Referendumi për demarkacionin, i pamundur

Aktuale January 11, 2018 - 08:11

Propozimi i zëvendëskryeministrit Dardan Gashi që çështja e demarkacionit me Malin e Zi të zgjidhet nëpërmjet një referendumi nuk përkrahet nga askush. Deputetët e koalicionit qeverisës, opozita, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se kjo ide është e pamundur të realizohet, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Derisa Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi tashmë është duke kaluar në procedurat e komisioneve parlamentare (në mënyrë që të procedohet në seancë të Kuvendit të Kosovës), zyrtarë të lartë të Qeverisë kanë propozuar që të vendoset nëpërmjet një referendumi për këtë çështje, kjo meqë vetëm me anë të referendumit mund të arrihet një zgjidhje.

Mirëpo, përfaqësuesit e partive opozitare kanë vlerësuar për gazetën Zërise me propozimet e tilla për referendum po tentohet vetëm që të blihet kohë.

Kjo pasi që, siç thonë ata, Qeveria duhet të ofrojë zgjidhje e jo propozime rreth kësaj çështjeje.

LEXO EDHE: Tre liderë, shumë qëndrime!

Ndërkaq njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se ideja e referendumit për demarkacionin aktualisht është e pamundur të realizohet dhe rekomandojnë që zgjidhja e Marrëveshjes së Demarkacionit duhet të vijë nga një konsensus politik, ngase çdo tentativë tjetër vetëm e stërzgjat finalizimin e kësaj marrëveshjeje, shkruan tutje "Zëri".

Gashi: Referendum për demarkacionin

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Diasporës, Dardan Gashi, nëpërmjet një opinioni të botuar në medie thotë se po i shpreh pikëpamjet e tij personale, ka vlerësuar se Marrëveshja e Demarkacionit tashmë është kthyer në një mollë sherri mes Kosovës dhe palës ndërkombëtare.

LEXO PO ASHTU: Kurti pa kundërkandidat, vazhdojnë dorëheqjet

Për këtë arsye Gashi ka kërkuar të shpallet referendum për çështjen e demarkacionit.

“Mosaftësia për t’i dhënë udhë kufirit me Malin e Zi solli skena trishtuese në Kuvend e në rrugët e kryeqytetit, arrestime e dënime deputetësh, rrëzimin e një qeverie bashkë me përfaqësuesit e popullit dhe zgjedhjen e një kuvendi e qeverie të re. Por, prapëseprapë demarkacioni po qëndron palëkundshëm si mollë sherri mes nesh këtu në Kosovë dhe mes nesh e miqve në BE dhe në SHBA. Kush duhet t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje kur përfaqësuesit e popullit janë të pazotë ose të pavullnetë t’i japin? Populli vetë, sovrani - me referendum”, është shprehur zëvendëskryeministri Gashi në një shkrim autorial.

Gashi tutje ka thënë se Kuvendi i Republikës së Kosovës në bazë të Kushtetutës së Republikës ka të drejtë të thërrasë referendum.

Kadriaj: Nuk ka vendim tjetër për demarkacionin

Megjithatë deputetja e partisë së kryeministrit Haradinaj (AAK), Time Kadriaj, ka thënë për “Zërin” se ende nuk ka kurrfarë vendimi sa i përket demarkacionit.

“Çështja e demarkacionit është në Kuvend, në komisionet parlamentare dhe pritet të shqyrtohet të hënën. Nuk ka ndonjë vendim tjetër pos respektimit të procedurave të rregullta, procedurë e rregullt është që të kalojë ose të mos kalojë në Komisionin Parlamentar, të procedohet në Kuvendin e Kosovës. Për çfarëdo marrëveshje vendosin deputetët”, është shprehur ajo.

Kadriaj nuk ka dashur të flasë rreth asaj nëse referendumi është zgjidhja e duhur, ashtu siç deklaroi gjatë ditës së djeshme zëvendëskryeministri Dardan Gashi.

