Aktuale

Ajri po vret!

Ajri po vret!
13 janar 2018 • 07 : 54 Foto: Laura Hasani
Arbresha Berisha

Kosova po ngjitet në krye të listës së vendeve me ajrin më të ndotur në botë. Shkalla e ndotjes gjatë ditëve të dimrit është shumë e lartë dhe vlerësohet se paraqet rrezik për shëndetin e qytetarëve, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kosova renditet ndër vendet më të ndotura në botë, kjo pasi që niveli i ndotjes së ajrit në Prishtinë ditëve të fundit është shumë i lartë, gjë që ka shkaktuar edhe alarm sa i përket rrezikut për shëndetin e qytetarëve.

Madje së fundi ndërkombëtarët që kanë vizituar kryeqytetin janë parë duke vendosur maska në fytyrë për t’u mbrojtur sadopak nga ajri i ndotur, shkruan tutje "Zëri".

Image

Zyrtarë nga Komuna e Prishtinës thonë se ata kanë investuar në cilësinë e ajrit, ndërsa zyrtarë nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor ankohen se KEK-u është ndotësi më i madh.

Ambientalistët alarmojnë për nivelin e ndotjes së ajrit, ndërsa ka këndvështrime të ndryshme nga pulmologët rreth ndikimit të ajrit në shëndetin e njeriut.

Tahiri: Komuna e Prishtinës ka investuar në cilësinë e ajrit

Adonis Tahiri, zyrtar për komunikim në Komunën e Prishtinës, ka thënë për “Zërin” se Komuna ka vendosur matësit për ndotjen e ajrit, fillimisht në gjashtë pika, duke përfshirë kështu lagjet kryesore të qytetit dhe se siç thotë ai ka investuar në cilësinë e ajrit.

“Konstatimi i nivelit të ndotjes së ajrit bëhet me analiza më të hollësishme dhe në raportimet 3-6 mujore. Komuna ka investuar në përmirësimin e cilësisë së ajrit edhe përmes koogjenerimit të ‘Termokosit’, reformimit të Trafikut Urban, mirëmbajtjes dhe zgjerimit të hapësirave të gjelbra, mbjelljes së mbi 12.000 fidanëve dhe 1.200.000 luleve, e të ngjashme. Asnjë shkollë/çerdhe në komunën tonë nuk ngrohet me thëngjill”, ka thënë ai.

Sahiti: KEK-u, ndotësi më i madh i ajrit

Leutrim Sahiti, këshilltar politik i ministres së Mjedisit, Albena Reshitaj, ka thënë se kjo Ministri ka hartuar dhe ka aprovuar planin e aktiviteteve për përmirësimin e cilësisë së ajrit për periudhën vjeshtë-dimër 2017-2018 dhe është bërë identifikimi i ndotësve më të mëdhenj në kryeqytet.

“Ne jemi në koordinim të plotë me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për të rritur kontrollin e cilësisë së derivateve që importohen në Kosovë. Sigurisht që KEK-u është ndotësi më i madh i ajrit në Prishtinë dhe ne jemi në monitorim të nivelit të ndotjes që vjen nga KEK-u. Kemi fituar një projekt nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) nga i cili do të bëhet edhe vlerësimi i gjendjes së kaldajave dhe elektrofiltrave në TC ‘Kosova A’ e TC ‘Kosova B’, kurse TC ‘Kosova e Re’ do të ndërtohet sipas standardeve të Bashkimit Evropian, për të reduktuar ndotjen e ajrit që vjen nga termocentrali”, ka thënë ai.

“Zëri” ka tentuar të marrë një prononcim nga zyrtarë të KEK-ut, por ata nuk janë përgjigjur.

Pulmologu Baca: Ndotja ndikon negativisht në shëndet

Ditë më parë është raportuar se ndotja e ajrit ndikon në rritjen e numrit të sëmurëve me astmës bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive.

Pulmologu Skender Baca ka thënë për “Zërin” se ndonëse ndotja e ambientit ndikon në sistemin respirator, por nuk ndikon deri në atë fazë siç është propaganduar.

“Ndotja e ambientit ndikon në sistemin respirator, por jo në atë fazën e cila është alarmuar që është propaganduar në masmedie, dezinformatë që shkakton mëdyshje te qytetarët e Kosovës se kemi të bëjmë me ndonjë epidemi apo helmime. D.m.th. lajmërohen pacientët për shkak të komplikimeve të infeksioneve virusale dhe natyrisht edhe ndotja e ambientit e ka një përqindje, por ajo përqindje është diku 10 për qind d.m.th. që ndikon në rritjen e numrit të tërësishëm të pacientëve gjatë muajve të vitit”, ka thënë ai.

Bektashi: Cilësia e ajrit, serioze

Agron Bektashi, ekspert i mjedisit, ka thënë se ndotja e ajrit është shumë serioze dhe kjo është rezultat i zhvillimit të pakontrolluar në sektorin industrial, të trafikut enorm, urbanizmit dhe planifikimit joadekuat hapësinor, etj.

Sipas tij, janë marrë pak veprime në lidhje me zbutjen e këtij problemi.

“Asnjë qeveri e Kosovës qysh nga viti 1999 nuk është marrë më seriozisht me problemin e ndotjes së ajrit në Prishtinë dhe në regjion. Institucionet relevante kanë punuar më shumë në kornizat legjislative, por aplikimi i ligjeve, dënimet, monitorimet dhe inspektimet shumë pak janë zbatuar”, ka thënë Bektashi për “Zërin”.

Ai ka përmendur edhe disa masa të cilat siç urgjentisht duhet të merren nga Qeveria e Kosovës.

“Shtimi i stacioneve të monitorimit të kualitetit të ajrit posaçërisht në pikat më frekuentuese në qytet, afër zonave industriale, bizneseve të mëdha, ngrohtores së qytetit etj.; ndërrimi, përmirësimi, modernizimi i filtrave në oxhaqet e TC ‘Kosovës A’ dhe TC ‘Kosovës B’. Bashkëpunimi më i ngushtë dhe konkret i Komunës së Prishtinës me operatorë dhe ndotës të mëdhenj ekonomikë (KEK-u, ‘Pastrimi’, ‘Termokosi’, Kompania për Menaxhimin e Deponive, etj), me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe me Ministrinë e Bujqësisë, me qëllim të zgjidhjeve të problemeve dhe dakordimit të hapave në zbutjen e ndotjes së ajrit”, ka shtuar ai.

Krasniqi: Në Kosovë po ndodh krim ekologjik

Arif Krasniqi, kryetar i Partisë Ekologjike të Kosovës, ka thënë se aktualisht në mjedis ka ndodhur një atak apo një krim ekologjik dhe Ministria e Ambientit duhet t’i tregojë strategjitë për përmirësimin e nivelit të ndotjes.

“Ministria e Ambientit nuk duhet të na përshkruajë gjendjen momentale të ndotjes, por duhet treguar se cila është strategjia e tyre për përmirësimin e nivelit të ndotjes në Kosovë. Edhe më tutje gjeneratorët e ndotjes mbesin të njëjtit, duke shtuar gjatë sezonit dimëror edhe përdorimin e thëngjillit e druve për ngrohje shtëpiake. Në veçanti thëngjilli që blihet në tregun e zi, i cili nuk duhet fare të përdoret në amvisëri dhe në ngrohje shtëpiake”, ka thënë ai.

Image

© zëri.info