Pasaporta e Kosovës që të izolon nga bota

Aktuale January 14, 2018 - 14:28

Pasaporta e Kosovës në radhitjen e fundit ndërkombëtare të fuqisë së saj, është renditur në vendin e 96-të, marrë parasysh se qytetarët e saj mund të udhëtojnë në vetëm 38 vende të botës pa viza.

Vendin e 96-të, Kosova e ndan me Iranin. Pasaporta më e “fuqishme” është cilësuar ajo e Gjermanisë, e cila u jep qytetarëve qasje në 177 vende të botës. Derisa vendin e fundit, të 104-të, e mban pasaporta e Afganistanit.

Ky është rezultati i një hulumtimi të kompanisë ‘Henley Passport Index”, që flet për fuqinë e pasaportave të shteteve të botës, bazuar në ‘lirinë e lëvizjes së bartësit të një pasaporte në shtete të ndryshme, pa pasur nevojë për vizë’.

Qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë ndajnë të njëjtin mendim me këtë hulumtim. Ata thonë se pasaportën e tyre shumë pak e shfrytëzojnë, pasi që në vendet si ato të Bashkimit Evropian iu duhet të pajisen me vizë.

Merita Kastrati, studente në Universitetin e Prishtinës e konsideron pasaportën e Kosovës si një pasaportë jo edhe aq të vlefshme, për faktin, siç thotë ajo, “nuk mund të udhëtosh me të në asnjë nga vendet e BE-së”.

“Me pasaportë të Kosovës askund nuk mund të udhëtosh. As që e kam përdor ndonjëherë. Në Shqipëri e Maqedoni atje ku shkoj më shpesh, udhëtoj vetëm me letërnjoftim. Pasaportën e mbaj në dollap nuk më hyn në punë fare”, thotë ajo.

Ngjashëm shprehet edhe Arjeta Sylejmani:

“Unë e kam pasaportën e Kosovës, por po presim që po bëhet liberalizimi i vizave, përndryshe me pasaportën time nuk mund të udhëtoj askund”.

Adonis Kryeziu, qytetar nga Prishtina, thotë se është pajisur me pasaportë biometrike të Kosovës qysh para dy viteve kur edhe ishte premtuar se Kosova do të ketë liberalizim të vizave.