Politikanë të liberalizuar, qytetarë të izoluar

Aktuale January 13, 2018 - 08:03

Derisa qytetarët e Kosovës vazhdojnë të presin dyerve të ambasadave të shteteve të Bashkimit Evropian (BE) për t’u pajisur me vizë schengen, kryeministri Ramush Haradinaj dhe bashkëshortja e tij Anita janë pajisur me pasaporta të Shqipërisë, me të cilat mund të lëvizin lirshëm në Evropë.

Haradinaj nuk është politikani i vetëm kosovar që është pajisur me pasaportë shqiptare, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Pasaporta të tilla posedojnë edhe shumë deputetë nga radhët e pozitës dhe të opozitës.

Haradinaj ka deklaruar dje se këtë pasaportë nuk do ta shfrytëzojë për të udhëtuar në BE, por e ka pranuar si nder që i është bërë nga Shqipëria.

LEXO EDHE: Ajri po vret!

"Vendimi për shtetësi të Shqipërisë është bërë me dekret të presidentit Nishani. Nuk do ta përdori për udhëtime pasaportën shqiptare sepse e kam pasaportën diplomatike. Shqetësimet e qytetarëve janë të arsyeshme sepse jemi të izoluar. Edhe unë e kam shqetësim këtë. Jemi duke bërë punë për të mundësuar liberalizimin e vizave, e cila është e lidhur me demarkacionin me Malin e Zi”, ka thënë Haradinaj, shkruan tutje "Zëri".

Haradinaj ka përsëritur se nuk do të heqë dorë nga kundërshtimi i versionit aktual të Marrëveshjes së Demarkacionit, i cili është kushti themelor i BE-së për liberalizimin e vizave, pasi tha se nuk do t’i fitojë vizat duke humbur territor.

Edhe deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se pajisja e kryeministrit me pasaportë të Shqipërisë nuk ndërlidhet me izolimin e qytetarëve. Sipas tij, nuk ka asgjë të keqe që kryeministri është pajisur me pasaportë shqiptare.

“Pajisja me pasaportë të Shqipërisë jo vetëm e kryeministrit, por e çdo qytetari të Republikës së Kosovës është diçka e mirë. Nuk ndërlidhen çështja e integrimit të vendit dhe pajisja me pasaporta. Unë konsideroj që Kosova duhet t’i kryejë obligimet sa më shpejt që t’i plotësojë kriteret për liberalizimin e vizave”, ka thënë Beqa.

Ai ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit (që është kushti themelor për liberalizimin e vizave), e konsideron të domosdoshëm.

“I domosdoshëm është përfundimi i çështjes së demarkacionit për të kaluar në hapin tjetër. Është obligim që brenda afatit sa më të shkurtër deri në tremujorin e parë të vitit të kalojë Demarkacioni. Është e padrejtë kushti i demarkacionit, por është në interes të qytetarëve që të ecet përpara”, ka thënë Beqa.

Ndërsa deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismajl Kurteshi, thotë se edhe politikanët kosovarët duhet të përballen me peripecitë e njëjta siç po përballen qytetarët.

Kurteshi bëri thirrje që të luftohet korrupsioni dhe detyrimisht të hiqet demarkacioni si kusht për liberalizimin e vizave.  

Ndërkaq njohësi i çështjeve politike Mazllum Baraliu ka thënë se është shqetësues fakti që qytetarët janë ende të izoluar, por nuk e sheh si vendim të keq që politikanët e Kosovës të marrin pasaporta të Shqipërisë.

Ai thotë se do të ishte mirë që qytetarët e Kosovës të kishin më shumë kërkesa për pasaporta shqiptare sesa serbe e bullgare, siç po ndodh.