Dëshmia tronditëse për vrasjet e pasluftës

Aktuale January 13, 2018 - 08:29

Tri familje nga rajoni i Dukagjinit, Zemaj, Tolaj dhe Haklaj, familjarët e të cilave janë vrarë në fillim të dekadës së kaluar në rrethana ende të pasqaruara, kanë deklaruar dje se janë të tronditura nga dëshmia televizive që të enjten mbrëma dha Shkumbin Mehmeti, një i dënuar për pjesëmarrje në një vrasje në rrethinën e Podujevës, në vitin 2004, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Shkumbin Mehmeti ka folur në “Klan Kosova” për një grup kriminal, në të cilin thoshte se ka bërë pjesë e për të cilin tha se ka dorë në shumë vrasje të pasluftës në Kosovë.

Ndër vrasjet që i përmendi Mehmeti janë edhe ato të Tahir Zemajt, Sebahate Tolajt e Isuf Haklajt, të vrarë në dy raste të ndryshme në rrethinën e Pejës, në vitin 2003.

Ai po ashtu ka thënë se ishte planifikuar edhe vrasja e Xhavit Halitit, tashmë nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

LEXO EDHE: Berisha: Ushtria, përmes ndryshimeve kushtetuese

Pas këtyre deklaratave ky ka kërkuar që institucionet e drejtësisë t’i fillojnë hetimet, shkruan tutje "Zëri".

Familjet Zemaj, Tolaj e Haklaj, të tronditura

Familjet Zemaj, Tolaj dhe Haklaj kanë lëshuar dje një deklaratë të përbashkët rreth kësaj dëshmie, në të cilën thuhet se në dëshminë e tij, z. Mehmeti, ndër të tjera ka dhënë informacione që lidhen me vrasjen e kolonel Tahir Zemajt, si dhe të dy policëve hetues, Sebahate Tolajt dhe Isuf Haklajt, duke dëshmuar për motivet që çuan urdhërdhënësit për porositjen e këtyre vrasjeve, si dhe duke apostrofuar emra që mund të jenë të përfshirë në kryerjen e këtyre krimeve.

Ashtu si është tronditur mbarë opinioni publik, edhe familjet tona janë tronditur thellë nga deklaratat dhe pretendimet e këtij dëshmitari, njëherësh i dënuar për ‘Krime të kryera si pjesë e një grupi kriminal’, po ashtu i apostrofuar si pjesë e ndërmarrjes së krimeve ndaj familjarëve tanë Tahir, Hasan, Enis Zemaj, Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj. Por, ajo që na ka shqetësuar pa masë është dëshmia e tij në lidhje me neglizhencën e zyrtarëve të shtetit karshi deklaratave dhe pretendimeve të tij”, thuhet mes tjerash në deklaratën e këtyre tri familjeve.

Ata janë shprehur thellësisht të indinjuar që pavarësisht pretendimeve të dëshmitarëve të mundshëm që do të çonin në zbardhjen e këtyre vrasjeve, por edhe të shumë krimeve të tjera të kryera në Kosovë me motive politike.

“Prokurorët nuk kanë bërë sa duhet për ta përmbushur obligimin e tyre konform standardeve etike dhe profesionale, duke i lënë këto raste në mëshirën e fatit. Familjet tona ftojnë Prokurorinë e Shtetit që t’i marrë shumë seriozisht të gjitha pretendimet e këtij dëshmitari dhe dëshmitë e tjera eventuale dhe t’i trajtojë ato me seriozitet, në mënyrë që kryerësit e këtyre krimeve të marrin dënimin e merituar”.

Haliti: Drejtësia të veprojë

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, emri i të cilit u përmend se kishte qenë në listë për likuidim, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se nëse drejtësia kosovare nuk është e manipuluar, atëherë nuk do të duhet t’i anashkalojë këto deklarata.

“Nëse ka institucione të drejtësisë, ato duhet të merren me këtë rast. Nëse ka drejtësi të manipuluar, nuk merren me këtë punë. Me rëndësi është që duhet t’i ndriçojë të gjitha rastet dhe t’i dënojë fajtorët”, ka thënë Haliti.

