Ikën kryetari, partia drejt ndarjes

Aktuale January 04, 2018 - 08:02

Problemet brenda lëvizjes “Vetëvendosje” ende po vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.

Pas dorëheqjes së Aida Dërgutit nga pozitat drejtuese në LVV, para dy ditësh postet drejtuese në këtë parti i ka lëshuar edhe kryetari i gjertanishëm Visar Ymeri (në shenjë mospajtimi me zhvillimet e fundit), shkruan sot Gazeta "Zëri".

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se përplasjet e fundit brenda kësaj partie, veçmas dorëheqja e Ymerit, kanë dëshmuar qartë që brenda LVV-së ka dy grupe politike.

E një gjë e tillë, sipas tyre, mund të çojë edhe drejt ndarjes përfundimtare të lëvizjes “Vetëvendosje”.

LEXO EDHE: Selimi: 'Vetëvendosja' do të votojë pro shfuqizimit të Speciales

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e këtij subjekti janë shprehur optimistë se do të arrijnë t’i zgjidhin problemet e brendshme, sado që nuk janë pajtuar me rrugën që ka ndjekur Visar Ymeri.

Për të diskutuar më gjerësisht për ndodhitë e fundit “Vetëvendosja” do të mblidhet gjatë ditës së sotme, shkruan tutje "Zëri".

“Tersi” brenda LVV-së kishte nisur më 8 dhjetor të vitit të shkuar kur në publik kishin dalë disa biseda private mes deputetëve, në të cilat ishte ofenduar ish-lideri Albin Kurti (i cili tashmë ka shpallur kandidaturën për ta rimarrë postin e të parit të partisë).

Pas dorëheqjes së Ymerit, “Vetëvendosja” mblidhet sot

I kontaktuar nga “Zëri”, sekretari organizativ i lëvizjes “Vetëvendosje” Ismajl Kurteshi nuk ka dashur të flasë rreth vendimit të kryetarit të lëvizjes “Vetëvendosje” Visar Ymeri.

Megjithatë, ai ka bërë të ditur se LVV-ja do të mblidhet gjatë ditës së sotme për të diskutuar lidhur me këtë çështje.

“Unë dje kam dalë me një postim, që ka qenë një qëndrim zyrtar i lëvizjes ‘Vetëvendosje’ dhe sot bashkë me nënkryetaren jemi marrë vesh që nesër ta thërrasim një mbledhje të Kryesisë në orën 13:00, ku do të diskutohet kjo çështje. Sigurisht që në fund të mbledhjes do të dalim edhe me një komunikatë lidhur me situatën aktuale, por deri atëherë vlen ajo që kam thënë mbrëmë dhe nuk kam asgjë çka t’i shtoj asaj”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Ndërkaq në shkrimin e tij të publikuar në “facebook” Kurteshi ka thënë se vendimi i Ymerit nuk është diskutuar paraprakisht brenda LVV-së.

Ai me këtë rast ka bërë të ditur se nuk është pajtuar me rrugën që ka zgjedhur Ymeri për t’i lëshuar pozitat e partisë.

“Është e vërtetë se së bashku si Lëvizje, kemi arritur sukseset që përmendi Ymeri dhe për këtë i jam mirënjohës, ashtu si të gjithë aktivistët e lëvizjes ‘Vetëvendosje’. Por, nuk mund të pajtohem me rrugën që e ka zgjedhur Visari. Lëvizja i ka dokumentet (statutin) dhe strukturat që përherë ofrojnë rrugëdalje”, ka shkruar ai. 

Murati: Ndarja në grupe të brendshme mund të reflektojë me ndarje më të thellë

Nga ana tjetër Artan Murati, hulumtues i lartë në KDI, ka thënë se dorëheqja e Visar Ymerit nuk ka qenë e papritur, meqë tashmë është parë që brenda LVV-së ka mospajtime për të cilat nuk është arritur ende të gjendet një mes i përbashkët.

Andaj Murati nuk ka përjashtuar një ndarje të mundshme të këtij subjekti.

