E vërteta se pse SHBA nuk i lëshoi vizën Haradinajt

Aktuale January 08, 2018 - 19:41

Burimet e Gazetës Express, të afërta me kryeministrin Ramush Haradinaj kanë shpjeguar çështjen e refuzimit të vizës nga ambasada amerikane.

Sipas këtyre burimeve, Haradinaj po i nënshtrohet një procesi për aplikimin për viza që vlen për ish-pjesëtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryeministri Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, kishte njoftuar se nuk po i bëhej viza për të shkuar në Amerikë. E kjo u pa si dënim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i bënin kryeministrit të pabindur dhe që po kundërshton atë çfarë sugjeron SHBA’ja.

Nga Zyra e Kryeministirit thanë se kryeministri i është refuzuar viza për arsye politike, por sepse ai kishte aplikuar me vonesë.  Gazeta Express ka mësuar se vonesa e lëshimit të vizës ka të bëjë me një procedurë nëpër të cilin kryeministri duhet të kalojë.

Një burim i Gazetës Express ka thënë se në fakt kryeministri po kalon nëpër procedurën, nëpër të cilën e kalojnë të gjithë aplikuesit për viza amerikane që kanë qenë pjestar të UCK-së. Kjo procedurë zgjatë rreth 5 javë.

Këtyre pesë javëve mund t’i shpëtojnë ata që bartin pozita shtetërore, me ndërhyrjen e Departamentin Amerikan të Shtetit dhe duket sikur këtu ka çaluar kryeministrin me punën e vizës.

DASH ka vendosur të mos t’ia lehtësojë rrugën kryeministri Haradinaj, me gjasë për shkak të zhvillimeve të fundit, kur shefi i ekzekutivit kosovar befasoi me mosbindjen e tij ndaj SHBA-së.

Në fakt, kjo procedurë, sipas burimit, kalohet vetëm në vizitën e parë që i bën SHBA-së dhe më pas i nënshtrohesh procedurës së marrjes së vizës normalisht. Por, duket se shteti amerikan po i hakmerret Haradinajt, duke e obliguar që të kalojë nëpër të.

E kjo i ka pamundësuar Haradinajt që më 4 shkurt të marrë pjesë për “Lutjet e Mëngjesit” – organizimin ky i përvitshëm i Shtëpisë së Bardhë, ku marrin pjesë politikanë nga e gjithë bota.

Në dy çështjet më të rëndësishme periudhën e fundit; shfuqizimin i Gjykatës Speciale dhe ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, kryeministri Haradinaj vendosi të mos shkojë në një vijë me sugjerimet e SHBA-së.

Ambasada amerikane në Kosovë paralajmëronte se zhbërja e Speciales, që Haradinaj e përkrahte, e izolon vendin, njëjtë sikurse edhe mosratifikimi i Demarkacionit.