LDK ‘kërcënon’ Thaçin, Veselin dhe Haradinajn

Aktuale January 04, 2018 - 11:09

Tashmë është bërë publike mundësia që këtë javë të bëhet edhe një tentim për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale. Avdullah Hoti, shef i grupit parlamentar të LDK-së ka bërë të ditur edhe një herë qëndrimin e partisë së tij lidhur me këtë çështe, duke bërë thirrje që të mos rrezikohet miqësia me SHBA, shkruan Gazeta Metro.

Hoti ka vlerësuar që eksperimente të tilla nuk duhet lejuar, duke bërë thirrje te tre bartësit e institucioneve që të tregojnë pjekuri politike më të madhe.

Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli qëndruan prapa kësaj nisme që dështoi të paraqitet para deputetëve.

Reagimi i Hotit:

TË MOS E CENOJMË MIQËSINË ME SHBA, SEPSE ËSHTË JETIKE PËR RRUGËTIMIN E KOSOVËS DREJT INTEGRIMEVE EURO-ATLANTIKE

Jemi në prag të përvjetorit të dhjetë të pavarësisë. Një dekadë si shtet i pavarur duhet të na bëjë më të përgjegjshëm karshi obligimeve ndërkombëtare që kemi marrë me vullnetin e lirë.

Nuk guxojmë të eksperimentojmë dhe të cenojmë miqësitë që kemi me shtetet që na bënë të mundur realizimin e ëndrrave tona për liri e pavarësi.

Tre bartësit e institucioneve të vendit duhet të tregojnë maturi politike shumë më të madhe. Në fund të fundit, duhet të tregojmë para shteteve mike se nuk i druhemi drejtësisë ndërkombëtare dhe në fakt duhet të kërkojmë me ngulm që kjo gjykatë të jetë shumë më efikase që Kosova të lirohet sa më parë nga çfarëdo akuze e pretenduar.

Departamenti Amerikan i Shtetit në deklaratën e fundit ka qenë shumë i qartë në kërkesën që ka ndaj institucioneve të Kosovës dhe spektrit politik kosovar. Pres që të gjitha forcat politike të reflektojnë në këtë drejtim dhe t’i bashkohen LDK-së në ruajtjen e miqësisë me SHBA-të.

Për LDK-në, ruajtja e miqësisë së përhershme me SHBA-të është esenciale dhe jetike për rrugëtimin e sigurt të shtetit të Kosovës drejt strukturave euro-atlantike. Rrugë tjetër nuk ka.