Aktuale

Nisma për Kosovën po rritet, ja cila parti i është bashkuar!

Nisma për Kosovën po rritet, ja cila parti i është bashkuar!
11 janar 2018 • 16 : 17

Partia Vatra e cila përfaqëson qytetarët e Luginës së Preshevës nga e mërkura aktivitetin e saj do ta ushtrojë në kuadër të NISMA për Kosovën. Me bashkimin e saj, NISMA për Kosovën do të përfaqësohet në Kuvendin Komunal të Gjilanit me katër këshilltarë.  Me rastin e këtij aderimi është vlerësuar se përderisa partitë e tjera po shemben, NISMA po rritet çdo ditë e më shumë.

Këtë e kanë bërë të ditur në një konferencë për medie kryetari  i NISMA për Kosovën në Gjilan njëherësh edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe kryetari i VATRA, Kushtrim Kadriu.

Hasani me këtë rast ka theksuar se kjo është një ditë shumë e rëndësishme për NISMA-në.

Ai ka treguar se kjo parti tashmë në Kuvendin Komunal të Gjilani do të përfaqësohet me katër këshilltarë. Hasani ka premtuar mbështetje më të madhe për qytetarët e Luginës së Preshevës.

“Sot është një ditë e rëndësishme për NISMA-në,  sepse nga sot partia Vatra e ka gjetur veten dhe aktivitetin e saj politik do ta ushtrojë nën ombrellën e NISMËS. Kjo për neve është shumë e rëndësishme dhe mendojmë që ne si parti kemi dhënë sinjale të forta në drejtim të mbështetjes së qytetarëve këndej dhe andej kufirit. Nga sot kemi përgjegjësi shtesë që të jemi zë edhe më i fuqishëm në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Luginës”, ka thënë Hasani.

Ai po ashtu ka paralajmëruar se radhët e NISMA-së do të shtohen edhe më shumë sepse gjatë javës së ardhshme do t’i bashkëngjiten edhe shumë intelektual.

“Ju po i shihni zhvillimet e  fundit, aderimet e fundit, Gjilani dhe Anamorav janë detektorët e parë që I hetojnë zhvillimet e mëdha. Këto ditë kemi pasur aderimin e disa intelektualëve, doktorëve të shkencave dhe gjatë javës tjetër do të bëhen publike edhe disa aderime të reja. Nisma bën përfaqësimin e  dinjitetshëm  të qytetarëve të Kosovës. Lëvizjet e fundit janë edhe në bazë të punës në dikasteret që ne i drejtojmë. Derisa të tjerët po shemben Nisma po ndërtohet, fuqizohet dhe po ecë me hapa të sigurt drejt një partie të madhe. Besojmë që tani do të kenë hapësirë që të gjitha idetë e mira për qytetarët e Luginës dhe Kosovës t’i shprehni përmes subjektit tonë politik”, ka shtuar Hasani.

Ndërsa, kryetari i VATRA-së, Kushtrim Kadriu ka thënë se e kanë gjetur veten tek programi i NISMA për Kosovën. Ai ka thënë që NISMA që nga themelimi i saj ka qëndruar afër qytetarëve të Kosovës Lindore.

“Ne kemi vendosur që nga sot do të jemi një trupë e përbashkët e cila do të punojnë në ngritjen dhe zgjidhjen e problemeve të qytetarëve të Kosovës Lindore,  forcimin e kauzës të shqiptarëve të Kosovës  Lindore, të atyre që jetojnë në Kosovë, zgjidhjen e problemeve si dhe ofrimin e asistencës”, ka thënë ai.

Ne e kemi gjetur vetën në programin e Nismës dhe Nisma që nga themelimi ka qëndruar afër qytetarëve të Kosovës Lindore. Do të jemi një trup i përbashkët që do të punojnë në vazhdimësi. Ne besojmë në konceptin politik, besojmë në liderin e Nismës zotëri Limaj, besojmë në ministrin Hasani që të gjitha kauzat që i kemi ngritur deri më tani tu japim një zgjidhje të shpejtë dhe efikase dhe mbi  të gjitha që shqiptarët e Luginës që jetojnë në Republikën e Kosovës të mos dallohen nga  shqiptarët e Kosovës por të bëhen një”, ka thënë ai.

© zëri.info