Tre liderë, shumë qëndrime!

Aktuale January 11, 2018 - 07:54

Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli nuk janë unikë në qëndrime për temat më të vështira për Kosovën. Thaçi dhe Haradinaj janë “në një vijë” për Gjykatën Speciale, por në pozicione diametralisht të kundërta për Demarkacionin. Kjo e fundit dhe Specialja ndajnë kryeministrin dhe kryeparlamentarin, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Tre liderët e Kosovës presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe kryeparlamentari Kadri Veseli nuk janë unikë në qëndrime për temat më të vështira me të cilat po ballafaqohet vendi.

Derisa presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj vazhdojnë ta kundërshtojnë Gjykatën Speciale, kryeparlamentari Veseli së fundmi ka ndryshuar qëndrim dhe ka dalë pro kësaj të fundit.

Dihet se Thaçi dhe Haradinaj janë “në një vijë” për Specialen, por janë në pozicione diametralisht të kundërta për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, shkruan tutje "Zëri".

Thaçi dhe Veseli insistojnë se me Marrëveshjen e Demarkacionit Kosova nuk humb territor, ndërsa Haradinaj e pohon të kundërtën.

Haradinaj më herët sa ishte në opozitë ka protestuar edhe për Marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke thënë se kjo marrëveshje e “bosnjëzon” Kosovën, argumente këto që nuk e bindin Thaçin dhe Veselin.

Kurteshi: S’kanë koordinim as liderët e as opozita

Deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismajl Kurteshi, tha për “Zërin” se për t’i zgjidhur çështjet e mëdha liderët e Kosovës para së gjithash do të duhej të ishin të unifikuar në qëndrime.

Sipas tij, liderët u bënë bashkë vetëm për interesa personale.

“Liderët, por edhe subjektet politike për çështje të mëdha të interesit nacional do të duhej të ishin bashkë. U tregua këtë herë që këta tre liderë u bënë bashkë vetëm kur kishin interesat e tyre personale dhe partiake”, tha ai.  

Ai këtë moskoordinim e ka vlerësuar shumë  të dëmshëm për proceset dhe për vendin. Sipas tij, liderët po ndryshojnë qëndrime për shkak të interesave personale.

Kurteshi ka pranuar se edhe opozita nuk është e unifikuar, por tha se lëvizja “Vetëvendosje” nuk do të pajtohet me LDK-në derisa ajo t’i ndryshojë qëndrimet e veta.

“Është e vërtetë që LVV-ja dhe LDK-ja nuk janë në një vijë për Demarkacionin dhe për ‘Zajednicën’ sepse LDK-ja ka kontribuuar në krijimin e këtyre dy problemeve të mëdha për vendin dhe nuk do të jemi as në të ardhmen nëse LDK-ja nuk e ndryshon qëndrimin”, ka thënë ai.  

Kusari-Lila: Para marrëveshjes së koalicionit duhet dakordim për temat kryesore

Kurse deputetja e “Alternativës”, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë për “Zërin” se bashkimi i partive që janë në pushtet u bë pa menduar dhe për këtë arsye problemet s’mund të kenë zgjidhje.

Ajo tha se vendi duhet të shkojë sa më shpejt në zgjedhje që të dalim nga situata e bllokuar.

“Mungesa e koordinimit tregon që shoqërimi i tyre ka qenë vetëm ardhja në pushtet dhe se zgjidhja e çfarëdo problemi ka qenë i rrejshëm. Prandaj e shoh si të domosdoshme që për një periudhë të shkurtër kohore të shkohet në zgjedhje të reja. Sepse në këtë situatë ne jemi të bllokuar në krejt çështjet e ngritura”, ka thënë ajo.

Sipas saj, asnjëra nga çështjet e mëdha nuk do të ketë zgjidhje të shpejtë.

“Asnjëra nga këto çështje nuk mund të zgjidhet nëse nuk ka një konsensus politik. Jo vetëm në këtë rast, po cilido koalicion i ardhshëm duhet ta kuptojë që duhet të ketë së pari dakordim në pika, pastaj të bëhen koalicionet e jo si këta që së pari ndanë pushtetin, pastaj shikojnë se a mund t’i zgjidhin çështjet”, përfundoi ajo.  