“Pikërisht kur ka qenë fjala për të ardhmen e lëvizjes “Vetëvendosje”, se kush do ta udhëheqë partinë tash e tutje, si duket  këtu kanë qenë mospajtimet më të mëdha. Për mua nuk ka qenë një lajm i papritur edhe largimi i Ymerit, ndonëse nuk është se kjo paraqet një lajm të mirë për LVV-në, sepse tanimë veç  u formalizua ajo ndarja në grupe të brendshme në parti, që shumë lehtë mund të reflektojë me një ndarje edhe më të thellë brenda partisë”, është shprehur ai.

Megjithëkëtë sekretari organizativ i LVV-së, Ismajl Kurteshi, pas dorëheqjes së Ymerit është shprehur i vendosur se LVV-ja do t’i zgjidhë problemet e brendshme.

“Pavarësisht dorëheqjes së Visarit nga pozita e kryetarit, kam bindjen se Lëvizja do ta tejkalojë këtë situatë me pjekuri, duke e marrë parasysh edhe faktin se vendi është në vështirësi të shumta politike, e populli është në varfëri dhe në gjendje të rëndë ekonomike. Prandaj qytetarët presin shumë prej nesh”, ka deklaruar ai pas dorëheqjes së Ymerit.

Maliqi: Largimi i Ymerit, shenjë e përkeqësimit të situatës brenda LVV-së

Ndërkaq analisti politik Agon Maliqi ka thënë se vendimi i Ymerit për t’u larguar nga pozitat drejtuese të partisë tregon qartë përkeqësimin e gjendjes brenda kësaj partie.

“Largimi i Ymerit jo vetëm nga posti i kryetarit, por edhe nga pozitat e tjera në strukturën organizative, pa dyshim se është shenjë e përkeqësimit të situatës përbrenda LVV-së.  Sinjali që po përçohet nga grupi i pakënaqur është se brenda LVV-së nuk ka hapësirë për bashkëjetesë demokratike për sa kohë që Albin Kurti është lider i pakontestueshëm dhe mbi të gjitha strukturat”, ka deklaruar ai.

Duke mos i përfillur kritikuesit brenda partisë, ish-lideri i LVV-së, Albin Kurti, sipas tij, ka vendosur ta mbajë partinë si projekt të vetin personal.

“Lexohet tërthorazi edhe njëfarë frustrimi me mosmirënjohjen e grupit të Kurtit për suksesin e LVV-së gjatë mandatit të Ymerit. Në një rrethanë normale Albin Kurti si favorit për postin e kryetarit do të mendonte për pasojat e largimit të një grupi me fuqi të konsiderueshme dhe do të merrte pozicion më bashkëpunues. Por, me vendimin për t’i shpërfillur kritikët ai me gjasë ka vendosur që ta mbajë LVV-në si projekt personal”, është shprehur Maliqi.

Baraliu: Besoj që LVV-ja do t’i kalojë këto divergjenca

Pavarësisht tyre, njohësi i çështjeve politike Mazllum Baraliu është shprehur optimist se “Vetëvendosja” do të arrijë t’i zgjidhë problemet e brendshme me sukses.

“Mendoj që LVV-ja tani do të duhej si organizatë serioze (që tashmë ka fituar shumicën e vendeve në parlament) të reflektojë, të gjejë energji për t’i tejkaluar dallimet, t’i diskutojë të gjitha dallimet, konceptet e idetë, që tashmë janë shpërfaqur, t’i harmonizojnë ato dhe ta ruajë substancën, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të shkojë e padëmtuar dhe e fuqizuar. Nëse ndodh e kundërta nuk është ndonjë humbje e madhe, është diçka që u ka ndodhur edhe subjekteve të tjera. Por, mendoj dhe shpresoj që LVV-ja do t’ia dalë t’i kalojë këto divergjenca dhe të dalë e suksesshme”, ka theksuar ai.

Megjithatë, Baraliu ka thënë se është e qartë që brenda “Vetëvendosjes” ka probleme serioze.

“Është evidente që diçka serioze, një çarje dhe tundim i brendshëm brenda substancës së ‘Vetëvendosjes’ po ndodh. Ka polarizime dhe dallime si duket në koncepte dhe në ide dhe ato janë shpërfaqur deri edhe te dorëheqja e kryetarit”, është shprehur ai.