Kryeministri me bashkëshorte fitojnë lirinë e lëvizjes e qytetarët mbesin ende të izoluar

Aktuale January 11, 2018 - 19:01

Pasaporta e Kosovës është një nga pasaportat më të pavlefshme në botë, duke u renditur vetëm pas pasaportës së Palestinës, duke u pamundësuar qytetarëve që të lëvizin lirshëm. Në fakt, kosovarët janë të vetmit në Ballkan që nuk mund të udhëtojnë me pasaportat e tyre, pa u pajisur për vizë.

Liberalizimi i vizave për kosovarët ka mbetur peng i mos ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, një proces i cili kundërshtohet nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

Por vet Haradinaj tashmë e ka zgjidhur këtë problem. Ai është pajisur me pasaportën e shtetit të Shqipërisë, që i mundëson atij lëvizjen e lirë. Bashkë me kryeminsitrin këtë problem e ka zgjidhur edhe bashkëshortja e tij, prezantuesja e lajmeve Anita Haradinaj.

LEXO EDHE: Ja me pasaportën e cilit shtet krenohet gruaja e kryeministrit

Qytetarët e pajisur me pasaportën e Shqipërisë mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

Por qytetarët e vendit që i udhëheq Haradinaj mbesin ende të izoluar, në pritje të ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi. Me ardhjen e Haradinajt në krye të Qeverisë, u shkarkua Komisioni për Shënjimin e Kufirit, duke hartuar një raport përmes së cilit pretendojnë se marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Malit të Zi për kufirin është e jashtëligjshme.

Qeveria Haradinaj ka proceduar këtë marrëveshje së bashku me raportin e këtij komisioni që hedhë poshtë këtë marrëveshje, në Kuvendin e Kosovës. Ende nuk është caktuar ndonjë seancë për votimin e kësaj marrëveshje.