Mushkolaj: Nëse vazhdohet me këto qëndrime, të bjerë ky koalicion

Kurse njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj ka thënë se vendimet për çështjet e mëdha nuk mund të merren nëse nuk ekziston konsensus mes krerëve institucionalë, në këtë rast liderëve të koalicionit qeveritar.

Sipas tij, nëse qëndrimet e liderëve vazhdojnë të jenë të tilla nuk ka pse të vazhdojë ky koalicion.

“Demarkacioni, Asociacioni ose bisedimet me Serbinë nuk do të mundë të zgjidhen me këto qëndrime diametralisht të kundërta që kanë krerët e koalicionit. Është e natyrshme të mos kenë pajtime, por kur vjen puna te çështje të tilla, atëherë duhet të jetë një qëndrim i njëjtë unik. Me këtë qasje të liderëve mendoj që nuk do të mundë të vazhdohet. Nëse vazhdohet që qëndrimet të jenë të kundërta dhe të mos unifikohen, atëherë nuk ka arsye që të vazhdojë ky koalicion”.

Mushkolaj tha se asnjë nga këto çështje nuk do të gjejë zgjidhje nëse nuk harrohen inatet personale dhe nëse nuk gjendet një konsensus.

Ndërsa profesori i të drejtës kushtetuese Mazllum Baraliu tha se moskoordinimi i liderëve për çështjet e mëdha tregon që Qeveria është bërë në mënyrë spontane pa u kalkuluar pikat e përbashkëta.

Sipas tij, kjo do ta dëmtojë shumë zhvillimin e këtyre proceseve që me vite presin për t’u zgjidhur.

“Moskoordinimin e liderëve e shoh si diçka që e dëmton zgjidhjen e problemeve dhe zhvillimin e proceseve që janë akumuluar me vite, veçanërisht këto problemet e mëdha. Liderët tani janë të pakoordinuar dhe kanë dallime të thella në qëndrime për çështjet e rëndësishme dhe kjo nuk funksionon mirë. Është për të ardhur keq që nuk i kanë harmonizuar programet. Kjo tregon që edhe Qeveria është bërë në mënyrë spontane”, ka thënë Baraliu.

Maliqi: Kosova po vuan nga mungesa e konsensusit

Ndërsa analisti Agon Maliqi tha se liderët po vazhdojnë t’i mbajnë këto qëndrime pasi në këtë mënyrë kanë fituar vota dhe nëse ndryshojnë qëndrim i bie ta humbasin përkrahjen e fituar.

Ai tha se secili nga tre liderët po vepron me motive personale, duke u përpjekur që të dalë më mirë nga situata në të cilën gjenden.

“Ramush Haradinaj ka qenë kundër  Demarkacionit dhe Speciales në opozitë, ka marrë vota në sajë të këtij kundërshtimi dhe tani përballet me kosto politike në rast të ndryshimit të pozicionit. Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi tani mund të kenë kundërthënie sepse pozicionin e veprimit e kanë tjetër – njëri mendon si përgjegjës i PDK-së, tjetri si president. Të gjithë këta pastaj u përgjigjen ndryshe presioneve. Por motivimi kryesor mund të jetë edhe përshtypja e tyre mbi fatin e tyre politik personal. Nuk është larg mendsh se dallimet burojnë nga përpjekjet e secilit për të dalë sa më mirë nga kjo situatë”, tha ai.

Ai ka thënë se Kosova prej vitesh vuan nga mungesa e konsensusit mbi temat e mëdha, sidomos mbi ato që kanë të bëjnë me konsolidimin e shtetësisë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare: dialogu, Demarkacioni, Gjykata Speciale.

Sipas tij, Serbia ka arritur suksese të konsiderueshme viteve të fundit në raport me Kosovën, sidomos në aspekt të konsolidimit të shtetësisë në arenën ndërkombëtare, pjesërisht edhe për shkak të mungesës së konsensusit tonë të brendshëm dhe dështimeve për t’i përmbushur zotimet tona.