AKR kundër PDK-së e AAK-së: Nuk përkrahim zhbërjen e Speciales

Aktuale January 13, 2018 - 14:01

Dy deputetët e AKR-së kanë ndryshuar mendje rreth shfuqizimit të Gjykatës Speciale.

Islam Pacolli dhe Labinot Tahiri në një takim me shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, i kanë premtuar asaj se AKR-ja nuk bëhet pjesë e iniciativave që i prishin punët Kosovës me aleatët ndërkombëtarë.

Deputeti Islam Pacolli ka shkruar se Apostolovës ia kanë konfirmuar qëndrimin e AKR’së që nuk do të bëhet pjesë e iniciativës që dëmton marrëdhëniet e Kosovës me Perëndimin.

“Ne takim me shefen e misionit të BE në Kosovë dhe diplomatë tjere te rendesishem, së bashku me kolegun Labinot Tahiri konfirmuam qendrimin e AKR; asnjehere nuk do te behemi pjese e ndonje iniciative qe demton marredheniet e Kosoves me aleatet perendimore”, ka shkruar Pacolli në profilin e tij zyrtar në rrjetin social "Facebook".

Deputeti Tahiri ka njoftuar se në takimin e ftuar nga Apostolova ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Britanisë së Madhe, Suedisë dhe Holandës.

“Ne mbetëm me shpresë se Kosova dhe populli i saj janë duke ecur drejt radhitjes me vendet e Bashkimit Evropian. E gjithë kjo varet se si duan të punojnë me përkushtim për popullin e Kosovës, e gjithë klasa politike e vendit”, ka shkruar Tahiri.