Në prill dorëzohet Projektligji për Ushtrinë

Aktuale January 12, 2018 - 07:53

Më 17 shkurt bëhen 10 vjet prejse Kosova është shpallur shtet i pavarur dhe sovran, mirëpo ende as pas një dekade nuk e ka formuar ushtrinë e saj, shkruan Zëri.Info.

Pavarësisht kësaj, nga Ministria e Forcës dhe e Sigurisë së Kosovës (MFSK) kanë bërë të ditur për “Zërin” se më së largu deri në fund të muajit prill të këtij viti Qeverisë do t’i përcillet Projektligji i ndryshimit dhe plotësimit të ligjeve që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK). Me këtë rast MFSK-ja ka bërë të ditur se FSK-ja është plotësisht e gatshme që të shndërrohet në ushtri.

Mirëpo ekspertët e çështjeve ushtarake konsiderojnë se një gjë e tillë nuk do të mundë të ndodhë shpejt, meqë tashmë është shndërruar në një proces të komplikuar. Ndërkohë, për t’i hapur rrugën ushtrisë pro ndryshimeve kushtetuese duhet të votojnë edhe 2/3 e deputetëve të komuniteteve joshumicë (duke përfshirë këtu edhe deputetët e Listës Serbe, të cilët deri më tash kanë qëndrim “kundër”).

 Megjithëkëtë, ndonëse ekspertët problemin e shohin pikërisht te kjo çështje ish-komandantët e UÇK-së, tash deputetë, konsiderojnë se problemi kyç nuk është këtu. Përkundrazi, sipas tyre, zvarritja e këtij procesi ka ardhur si pasojë e pazotësisë së institucioneve të Kosovës që të bashkëveprojnë dhe të koordinohen me partnerët strategjikë.

Berisha: FSK-ja, e gatshme për transformim

 Rrustem Berisha, ministër i Ministrisë së Forcës dhe i Sigurisë së Kosovës, ka vlerësuar për gazetën “Zëri” se përgjatë 10 vjetëve pas shpalljes së pavarësisë Kosova ka punuar dukshëm drejt ngritjes së FSK-së. “Republika e Kosovës më 17 shkurt shënon një dekadë të shtetësisë e të pavarësisë dhe krahas ngritjes së institucioneve bazë të shtetësisë Kosova ka punuar shumë edhe në themelimin, në ngritjen dhe në modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si institucion i ngritur dhe mbi bazën e standardeve të NATO-s, i këshilluar dhe i mbështetur nga mekanizmat e NATO-s, është i pranuar si partner nga shumë shtete anëtare të NATO-s”, ka deklaruar ai për gazetën “Zëri”.

Tutje Berisha ka thënë se thënë se FSK-ja tashmë është e gatshme që të shndërrohet në ushtri. Me këtë rast ai ka bërë të ditur se Projektligji për Formimin e Ushtrisë do t’i dorëzohet Qeverisë më së largu deri në fund të muajit prill të këtij viti. “Projektligji i ndryshimit dhe plotësimit të ligjeve që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura të Kosovës do të dorëzohet në Qeverinë e Republikës së Kosovës më së largu deri më 30 prill dhe pastaj mbetet tek ekzekutivi ta shqyrtojë dhe ta dorëzojë në Parlament për t’i dhënë mbështetjen e duhur dhe FSK-ja të transformohet në FAK”, ka nënvizuar Berisha.

 Qehaja: Edhe pas 10 vjetësh nuk e kemi ushtrinë, ky është një absurd

 Nga ana tjetër eksperti ushtarak Ramadan Qehaja ka përmendur faktin kur para tri vjetësh komandanti i KFOR-it kishte deklaruar se FSK-ja është e gatshme të shndërrohet në ushtri, mirëpo për shkaqe politike një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Me këtë rast Qehaja një gjë të tillë e ka cilësuar si diçka absurde. “Domethënë, edhe pas 10 vjetëve të pavarësisë së Kosovës dhe 18 vjet pas çlirimit nuk i kemi Forcat e Armatosura të Kosovës, gjë që është një absurd i llojit të vet”, ka thënë ai.

