Pas dorëheqjes së Ymerit, sot mblidhet ‘Vetëvendosja’

Aktuale January 04, 2018 - 10:36

Problemet brenda lëvizjes “Vetëvendosje” ende po vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.

Pas dorëheqjes së Aida Dërgutit nga pozitat drejtuese në LVV, para dy ditësh postet drejtuese në këtë parti i ka lëshuar edhe kryetari i gjertanishëm Visar Ymeri (në shenjë mospajtimi me zhvillimet e fundit), shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se përplasjet e fundit brenda kësaj partie, veçmas dorëheqja e Ymerit, kanë dëshmuar qartë që brenda LVV-së ka dy grupe politike.

E një gjë e tillë, sipas tyre, mund të çojë edhe drejt ndarjes përfundimtare të lëvizjes “Vetëvendosje”.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e këtij subjekti janë shprehur optimistë se do të arrijnë t’i zgjidhin problemet e brendshme, sado që nuk janë pajtuar me rrugën që ka ndjekur Visar Ymeri.

Për të diskutuar më gjerësisht për ndodhitë e fundit “Vetëvendosja” do të mblidhet gjatë ditës së sotme, shkruan tutje “Zëri”.

“Tersi” brenda LVV-së kishte nisur më 8 dhjetor të vitit të shkuar kur në publik kishin dalë disa biseda private mes deputetëve, në të cilat ishte ofenduar ish-lideri Albin Kurti (i cili tashmë ka shpallur kandidaturën për ta rimarrë postin e të parit të partisë).

I kontaktuar nga “Zëri”, sekretari organizativ i lëvizjes “Vetëvendosje” Ismajl Kurteshi nuk ka dashur të flasë rreth vendimit të kryetarit të lëvizjes “Vetëvendosje” Visar Ymeri.

Megjithatë, ai ka bërë të ditur se LVV-ja do të mblidhet gjatë ditës së sotme për të diskutuar lidhur me këtë çështje.

“Unë dje kam dalë me një postim, që ka qenë një qëndrim zyrtar i lëvizjes ‘Vetëvendosje’ dhe sot bashkë me nënkryetaren jemi marrë vesh që nesër ta thërrasim një mbledhje të Kryesisë në orën 13:00, ku do të diskutohet kjo çështje. Sigurisht që në fund të mbledhjes do të dalim edhe me një komunikatë lidhur me situatën aktuale, por deri atëherë vlen ajo që kam thënë mbrëmë dhe nuk kam asgjë çka t’i shtoj asaj”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Ndërkaq në shkrimin e tij të publikuar në “Facebook” Kurteshi ka thënë se vendimi i Ymerit nuk është diskutuar paraprakisht brenda LVV-së. Ai me këtë rast ka bërë të ditur se nuk është pajtuar me rrugën që ka zgjedhur Ymeri për t’i lëshuar pozitat e partisë.

“Është e vërtetë se së bashku si Lëvizje, kemi arritur sukseset që përmendi Ymeri dhe për këtë i jam mirënjohës, ashtu si të gjithë aktivistët e lëvizjes ‘Vetëvendosje’. Por, nuk mund të pajtohem me rrugën që e ka zgjedhur Visari. Lëvizja i ka dokumentet (statutin) dhe strukturat që përherë ofrojnë rrugëdalje”, ka shkruar ai. /ZËRI/