Fajon: Topi për liberalizimin e vizave tek politikanët e Kosovës

Aktuale January 11, 2018 - 17:50

Raportuesja në Parlamentin Evropian për çështjen e regjimit të vizave për Kosovën, Tanja Fajon ka thënë për Radion Evropa e Lirë se është vështirë të shënohen përparime në Bruksel sa i përket liberalizimit të vizave, nëse nuk arrihet ndonjë përparim përbrenda Kosovës.

Ajo tha se topi tani ndodhet te politikanët e Kosovës, duke shpresuar se do të ketë një atmosferë pozitive në Kuvendin e Kosovës, sa i përket ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi.

“Në Bruksel jemi të vetëdijshëm se me siguri që ekzistojnë edhe këto dy kushte – përmbyllja e çështjes së demarkacionit dhe natyrisht luftimi i korrupsionit. Çdo hap përpara dhe çdo përpjekje nga ana e politikanëve në Prishtinë do të jetë i vlefshëm për neve që në Parlamentin Evropian të kërkojmë votimin ose që të punojmë së bashku që sa më shpejt Kosovës t’i mundësohet heqja e vizave”, ka thënë ajo.

Fajon tha, po ashtu, se e kupton se sa i rëndësishëm është për Kosovën liberalizimi i vizave. Por, ka ritheksuar se pa përparime rreth dy kritereve të mbetura është vështirë të priten lëvizje në Bruksel.

Eurodeputetja Fajon ka tërhequr vërejtjen se nuk ekziston hapësirë që në rastin e Kosovës “të mbyllet njëri sy’ por edhe për faktin se në Kosovë, deri më tani nuk ka pasur alternativë tjetër, për të cilën të gjithë do të pajtoheshin.

“E dimë se si është gjendja në BE, kushtet janë kushte. Disa herë kemi kërkuar nga politikanët në Prishtinë ta dimë nëse kanë ndonjë alternativë, rreth të cilës pajtohen, por kjo deri më tani nuk ka ndodhur. Kam frikë se nëse nuk kemi ndonjë rezultat, atëherë edhe në Bruksel nuk do të kemi ndonjë atmosferë pozitive për të biseduar më tutje”, theksoi Fajon.

Ajo ka shtuar se është e sigurt që të gjithë në Kosovë e kanë qëllimin e njëjtë, që regjimi pa viza të mundësohet sa më shpejtë.

“Natyrisht që këtë do ta kërkojmë në Bruksel kur të kemi, jo alternativën, por së pari zgjidhjen për kufirin, si dhe luftën kundër korrupsionit. Në qoftë se këto janë të pamundura, atëherë të bisedohet bashkërisht, se cila do të ishte alternativa”, ka thënëTanja Fajon.