Prokuroria: Shkumbin Mehmeti s’po dëshmon, po e kushtëzon zbulimin e vrasjeve politike

Aktuale January 13, 2018 - 12:10

 

Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se ka kontaktuar me Shkumbin Mehmetin por i njëjti ka refuzuar të japë dëshmi derisa nuk prishet aktgjykimi me të cilin i njëjti ishte dënuar me 30 vjet burgim.

Megjithëkëtë, Prokuroria ka thënë se nëse deklaratat e Mehmeti zbulojnë vrasjet e pasluftës atëherë janë të gatshëm të kërkojnë zbutjen e jashtëzakonshme të dënimit të tij.

Në njoftimin për media, Prokuroria ka njoftuar se “me kohë ka nisur zbardhjet e vrasjeve politike. Por, asnjë rezultat deri më tash s’është parë.

“Sqarojmë opinionin publik se Prokuroria me kohë ka filluar hetimet për vrasjet e pasluftës”.

Kjo është njëra prej fjalive të njoftimit të Prokurorisë së Shtetit si reagim të deklaratave të një dëshmitari, i cili deklaron se ka prova dhe fakte se kush ka kryer vrasjet politike dhe ato të pasluftës.

Prokuroria thotë se Shkumbin Mehmeti po kushtëzon dëshminë para prokurorëve në këmbim të prishjes së aktgjykimit me të cilin i njëjti person ishte dënuar me 30 vjet për shkak se ishte dëshmuar se ka marrë pjesë në vrasjen e dy oficerëve policorë në hyrje të Podujevës.

Sidoqoftë, Prokuroria thotë se është e gatshme të kërkojnë zbutjen e jashtëzakonshme të dënimit për Mehmetin, nëse i njëjti ndikon në zbardhjen e vrasjeve të pasluftës.

Por, kanë refuzuar të kërkojnë prishjen e aktgjykimit për vrasjen e policit ndërkombëtar me arsyetimin se kjo nuk ka bazë ligjore.

“Menjëherë, Prokuroria e ka autorizuar policinë që ta marrë në pyetje, tani të dënuarin Sh. M., mirëpo i njëjti policisë ia ka kushtëzuar dëshminë, duke kërkuar që Prokuroria, paraprakisht të ndikojë në prishjen e aktgjykimit të plotfuqishëm, me të cilin është dënuar me burg prej 30 vjetësh”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

LEXO EDHE: Dëshmia tronditëse për vrasjet e pasluftës

Sipas Prokurorisë, Mehmeti kishte thënë se po bashkëpunon me prokurorët e EULEX’it për të zbardhur në tërësi rastin për të cilin është dënuar i njohur si “Olympia”.

“Sqarojmë opinionin publik se Prokuroria me kohë ka filluar hetimet për vrasjet e pasluftës. Po ashtu, edhe prokurorët ndërkombëtarë të EULEX-it janë duke zhvilluar hetimet në këtë drejtim, deri në transferimin e këtyre rasteve tek prokurorët vendorë”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Në korrik të vitit 2017, insajderi kishte shkruar se Shkumbin Mehmeti ka dëshmuar në Prokurori se ka qenë pjesë e një grupi kriminal që ka kryer vrasje të ndryshme, përfshirë vrasjet me motive politike, kidnapime, haraç, nxjerrje borxhesh etj.

Ai ka marrë pjesë në vrasjen e dy policëve, njëri i Kosovës dhe njëri i UNMIK-ut. Mehmeti, pretendon se ka informacione për vrasjen e Xhemajl Mustafës, Smajl Hajdarit e Tahir Zemajt. Pretendon se pas arrestimit të grupit të tij kriminal, kishte ndërhyrë ish-zëvendësshefi i UNMIK-ut, Stiven Schook. Mehmeti, ndodhet në burgun e sigurisë së lartë në Gërdovc duke vuajtur një dënim prej 30 vjetësh.

Dëshmi përafërsisht të njëjtë ka dhënë edhe në Klan Kosova në një intervistë, në të cilin ka përfshirë edhe Kryeministrin aktual të Kosovës, Ramush Haradinaj, si i përfshirë në vrasjet e pasluftës.