Demarkacioni zgjidhet brenda muajit

Aktuale January 09, 2018 - 07:56

Zyrtarë të lartë të partisë së kryeministrit Ramush Haradinaj (AAK) shprehen të bindur se Demarkacioni me Malin e Zi do të zgjidhet në fund të këtij muaji apo më së largu në fillim të muajit të ardhshëm, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Një kërkesë të tillë që Demarkacioni të zgjidhet sa më shpejt e ka edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili sërish ka bërë thirrje që kjo çështje të përfundojë brenda muajit janar.

LEXO EDHE: Zmbrapsja Speciale

Ai insiston se Marrëveshja është e drejtë, prandaj duhet të ratifikohet. “Kushti i Bashkimit Evropian për Kosovën ka qenë i padrejtë, por edhe mosratifikimi i kësaj marrëveshjeje nga Kuvendi i Kosovës është i pajustifikueshëm. Prandaj muaji janar është momenti i fundit që ne ta gjejmë një konsensus dhe ta ratifikojmë këtë marrëveshje. Vetëm atëherë i japim fund izolimit të padrejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi, shkruan tutje Gazeta "Zëri". 

Në anën tjetër, partia opozitare lëvizja “Vetëvendosje” pret që sa më shpejt kjo çështje të vijë në seancën e Kuvendit dhe Demarkacioni të rrëzohet pasi që, siç thonë ata, ky subjekt politik nuk ndryshon qëndrim për këtë çështje. Të hënën e ardhshme (më 15 janar) është thirrur mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme, ku do të shqyrtohet Projektligji për Demarkacion, për të cilin pritet të votohet nëse do të shkojë ose jo për miratim në Kuvend.

Selmanaj: Versionin që humbim territor nuk e pranoj

“Nuk mund ta them ndonjë datë, por e di që shumë shpejt duhet të përfundohet çështja e demarkacionit. Si afate të mundshme janë fundi i janarit ose fillimi i shkurti që të zgjidhet kjo çështje”, ka thënë për “Zërin” deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj.

Ky i fundit nuk ka dhënë shumë detaje se si do të zgjidhet kjo çështje, përpos që AAK-ja ka ende qëndrimin e njëjtë për Demarkacionin. “Ne nuk do të ndryshojmë qëndrim lidhur me versionin që është propozuar nga Komisioni i mëhershëm. Qëndrimi mund të ndryshojë vetëm nëse do të ketë lëvizje nga ai pozicion. Unë si deputet çdo version që nuk humb territor Kosova e pranoj, çdo version tjetër jo”, ka thënë Selmanaj.

Kurteshi: LVV-ja s’ndryshon qëndrim për Demarkacionin

Edhe deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje” Sami Kurteshi në një prononcim për gazetën “Zëri” tha se LVV-ja nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrim sa i përket çështjes së demarkacionit. Ai u bëri thirrje që çështjen ta sjellin në seancë. “Le ta sjellin Demarkacionin në Kuvend dhe e shohim. LVV-ja mban qëndrimin e njëjtë që e kishte për Demarkacionin”, ka thënë Kurteshi.

Ai e ka quajtur të kotë çështjen dhe zgjatjen e Demarkacionit, duke porositur liderët që të merren me çështje të mëdha që e preokupojnë popullin. Madje ai ka thënë që liberalizimi i vizave nuk është çështje që preokupon popullin. “Për mua nuk është interesant liberalizimi i vizave”, ka përfunduar Kurteshi.  

Baraliu: Demarkacioni të kalojë sa më parë

Ndërsa njohësi i çështjeve politike Mazllum Baraliu tha se çështja e demarkacionit nuk duhet të ketë më paqartësi dhe deputetët duhet të vendosin. “Unë mendoj që s’duhet të ketë konfuzione dhe paqartësi që territori ka lëvizur dhe janë bërë gabime. Deputetët duhet t’i shohin të dyja versionet dhe kësaj radhe duhet të mendojnë qartë dhe mirë, sepse kemi të bëjmë me integritet territorial. 

Sipas tij, demarkacioni si temë e mbetur pezull tash e sa kohë duhet që sa më parë të kalojë. Por, ka thënë se nuk duhet që as faktori ndërkombëtar e as strukturat brenda Kosovës të bëjnë presion për këtë çështje.  

Pasojat e moskalimit të Demarkacionit

Agron Halitaj, kryeredaktor në portalin “AktivPress”, ka thënë se Demarkacioni duhet të kalojë sa më parë, pasi tha se moskalimi i tij do të sillte efekte negative për Kosovën. “Efektet e moskalimit pa dyshim se do të jenë negative në dy rrafshe: në ngadalësimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe në raport me aleatët ndërkombëtarë, veçmas ata amerikanë”, ka thënë Halitaj.