Zhbërja e Speciales do të rrëzohet në Kryesinë e Kuvendit

Aktuale January 14, 2018 - 12:15

Proceduralisht, Kryesia e Kuvendit duhet të japë një përgjigje për nismën e deputetëve të mbështetur nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Ramush Haradianj, për zhbërjen e Gjykatës Speciale.

Zyrtarë të Kryesisë së Kuvendit kanë thënë se po planifikojnë të rrëzojnë nismën në këtë organ. Nait Hasani vazhdimisht po deklaron se do të kërkojë trajtimin e kërkesës së 42 deputetëve për të zhbërë Specialen.

Kadri Veseli, Kryetar i Parlamentit dhe i PDK-së, në javët e fundit, ka përsëritur disa herë se nuk do të zhbëhet Gjykata Speciale. Disa deputetë të PDK-së kanë thënë se do të vazhdojë nisma e tyre.

Zhbërja e Speciales është edhe në rend të ditës për mbledhjen e radhës të Kryesisë së Kuvendit.

Burime të Express kanë thënë se po synohet që kjo nismë të mos shkojë fare në Parlament pasi ekziston rreziku që të zhbëhet Specialja pasi nevojiten vetëm 31 vota pro për të rrëzuar ligjin me kushtin që pjesë e seancës të jenë 61 deputetë.

Nisma e parë për zhbërjen e Speciales dështoi më 22 dhjetor të vitit 2017 pasi Kryesia e Kuvendit s’kishte fare kuorum për të marrë vendim. Asokohe, pro zhbërjes ishte PDK, AAK, NISMA. Ndërkohë, mungonin LDK, VV dhe pakicat.

Sidoqoftë, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit e cila ishte paraparë të mbahej  të hënën, është shtyrë për 17 janar, të mërkurën. Po atë ditë, do të shqyrtohet edhe projektligji për Specialen.

Megjithatë, ligjërisht kjo është një procedurë normale.

Rregullorja e Kuvendit të Kosovës e sqaron se Kryesia siguron që çfarëdo mocioni përmbajtjesor, që mbështetet nga gjashtë ose më shumë deputetë të Kuvendit, të futet në rendin e ditës të mbledhjes plenare të Kuvendit brenda tri javësh pune që nga dita kur është marrë kjo shkallë e mbështetjes, për cilën çështje vendos Kuvendi.

Tre liderët kosovarë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj, javë më parë, morën iniciativë që ta shfuqizojnë Specialen, nismë kjo që mori mbështetjen e 43 deputetëve.

Kadri Veseli menjëherë pas përfundimit të festave të fundvitit doli me një shkrim autorial ku fliste rreth zhvillimeve për Specialen dhe tërheqjen e tij ndaj kësaj situate, dukë thënë se kjo gjykatë nuk mund të ndalohet. Tha se iniciuesit dështuan, përfshirë edhe vetën.

“Nuk menduan për reaksionet” u shpreh ndër tjerash kreu i PDK-së. Këtë qëndrim e forcoi e ka forcuar edhe të shtunën në takimin me ambasadorin Delawie, i siguroi ata se nuk do të ndodhë zhbërja e gjykatës.

Por presidenti Thaçi fuqimisht qëndron mbrapa asaj se është kundër Speciales dhe se më këtë gjykatë Kosovës i është bërë padrejtësi historike. Nën hijen e deputetëve po fshihet kryeministri Haradinajt i cili tha se atë që e vendosin deputetët, do ta respektojë.