Kurti pa kundërkandidat, vazhdojnë dorëheqjet

Aktuale January 11, 2018 - 08:00

Albin Kurti ka mbetur kandidati i vetëm në garë për kryetar të lëvizjes “Vetëvendosje”, pasi asnjë anëtar tjetër nuk është paraqitur si kundërkandidat për këtë pozitë.

Dje është mbyllur afati zyrtar për paraqitjen e kandidaturave.

Adnan Rrustemi, nga Komisioni për Zgjedhjen e Kreut të Lëvizjes “Vetëvendosje”, një ditë më parë ka konfirmuar për Zërinse Kurti është i vetmi kandidat për kryetar dhe hapat tjerë të zgjedhjeve të brendshme do të bëhen publikë javën e ardhshme.

Se Kurti është i vetmi që ka kandiduar për kryetar të partisë e ka bërë të ditur edhe i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Po përfundon afati për kandidatura, nuk ka të tjera përveç Albin Kurtit”, ka thënë Ahmeti.

Lëvizja “Vetëvendosje” ende nuk e ka bërë të ditur datën se kur do të hapet votimi për Kurtin. Derisa nuk ka ndonjë kandidat tjetër për kryetar, anëtarët e kësaj partie do të votojnë vetëm pro ose kundër tij.

LEXO EDHE: Tre liderë, shumë qëndrime!

Sipas Statutit dhe Rregulloreve në fuqi të Komisionit Zgjedhor të Përgjithshëm (KZP) të Lëvizjes, kandidatët për kryetar duhet të grumbullojnë së paku 1/5-n e nënshkrimeve të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm ose 5% të nënshkrimeve të anëtarësisë për ta zyrtarizuar kandidaturën e tyre, shkruan tutje "Zëri".

Ndonëse Kurti është i vetmi kandidat, anëtarët e kësaj partie ende nuk e dinë se kur do të fillojë fushata dhe votimi për të, ndonëse kanë paralajmëruar se kjo do të bëhet pas ditës së sotme. Ndërsa edhe Albin Kurti pritet që ditëve në vijim ta paraqesë platformën për kryetar.

Disa anëtarë brenda “Vetëvendosjes” kanë paralajmëruar se e mbështesin Kurtin si kryetar të partisë.

Në anën tjetër, dorëheqjet e njëpasnjëshme kanë shtyrë që dje të mbahet edhe mbledhja e Kryesisë së “Vetëvendosjes”.

Albulena Haxhiu është kthyer në parti, ndërsa Driton Çuashi ka dhënë dorëheqje.

Ahmeti e lëshon mbledhjen, Çaushi jep dorëheqje                                                    

Në ditën e djeshme lëvizja “Vetëvendosje” ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë, me ç’rast është diskutuar për dorëheqjet në këtë parti.

Në këtë mbledhje janë parë të marrin pjesë: Albin Kurti, Ismajl Kurteshi, Sami Kurteshi, Hydajet Hiseni, Albulena Haxhiu, Dukagjin Gorani, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, Rexhep Selimi, Glauk Konjufca, etj.

 I pari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se është duke u shqyrtuar një takim mes grupeve rivale. Ndërsa, sipas tij, për shkak të agjendës është dashur të dalë më herët nga mbledhja.

“Po vazhdojnë diskutimet e brendshme, propozimi ishte për mundësinë e një takimi të përbashkët. Tani unë kam takime të tjera”, ka thënë Ahmeti.

Për më shumë në këtë mbledhje u mor vendim që të përkrahet letra e 88 aktivistëve të lëvizjes “Vetëvendosje” nga diaspora që është publikuar gjatë ditës së djeshme dhe po ashtu Kryesia ka mirëpritur kthimin e anëtares Albulena Haxhiu, e cila kishte dhënë dorëheqje muaj më parë.

Në anën tjetër, dje Driton Çaushi ka bërë publike dorëheqjen e tij. Ai ka thënë se ky ishte viti më neveritës i jetës së tij.

“Pavarësisht gjithë kësaj nuk mund të fsheh faktin që viti i fundit ishte më i pikëllueshmi dhe më neveritësi i jetës sime, ashtu siç është edhe ky vendim imi për të parashtruar para jush dorëheqjen time të parevokueshme nga të gjitha pozitat në strukturat e lëvizjes ‘Vetëvendosje’”, ka shtuar ai.

Edhe pse dorëheqjet vazhdojnë në “Vetëvendosje” ditëve në vijim pritet të fillojë fushata dhe votimi për Kurtin si kryetar të kësaj partie.

Kurteshi: Nuk dihet data e votimit

Sekretari organizativ i lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismajl Kurteshi, ka thënë për “Zërin” se pas përfundimit të afatit për kandidimit do të caktohet se sa ditë fushatë do të ketë për kandidatët për kryetar, ndonëse ai nuk ka treguar ndonjë datë të saktë për këtë.

“Nëse ka për të pasur më shumë se dy kandidatë, garantohen katër javë fushatë dhe pastaj caktohet dita e votimit. Nëse mbetet një kandidat procesi vazhdon normalisht, ku në fletëvotime shkruhet ‘për’ dhe ‘kundër’”, ka theksuar Kurteshi.

Kurti: Jam në përfundim të hartimit të platformës

Kryetari i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, ka inkurajuar të gjithë anëtarët e LVV-së që t’i paraqesin platformat e tyre edhe të garojnë për kryetar të ri të Lëvizjes.

“Unë, tashmë si kandidat zyrtar për kryetar, jam në përfundim të hartimit të platformës sime që do ta paraqes pas datës 10 janar. Kush ka ide të tjera dhe pretendon idealizëm ka jo vetëm të drejtë, por edhe detyrë që të garojë në këto zgjedhje të brendshme. Kështu, le të organizojmë debate në fushatën për zgjedhjet e brendshme për kryetar të ri të lëvizjes ‘Vetëvendosje’, ashtu siç e parashikon edhe Rregullorja jonë e Zgjedhjeve të Brendshme”, ka thënë ai.

Në anën tjetër Fitore Pacolli, deputete nga radhët e “Vetëvendosjes”, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se 3/5  e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm kishin dhënë nënshkrime për kandidaturën e Albin Kurtit.