Mungesa e pikës kufitare

Aktuale January 14, 2018 - 21:20

Mos-hapja e një pike kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë në Stançiq, po u shkakton shumë telashe banorëve të brezit kufitar atje.

Banorët e rrethit të Gjilanit dhe Kamenicës thonë se hapja e rrugës dhe pikëkalimit do ta lehtësonte lëvizjen e tyre.

Për t`u lidhur Gjilani me Kumanovën, duhen bërë me dhjetëra kilometra qarkullim, e gjithë kjo për mungesën e hapjes së një pikëkalimi kufitar të kërkuar prej kohësh në Stanqiq, ndërsa rruga tashmë është asfaltuar, thonë banorët lokalë andej dhe këndej kufirit.

“Ne presim edhe jena optimist së shpejti ndoshta do të hapet edhe kjo vi kufitare së paku ndonjë kontejner të jetë në mënyrë provizore të jetë si pikë kufitare ku munden me qarkullua njerëzit se ka edhe lidhje farefisnore këtu, nga ana e Maqedonisë edhe nga ana e Kosovës”, thotë Muhamet Sulejmani banorë.

“Për me ardhë këtu kemi ardhë nga Presheva andej se pengesa ka këtu se gjoja policia na ndalojnë e , e ndaluar është kjo rrugë”, tha banori Hamit Sopi.

Zyrtarë të Forumit për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkufitar thonë se është e pakuptueshme zvarritja e lëvizjes së lirë të qytetarëve në këtë zonë.

“Unë mendoj që sa ma më shpejt duhet të vendoset një kiost këtu me menaxhim të përbashkët dhe me ato kushte që mund të funksionoj dhe se nuk duhet me bërë pengesë për lëvizjen e qytetarëve”, tha Sabri Kadriu zyrtarë i FBZHN.

Sa më shpejt të ketë lëvizje të lirë në këtë zonë, aq më mirë do të jetë për të gjithë qytetarët, meqë do të zvogëlohej koha, kostoja dhe do të krijoheshin kushte të favorshme për zhvillim, thonë banorët lokalë. /RTK/