdojnë e po ashtu edhe puna në Lëvizje e në organizatë", ka thënë shkurt Kurti, duke mos dashur të japë komente tjera.

Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë edhe ish-sekretari Dardan Molliqaj, deputetja Shqipe Pantina, etj., përderisa takimin e kanë bojkotuar Aida Dërguti dhe Faton Topalli. 

Shefi i Grupit Parlamentar të lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se pikë e diskutimit ka qenë situata nëpër të cilën po kalon ky subjekt politik.

“Pika e diskutimit ishte versioni i të dorëhequrve për situatën nëpër të cilën po kalon ‘Vetëvendosja’. E kemi dëgjuar secilin veç e veç, kemi folur secili nga 10 minuta për atë edhe na mori kohë më shumë”, është shprehur Konjufca.

I pyetur se a ka përafrime mes të dorëhequrve dhe grupit tjetër, Konjufca tha se tani është më optimist sesa para 10 ditëve. “Unë jam tash më optimist sesa kam qenë para 10 ditësh”, u përgjigj shkurt ai.

Por Visar Ymeri ka pranuar se ato probleme që janë ngritur në publik qëndrojnë, por ka edhe nga ato probleme të cilat publiku nuk i ka dëgjuar.

“‘Vetëvendosja’ është në një fazë të rëndësishme dhe do të duhej që secili të heqë dorë nga vetja për të mirën e organizatës. Nuk e di njëherë se çka do të ndodhë. Në këtë fazë do të duhej që secili të heqë dorë nga vetja për hir të organizatës”, theksoi Ymeri. 

Ndërsa kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është shprehur i bindur se pavarësisht se ende ka mospajtime të theksuara brenda Lëvizjes, sipas tij, nëse ekziston të paktën edhe një mundësi “Vetëvendosja” do ta shfrytëzojë atë dhe do të vazhdojnë së bashku.
Ahmeti ka pranuar se nuk kanë arritur të merren vesh për problemet e partisë, por që ishte një nga diskutimet më të sinqerta deri më tani.

“Nuk kemi arritur që të gjejmë marrëveshje apo që të dakordohemi për rrugën përpara, megjithatë mendoj që ka qenë diskutimi së paku më i sinqertë që kam dëgjuar në këta muajt e fundit sa i përket dallimeve, të cilat mendoj se janë tepër të thjeshtuara në publik, por së paku u dakorduam që t’i vazhdojmë diskutimet dhe mendoj që do të ketë diskutime edhe më intensive ditëve në vijim për të parë se a ka mundësi që të vazhdohet në një rrugë të përbashkët”, ka thënë tutje Ahmeti.

Ai gjithashtu tha se në qoftë se ka edhe pak për një mundësi të përbashkët, ata do ta shfrytëzojnë./Zëri