Ndërkohë përpos bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka kërkuar mosngutësinë në këtë proces, nuk ka pasur gatishmëri as nga klasa politike për të ndërmarrë hapa drejt bërjes së ushtrisë. “Është një proces mjaft i komplikuar për shkak të disa faktorëve, edhe atyre politikë, edhe mosgatishmërisë sonë që ta bëjmë një gjë të tillë. Serbia zyrtare ka arritur ta shpjegojë në arenën ndërkombëtare se formimi i FAK-ut do ta rrezikonte sigurinë rajonale, që është një absurditet sepse një forcë prej 5 mijë njerëzve të rrezikojë sigurinë rajonale është e pakuptimtë. Por ja që ata deri diku kanë arritur që këtë mendim ta shtrijnë në shumë shtete”, është shprehur ai gjatë një bisede për “Zërin”.   

Sipas tij, tash Kosova gjendet në atë pozitë që për t’i hapur rrugë bërjes së ushtrisë (për t’i votuar ndryshimet kushtetuese) nevojiten 2/3 e votave të komuniteteve joshumicë.  Qehaja tutje ka thënë se ushtria do të mundë të bëhej edhe me anë të një ligji (që FSK-ja të avancohej), porse një gjë të tillë nuk po e lejon bashkësia ndërkombëtare. 

Quni: Moskrijimi i ushtrisë, pasojë e pazotësisë së institucioneve

 Megjithatë Anton Quni, ish-komandant i luftës së Koshares, tashmë deputet i LDK-së, ka vlerësuar se moskrijimi i ushtrisë ka të bëjë me pazotësinë e institucioneve të Kosovës për t’u koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare më shumë sesa me qëndrimin (kundër) të deputetëve të Listës Serbe. “Krijimi i Ushtrisë së Kosovës si proces është iniciuar në disa raste nga autoritetet e ndryshme të institucioneve të Kosovës, por që nuk ka pasur epilog pozitiv. Tentimet e njëpasnjëshme, të cilat nuk kanë finalizim të procesit, po e krijojnë një mit se krijimi i ushtrisë së Kosovës është peng i vullnetit të disa deputetëve serbë. Në fakt, ky proces është pazotësi e institucioneve të Kosovës që të bashkëveprojnë dhe të koordinohen me partnerët tanë strategjikë në fushën e ngritjes së kapaciteteve ushtarake”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

 Maloku: Më 2013-n u shua shansi për bërjen e ushtrisë

 Ndërkaq Naim Maloku, ish-oficer i lartë i UÇK-së, është shprehur i bindur se as përgjatë këtij mandati të Qeverisë nuk do të ketë ushtri. Sipas tij, finalizimi i këtij procesi nuk është aspak i lehtë. “Është çështje shumë e komplikuar, për shkak se është shuar shansi në vitin 2013 për formimin e ushtrisë kur ka pasur gatishmëri nga deputetët serbë të asaj kohe që t’i bëjnë ndryshimet kushtetuese. Faktori ndërkombëtar kërkon që kjo të kalohet  përmes ndryshimeve kushtetuese, ndryshimet kushtetuese do të jenë të kushtëzuara prej Listës Serbe, e cila praktikisht është e dirigjuar nga Beogradi”, është shprehur ai.

 Kurse njohësi i çështjeve të sigurisë Avni Islami ka vlerësuar se çështja e ushtrisë ka mbetur pezull për shkak të zhvillimeve politike. Sipas tij, për një gjë të tillë duhen edhe 2/3 e votave të minoriteteve e ku Lista Serbe është problemi kyç për mosbërjen e ushtrisë.

“Varet nga serbët lokalë të Kosovës, dihet që Lista Serbe e përkrah politikën e Beogradit dhe po del që shndërrimin e FSK-së e ka në dorë Beogradi. Në anën tjetër, bashkësia ndërkombëtare thotë se pa ndryshimet kushtetuese nuk është i vlefshëm shndërrimi i FSK-së në FAK”. ka shtuar ai.

Anton Quni, ish-komandant i luftës së Koshares, tashmë deputet i LDK-së, ka vlerësuar se moskrijimi i ushtrisë ka të bëjë me pazotësinë e institucioneve të Kosovës për t’u koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare më shumë sesa me qëndrimin (kundër) të deputetëve të Listës Serbe.