Abelard Tahiri: Pozitën e shqipes në Maqedoni e përmirësoi Ali Ahmeti

Aktuale January 13, 2018 - 17:27

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se merita të mëdha për aprovimin e ligjit të gjuhëve në Maqedoni, që përmirëson dukshëm pozitën e shqipes, është meritë e madhe e Ali Ahmetit, kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Ai ka thënë se me këtë veprim u tregua edhe një herë tjetër, qartë, përcaktimi politik i Ahmetit, për angazhim në artikulimin e interesave politike dhe demokratike për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni.

Tahiri nuk ka lënë pa përmendur edhe kontributin e Arbën Xhaferit, i cili sipas tij, pati arritur që qysh moti të vërejë se në thelb të krizës së vazhdueshme ishte pozita e palakmueshme e gjuhës shqipe.

“Ditë më parë Parlamenti i Maqedonisë miratoi ligjin për përdorimin e gjuhëve në këtë shtet. Aprovimi i këtij ligji nga deputetët e këtij Institucioni, paraqet një veprim të duhur dhe racional në rrugëtimin e mëtutjeshëm të këtij shteti drejt konsolidimit të një shoqërie të barabartë, demokratike, multietnike dhe ndërtimit të një mirëkuptimi gjuhësor të ndërsjellë ndërmjet pjesëtarëve të saj. Gjithsesi, ky akt përbën një hap të rëndësishëm në avancimin e të drejtave politike, kulturore, individuale dhe shoqërore të qytetarëve shqiptarë në kuadër të Republikës se Maqedonisë.

Pa dyshim, meritat për këtë fitore politike, historike dhe demokratike i takojnë edhe partisë shqiptare në pushtet, konkretisht liderit të saj, z. Ali Ahmeti.

Ky sukses shënon edhe një satisfaksion të rëndësishëm për përcaktimin e qartë politik të z. Ahemti, për angazhimin e tij konstant në artikulimin e interesave politike dhe demokratike për qytetarët shqiptarë që jetojnë në këtë shtet, si dhe besimin e patundur të tij, në realizimin e këtyre interesave nëpërmjet logjikës normative demokratike.

Po ashtu këtu vlen të përmendet edhe ish politikani njohur i shqiptarëve të Maqedonisë, i ndjeri Arbër Xhaferi, i cili me një kthjelltësi të spikatur mendore dhe teorike, pat analizuar shkaqet e krizës së vazhdueshme ndëretnike në këtë vend. Për Arbrin, burimi kryesor i këtyre tensioneve ishte pozita segreguese e gjuhës shqipe në kuadër të institucioneve publike dhe shtetërore në Republikën e Maqedonisë. Në të kaluarën pesha e saj ishte e padurueshme në këtë Republikë. Gjuha është shtëpia e përbashkët e njerëzve. Prandaj, përjashtimi i çdo etniteti kulturor, nacional dhe gjuhësor nga jeta publike, vetëm për shkak të identitetit gjuhësor, në mënyrë implicite parqet edhe përjashtim nga jeta e përbashkët republikane dhe politike në një shoqëri, e atij etniteti. Kështu, vetëm pas Marrëveshjes së Ohrit, kjo gjendje diskriminuese sado kudo u përmirësua dhe u arrit që gjuha shqipe të përdorej vetëm aty ku e përmbush kuotën 20 për qind dhe vetëm në 20 për qind të zonave territoriale të vendit. Ky pranim ishte partikular. Segregimi gjuhësor i shqiptarëve nuk u abrogua plotësisht. Prandaj, me këtë ligj tejkalohen këto anomali, sepse i hapet rruga përdorimit të gjuhës së tyre nga qytetarët shqiptarë në të gjitha institucionet publike në këtë republikë.

Në këtë mënyrë krijohen kushte adekuate për zhvillim të gjithanshëm politik, nacional dhe civilizues për qytetarët shqiptarë në këtë shtet, në përputhje me veçantinë dhe pasurinë e tyre gjuhësore e kulturore”.