Liderët mund të izolohen

Aktuale January 08, 2018 - 07:57

Shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale, si dhe moskalimi i Demarkacionit me Malin e Zi, në kundërshtim me kërkesat e vazhdueshme të aleatëve ndërkombëtarë e posaçërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimit Evropian (BE), ka shumë gjasë që tre udhëheqësve kosovarë, presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit Haradinaj, si dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli, t’ua mbyllë “dyert” në këto shtete, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Mediet në Kosovë ditë më parë kanë raportuar se Ambasada Amerikane në Prishtinë ia ka refuzuar vizën kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili planifikonte që të merrte pjesë më 4 shkurt 2018 në “Lutjet e Mëngjesit” në SHBA.

LEXO EDHE: Serwer: Shfuqizimi i Speciales me pasoja serioze për Kosovën

Pas këtyre raportimeve në medie, shefi i Qeverisë kosovare ka shkruar një status në profilin e tij në “Facebook”, nuk e ka mohuar se ende nuk e ka marrë vizën, por, siç ka shkruar ai, është në pritje të kësaj të fundit.

“Më 24 mars ’98 kemi pasur momente jete apo vdekjeje. Kështu ka vazhduar deri më 24 mars ’99, kur Amerika dhe NATO-ja na dolën në ndihmë. Kurrë nuk do ta harroj. Momente të vështira pritjeje deri më 24 mars ’99. Pres edhe për vizë deri kur të ma japin. I besoj Kosovës! I besoj Amerikës! Jam ende në procedurë për vizë”, ka shkruar mes të tjerash Haradinaj.

Deda: Refuzimi i vizave, hapi i parë drejt izolimit të udhëheqësve

Ne anën tjetër deputeti nga radhët e subjektit politik Alternativa, Ilir Deda, ka thënë për “Zërin” se refuzimi i vizave është vetëm një hap drejt izolimit të udhëheqësve kosovarë.

Sipas tij, mund të ketë edhe masa të tjera sanksionuese.

“Refuzimi i vizave është vetëm një hap drejt izolimit të udhëheqësve të Kosovës. Ka edhe masa të tjera që mund të merren nëse kjo udhëheqësi nuk zmbrapset nga theqafja”, ka thënë ai. 

Sipas tij, izolimi i plotë i Kosovës ende nuk ka filluar, ku çmimin më të madh do ta paguanin qytetarët e Kosovës.

Gashi: Paralajmërimet e SHBA-së për izolim mund të hyjnë në funksion

Por, analisti politik Astrit Gashi thotë se shefit të Qeverisë së Kosovës mund t’i refuzohet viza nga SHBA-ja për shkak të mosratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi.

Ai ka deklaruar për gazetën “Zëri” se SHBA-ja ka paralajmëruar drejtuesit e institucioneve kosovare se mund të izolohen nëse nuk e miratojnë këtë marrëveshje.  

“Ende nuk e dimë saktësisht se çka ka ndodh me çështjen e vizës për kryeministrin Haradinaj, por refuzimi i vizave për pushtetarët e Kosovës nuk mund të jetë i pabesueshëm. Ka pasur paralajmërime qysh para dy muajve që në rast të moskalimit të Demarkacionit brenda vitit 2017, kur nuk diskutohej shfuqizimi i Gjykatës Speciale, drejtuesit e institucioneve kryesore mund të izolohen nga SHBA-ja”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, nëse përfundimisht kryeministrit të Kosovës i refuzohet viza për në SHBA, atëherë është e qartë se janë futur në funksion këto sanksione.

Kraki: Kosova po futet në ciklin e humbjes së aleatëve

Nezir Kraki, ligjërues i politikave të BE-së në Paris, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se nëse SHBA-ja përfundimisht vendos të mos ia japë vizën kryeministrit Ramush Haradinaj, atëherë mund të kuptohet se Kosova është futur në ciklin e humbjes së aleatëve.

“Nëse konfirmohet se SHBA-ja ia ka refuzuar vizën kryeministrit Haradinaj, atëherë kjo do ta vërtetonte definitivisht ciklin e mbrapshtë në të cilin është futur Kosova këta muajt e fundit. Pas ciklit të dështimit në vendosjen e bazës së një shteti funksional, tash Kosova me veprime totalisht të papërgjegjshme nga liderët e saj është futur në ciklin e humbjes së aleatëve”, ka thënë Kraki për “Zërin”.

Ai tha se edhe Gjykata Speciale është një hallkë e rëndësishme që nuk do duhej këputur.  

“Kjo është në shpërputhje të plotë me interesat e Kosovës si në afirmim ndërkombëtar, ashtu edhe në marrëdhënie rajonale. Nga ana tjetër, ky është sinjal se SHBA-ja dhe aleatët tanë nuk duan që Kosova të devijojë nga rruga e nisur me mbështetjen e tyre. Në këtë aspekt Gjykata Speciale është një hallkë e rëndësishme, e cila nuk guxon të këputet as nga liderët e as nga ambasadat”, përfundoi ai.