Berisha: Ushtria, përmes ndryshimeve kushtetuese

Aktuale January 13, 2018 - 08:18

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është plotësisht e gatshme që të shndërrohet në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK).

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste dhënë Zëritministri i Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë së Kosovës Rrustem Berisha, i cili ka thënë se transformimi duhet të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese.

E meqë për të votuar pro ndryshimeve kushtetuese nevojiten edhe 2/3 e votave të komuniteteve joshumicë (duke përfshirë edhe Listën Serbe e cila po vazhdon ta kundërshtojë bërjen e ushtrisë), numri një i MFSK-së ka thënë se konsensusi politik, veçmas me Listën Serbe, mbetet sfidë më vete.

LEXO EDHE: Politikanë të liberalizuar, qytetarë të izoluar

Gjatë intervistës Berisha ka bërë të ditur se MFSK-ja shumë shpejt do ta dërgojë në Qeveri Projektligjin për Ushtrinë, më së largu deri në fund të muajit prill, shkruan tutje "Zëri".

9 vjet pas themelimit FSK-ja është e gatshme t’i marrë detyra e reja

Duke folur rreth faktit që Kosova tashmë po i bën 10 vjet shtet, megjithatë ende nuk e ka ushtrinë e saj, ministri Rrustem Berisha ka vlerësuar se FSK-ja është avancuar mjaft shumë përgjatë kësaj periudhe kohore.

“Republika e Kosovës më 17 shkurt shënon një dekadë të shtetësisë e të pavarësisë dhe krahas ngritjes së institucioneve bazë të shtetësisë Kosova ka punuar shumë edhe në themelimin, në ngritjen dhe në modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si institucion i ngritur dhe mbi bazën e standardeve të NATO-s, i këshilluar dhe i mbështetur nga mekanizmat e NATO-s, është i pranuar si partner nga shumë shtete anëtare të NATO-s (marrëveshje bilaterale me gjithsej 13 shtete)”, është shprehur ai.                                 

Andaj, FSK-ja është e gatshme t’i marrë detyra e reja në momentin që do të arrihet konsensusi politik, ka vazhduar Berisha.

“Gjithashtu, është me rëndësi të theksohet se nëntë vjet pas ngritjes së FSK-së institucioni është plotësisht operativ dhe i gatshëm të marrë mision dhe detyra të reja në përputhje me rekomandimet e dala nga Rishikimi Strategjik i Sektorit të Sigurisë së Kosovës dhe kjo do të ndodhë sa më parë të arrihet konsensusi politik i të gjithë faktorit politik vendor, duke përfshirë gjithsesi edhe përfaqësuesit e komuniteteve në institucionet më të larta të vendit”, ka potencuar ai.

Projektligji për Ushtrinë, shumë shpejt në Qeveri

Berisha tutje ka thënë se procesi i transformimit ka filluar pikërisht me miratimin e analizës së rekomandimeve të dala nga procesi i Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë për nevojën e zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse për Kosovën, analizë kjo e miratuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës në muajin maj të vitit 2014.

Andaj, nuk do të shkojë kohë e gjatë dhe Projektligji për Ushtrinë do të shkojë në Qeveri.

Kështu ka paralajmëruar ministri Berisha, i cili ka thënë se një gjë e tillë më së largu do të ndodhë deri në fund të muajit prill të këtij viti.

“MFSK-ja në koordinim dhe në asistencë të faktorëve relevantë ndërkombëtarë të pranishëm në Kosovë, si dhe me mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA-ja ka arritur që tanimë ta ketë  konceptin e plotë të transformimit programor nëpër faza deri në arritjen e kapaciteteve të planifikuara. Projektligji i ndryshimit dhe i plotësimit të ligjeve që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura të Kosovës do të dorëzohet në Qeverinë e Republikës së Kosovës më së largu deri më 31 prill dhe pastaj mbetet tek ekzekutivi ta shqyrtojë dhe ta dorëzojë në Parlament për t’ia dhënë mbështetjen e duhur dhe FSK-ja të transformohet në FAK”, ka nënvizuar ai.

Gjatë bisedës drejtuesi i Ministrisë së Forcës ka thënë se FSK-ja ka arritur të gjitha kapacitetet e plota operative që nga viti 2013 (sipas mandatit aktual kushtetues dhe ligjor, të deklaruara nga NATO-ja).

“Pas analizës së Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë dhe rekomandimeve të dala nga ky proces, FSK-ja ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme planifikuese dhe përgatitore. FSK-ja është e gatshme për transformim dhe pret vendimin politik për ndryshimet kushtetuese që të marrë përgjegjësi të reja në misionin e saj”, ka theksuar numri një i Ministrisë së FSK-së.

Konsensusi me Listën Serbe, sfidë për krijimin e ushtrisë

Berisha tutje ka thënë se kalimi i Forcës së Sigurisë në ushtri duhet të bëhet me anë të ndryshimeve kushtetuese.

“Me rëndësi është se FSK-ja i ka plotësuar kapacitetet e saj operative dhe tani pritet të ketë ndryshim të misionit. Përkushtimi ynë është që transformimi të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese”, ka vazhduar tutje ai.

Megjithatë, tashmë dihet se për të ardhur deri te transformimi duhen edhe 2/3 e votave të komuniteteve joshumicë. Me këtë rast i pari i MFSK-së ka vlerësuar se sfidë më vete mbetet arritja e konsensusit me këto komunitete, veçmas me deputetët e Listës Serbe, të cilët tash për tash janë kundër ushtrisë.

“Natyrisht që sfidë mbetet konsensusi politik me komunitetin joshumicë, sidomos me Listën Serbe,  për t’i votuar ndryshimet kushtetuese ashtu që edhe ata të jenë pjesë e kësaj vendimmarrjeje të rëndësishme për vendin dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim”, ka theksuar ai.

Mirëpo Berisha ka potencuar se transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës nuk do të jetë kundër asnjë komuniteti, përkundrazi do të jetë në interes të të gjithë qytetarëve të vendit.