Lajçi: Qeveria ka bërë lojëra me demarkacionin

Kurse deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Ali Lajçi, ka thënë se do të ishte mirë sikur çështjet e mëdha të shkonin në referendum, porse nuk ekziston kjo e drejtë.

“Po ta kishim pasur të drejtën e referendumit ne do të ishte më së miri që punët e mëdha siç janë këto të binin në dorë të vetë sovranit, te qytetarët e Republikës”, ka deklaruar ai.

Megjithatë Lajçi ka thënë se një propozim i tillë nga ana e zyrtarëve të Qeverisë është bërë për të blerë kohë, meqë Qeveria vazhdimisht ka bërë lojëra sa i përket çështjes së demarkacionit.

“Qeveria ka bërë lojëra e fizkultura sa herë. Është dashur të vijë në Kuvend dhe të refuzohet. Kur të bie ai variant, të merren me variantin real të vijës kufitare”, ka shtuar ai.

Kusari-Lila: Propozimi për referendum, tentim për të blerë kohë

Kurse deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Qeveria duhet të ofrojë zgjidhje për demarkacionin e jo ende të dalë me propozime sa i përket kësaj çështjeje.

“Nuk kisha dashur ta komentoj. Mendoj që në këtë rast Qeveria duhet të vijë me zgjidhje dhe jo me propozime për zgjidhje. Këto do të duhej të ishin propozime që kanë qenë pjesë e diskutimit të tyre para se të bëhet koalicioni”, ka deklaruar ajo.

Sipas Kusari-Lilës, deklaratat e tanishme siç është ajo e zëvendëskryeministrit Gashi bëhen vetëm për të blerë kohë, jo për tjetër.

“Tash individualisht zërat nga Qeveria që propozojnë zgjidhje për demarkacionin janë kohë e humbur apo vetëm tentim për të blerë kohë në raport me mosmundësinë e zgjidhjes që u takon atyre”, ka theksuar ajo.

Alija: Referendumi s’mund të realizohet në rrethanat aktuale

Nga ana tjetër Rasim Alija, hulumtues në organizatën joqeveritare “Demokraci për Zhvillim” (D4D), ka vlerësuar se ideja e referendumit për demarkacionin aktualisht nuk është e mundur të realizohet.

“Duke e ditur që pozicioni i tashëm në koalicion i Gashit si zëvendëskryeministër është krejt i papërfillshëm, edhe deklaratat e tilla janë komplet të parëndësishme për nga pesha politike. Ideja e referendumit në këso rrethanash ku gjendet Kosova është e pamundshme të realizohet”, është shprehur ai.

Sipas tij, çështja e demarkacionit është kthyer në një betejë kalkulimesh politike në dëm të Republikës së Kosovës.

“Krejt çka mbetet në fund të ditës është një koalicion me qëndrime të kundërta rreth demarkacionit, i pavendosur t’i japë zgjidhje dhe të marrë vendime të mëdha, siç e patën ndërtuar kauzën e rrëzimit të Qeverisë së kaluar”, ka shtuar ai.

Ismajli: Zgjidhja e demarkacionit duhet të vijë përmes konsensusit politik, jo referendumit

Ndërkohë profesori i shkencave politike, Dashnim Ismajli, ka vlerësuar se kërkesa që të shpallet referendum për demarkacionin nuk është fare e arsyeshme.

“Shkrimi i zëvendëskryeministrit Gashi është më shumë tentativë që tregon paaftësinë e institucioneve politike dhe natyrisht edhe një metodë e paarsyeshme dhe tejet e panevojshme për ta shfajësuar Qeverinë në raport me qytetarin. Kosova ka sistemin politik të saj, demokracinë parlamentare dhe kjo duhet të kalojë përmes Parlamentit, siç ka bërë edhe pala tjetër, domethënë Mali i Zi”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, zgjidhja e Marrëveshjes së Demarkacionit duhet të vijë nga një konsensus brenda partive politike, ngase çdo tentativë tjetër vetëm e stërzgjat finalizimin e kësaj marrëveshjeje.