Shala Veselit: LDK-ja s’ishte iniciatore e Gjykatës Speciale

Aktuale January 11, 2018 - 11:16

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e LDK-së, Kujtim Shala, konsideron se partia e tij e ka për obligim që të mos e largojë vendin nga rruga properëndimore.

Në një intervistë dhënë për Gazetën Express, Shala komenton deklaratat e kryeparlamentarit Kadri Veseli se LDK-ja po u gëzohet arrestimeve që do t’i kryejë Gjykata Speciale, mosdhënien e vizës nga SHBA-ja që kryeministri të shkojë për vizitë në shtetin e Iowa-s, si dhe për mundësinë e inicimit të një mocioni për rrëzimin e Qeverisë "Haradinaj".

Kemi një kryeministër të cilit SHBA-ja nuk i lëshoi vizë për të shkuar në një aktivitet në shtetin e Iowa-s ku ishte i ftuar. Këso rasti në Kosovë kemi për herë të parë, pra shefit të Qeverisë nuk i mundësohet shkuarja në shtetin që konsiderohet më miqësori nga kosovarët. Si do të reagojë LDK-ja si opozitë ndaj këtij refuzimi?

K. Shala: Siç konstatuat edhe ju, është hera e parë që kemi një situatë të tillë, sepse është hera e parë që kemi një refuzim të tillë. Për fat të keq, refuzimi i tillë e atakon drejtpërdrejt funksionin e kryeministrit dhe është i dëmshëm jo vetëm për kryeministrin. Mendoj se përfaqësuesit politikë dhe drejtuesit e institucioneve të Kosovës duhet të jenë të matur e të kujdesshëm. Refuzimi i tillë duket të jetë pasojë e një numri veprimesh të pamatura të kryeministrit dhe të Qeverisë që nga dita e parë e mandatit.

A e konsideroni idenë e mocionit?

K. Shala: Për një gjë të tillë duhet të kemi mbështetje të mjaftueshme, d.m.th. duhet ta kemi shumicën. Mendoj se do të mbërrijmë edhe në atë pikë, kur kemi parasysh që shumica është shumë e ndarë lidhur me çështjet dhe politikat themelore të vendit dhe kjo edhe Qeverinë e bën jofunksionale.

Për çfarëdo nisme opozitare, juve ju duhet edhe ndihma e VV-së. A keni koordinim me këtë parti?

K. Shala: Nuk mund të them që ne jemi një opozitë e strukturuar mjaftueshëm, sepse edhe ne dallojmë lidhur me shumë çështje. Por, jemi një opozitë e fuqishme politikisht, gjë që dëshmohet edhe me numrin e deputetëve në Kuvend. Me Lëvizjen Vetëvendosje kemi komunikim si me një subjekt opozitar, ashtu siç jemi edhe ne, dhe, në disa raste, kemi arritur që të koordinohemi dhe të bashkëpunojmë në dobi të zgjidhjeve më të mira dhe të interesit publik.

A shihni mundësi bashkëpunimi të efektshëm me Vetëvendosjen të përçarë nga brenda?

K. Shala: Mendoj se do të jetë më e vështirë, por duhet të presim dhe të shohim se si do të rrjedhin gjërat. Ne, edhe më tutje, do të jemi të përkushtuar dhe do të ofrojmë bashkëpunim për çështje të rëndësisë nacionale dhe të interesit të përbashkët, me qëllim që të ndihmojmë që gjërat të shkojnë në rrugën e duhur.

Si i komentoni akuzat që i bëri kryeparlamentari Veseli, në shkrimin e tij autorial ndaj LDK-së, ku thotë se partia juaj po i gëzohet ekzistencës së Gjykatës Speciale?

K. Shala: LDK-ja e ka sqaruar disa herë qëndrimin saj lidhur me këtë çështje. LDK-ja nuk ka qenë iniciatore dhe as që ka mund të jetë. Gjykata Speciale ka qenë dhe është përtej fuqisë sonë. LDK-ja Gjykatën Speciale e konsideron si një mekanizëm arbitrar e që nuk mund të zhbëhet tani. Ashtu siç ka qenë e pamundur të mos bëhej. Është shumë e qartë se ky mekanizëm është një nga kushtet themelore për Kosovën në rrafshin e mbështetjes dhe të partneritetit ndërkombëtar. Çdo veprim që nuk e merr parasysh këtë fakt, mund të jetë tepër i dëmshëm për interesin e Kosovës. Kështu që, edhe përpjekjet për ta zhbërë, mund të sjellin konsekuenca të paparashikueshme.

LDK-ja vazhdon ta shohë si jetik bashkëpunimin me miqtë tanë, me garantuesit e shtetit tonë. LDK-ja është forca politike që nuk mund të lëvizë nga ky pozicion, sepse e ka autorësi në projektimin dhe themelimin e shtetit tone, si dhe vetëdijen se si është krijuar ai. LDK-ja është subjekti politik, të cilit i takon që ta mbajë Kosovën në rrugën e integrimit perëndimor. Prandaj, është tepër e paarsyeshme që nga LDK-ja të kërkohen qëndrime që bien ndesh me këtë vetëdije dhe me këtë përcaktim. Është e rëndësisë jetike që të jemi të qëndrueshëm dhe të besueshëm në përcaktimet tona themelore.

Po ashtu, çdo interpretim që fajëson, pa asnjë dëshmi dhe pa të drejtë, një subjekt politik lidhur me këtë çështje, është tepër i dëmshëm për raportet politike në vend.

Ne nuk guxojmë të kthehemi vite prapa e të përsërisim akuza që nuk qëndrojnë. Kemi pasur përparim në rrafshin e bashkëpunimit politik dhe mendoj se LDK-ja e ka pasur rolin kryesor, pa e mohuar përkushtimin e subjekteve të tjera politike. Bashkëpunimi për çështjet themelore dhe kundërshtitë politike për zgjidhjet, me qëllim që çështjet të adresohen sa më mirë, janë kushti i një vendi demokratik, si dhe mundësia jonë.

Po ashtu, mendoj se edhe rezultati i zgjedhjeve të fundit, në të cilat LDK-ja u konfirmua si subjekti politik më i madh në vend, e dëshmon se LDK-së nuk i duhet kurrfarë gjykate që të jetë fituese. I duhet vetëm punë, qartësi dhe shumë bashkëpunim.

A po ju pengon epiteti i tillë "Pro gjykimit të UÇK-së" të cilin LDK-ja e ka marrë nga një pjesë e skenës politike?

K. Shala: Mendoj se përgjigjen e kësaj pyetjeje e kam dhënë në përgjigjen paraprake.

Ju si nënkryetar i Kuvendit a keni ndonjë informatë se çka pritet të ndodhë me seancën e jashtëzakonshme, të kërkuar nga 43 deputetë për zhbërjen e Speciales? Në fakt, a do të mbahet fare një seancë e tillë?

K. Shala: Siç e dini, Kuvendi është në periudhë pushimi, deri më 15 janar, dhe ne nuk kemi asnjë informacion lidhur me këtë çështje. Por, me sa kemi parë ditëve të fundit, ka një lloj tërheqjeje të Qeverisë dhe të kryetarit të Kuvendit nga kjo nismë. Kjo ka rëndësi të veçantë, meqë kryeministri dhe kryetari i Kuvendit janë kryetarë të subjekteve politike, deputetët e të cilave janë prapa kësaj nisme. Kjo çështje është e natyrës politike, ndërsa për nga ana procedurale nuk përbën ndryshim nga çështjet e tjera që i trajton Kryesia e Kuvendit.