Ai ka deklaruar se nuk e ka njohur më herët Mehmetin.

“Unë nuk e di e as nuk e njoh Shkumbin Mehmetin, as asnjë prej atyre që ka folur, kështu nuk mund të them asgjë për ata si njerëz”, ka theksuar Haliti.

Haradinaj, i befasuar nga mënyra e komunikimit të Mehmetit

Edhe kryeministri Ramush Haradinaj gjatë ditës së djeshme i ka komentuar deklaratat e Shkumbin Mehmetit, duke thënë se është befasuar nga mënyra e komunikimit të tij, mënyrë kjo që nuk parashihet me sistemin e drejtësisë.

“U habita me këtë mënyrë të komunikimit, një person nga burgu të japë një deklaratë të tillë. Një person nga burgu të japë një intervistë, diçka është e habitshme se nuk parashihet ashtu në sisteme të drejtësisë, nuk lejohet kjo”, ka thënë Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë. Ai shtoi se pasi kanë kaluar mbi 10 vjet që nga këto raste është dashur deri më tani të jepen rezultate e jo të bëhet siç e quan ai “spektakël medial”.

“Unë nuk e kam parë emisionin, por i dëgjova plot komente e reagime dhe jam habitur”, ka përfunduar Haradinaj.

Miftaraj: Të hetohen pretendimet e Mehmetit


Në anën tjetër Ehat Miftaraj, nga Instituti për Drejtësi në Kosovë, ka thënë që akuza të tilla përbëjnë shqetësim për familjarët e viktimave të luftës veçanërisht, por që ai shprehet pesimist lidhur me trajtimin e paanshëm që mund t’i bëhet këtij rasti.

“Akuzat e ngritura nga tanimë një i dënuar me 30 vjet burgim përbëjnë shqetësim për publikun në Kosovë dhe familjarët e viktimave të pasluftës. Pretendimet e tilla duhet të adresohen nga Prokurori i Shtetit, i cili duhet të dalë me një qëndrim dhe të informojë publikun nëse këto pretendime janë hetuar qoftë nga UNMIK-u, apo nga EULEX-i dhe me rezultatet lidhur me këto pretendime”, ka thënë Miftaraj.

Sipas tij, nëse këto pretendime nuk janë hetuar nga mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë, atëherë është obligim kushtetues dhe ligjor i Prokurorisë që t’i shqyrtojë, t’i analizojë dhe t’i hetojë pretendimet e tilla, në mënyrë që një gjë e tillë të përçojë te qytetarët e Kosovës, por edhe te familjarët e viktimave siguri dhe drejtësi.

“Po ashtu në një shtet normal ku sundon ligji dhe ku kemi një qeveri të bazuar në vlera dhe në qeverisje të mirë do të kërkonte sqarime nga EULEX-i lidhur me atë se si i kanë trajtuar këto pretendime”, ka potencuar ai.

Miftaraj gjithashtu tha se Kosova dhe qytetarët e saj kanë nevojë për siguri juridike, për zbardhjen e këtyre krimeve dhe për vënien para drejtësisë të personave që kanë kryer këto krime. Por ai shprehet pesimist se një gjë e tillë do të ndodhë, sepse “me këtë sistem të drejtësisë me Polici dhe me Prokurori politike, vështirë se do të ketë një hetim të pavarur dhe të paanshëm”, ka përfunduar ai.

Edhe njohësi i çështjeve juridike Anton Nrecaj konsideron se për të gjitha akuzat publike do të duhej që Prokurori i Shtetit t’i fillojë hetimet në lidhje me akuzat e supozuara.

“Ato akuza që u panë mbrëmë në medie janë sinjal se Prokuroria dhe institucionet tjera të drejtësisë janë të pafuqishme dhe të papërgjegjshme në zbatim të ligjit dhe të ushtrimit të detyrës publike që kanë”, ka thënë Nrecaj.

Ai e sheh këtë rast si një indikacion se një gjykatë speciale dhe një prokurori speciale me gjyqtarë të huaj është më se i nevojshëm në Kosovë.