Funksionimi i gjyqësorit në veri, arritja më e madhe e vitit

Aktuale January 03, 2018 - 22:25

Mitrovica e Veriut për vite me radhë ka qenë e ndarë nga pjesa tjetër e Kosovës pothuajse në çdo aspekt. Megjithëse Policia e Kosovës edhe më parë ka qenë në atë pjesë, ata nuk kanë qenë të integruar dhe nuk i janë bindur zinxhirit komandues.

Pra, të gjitha direktivat janë marrë nga Beogradi. Megjithatë, viteve të fundit ka pasur një përparim në këtë aspekt ani psë lë shumë për të dëshiruar.

Ndryshe nga kjo, viti 2018 e gjen Mitrovicën Veriore edhe me një tjetër ndryshim. Kjo, pasi që, në nëntor të vitit 2017, ka filluar edhe zbatimi i marrëveshjes për drejtësi në pjesën veriore të Kosovës.

Fillimi i zbatimit të kësaj marrëveshje padyshim se ka rëndësi të veçantë për sundimin e ligjit, qasjen në drejtësi dhe realizimin e të drejtave të qytetarëve edhe në atë pjesë të Kosovës.

Nga monitorimi i deritanishëm nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, shihet se në Mitrovicën Veriore ka filluar funksionimi normal i sistemit të drejtësisë.

Kështu ka thënë për Indeksonline, njohësi i çështjeve të drejtësisë, Ehat Miftaraj i cili ka shtuar se kanë vërejtur një bashkëpunim dhe koordinim korrekt mes prokurorëve dhe gjykatësve të të gjitha komuniteteve.

Megjithatë, ai tregon se çfarë duhet të bëhet në mënyrë që sistemi i drejtësisë të funksionoj komplet sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi monitoron në mënyrë sistematike sistemin gjyqësor dhe prokurorial, përfshirë gjykatat dhe prokuroritë në pjesën veriore të Kosovës. Nga monitorimi deri në këtë fazë shihet se edhe në këtë pjesë ka filluar funksionimi normal i sistemit të drejtësisë, shihet një bashkëpunim dhe koordinim korrekt mes prokurorëve dhe gjykatësve te të gjitha komuniteteve. Megjithatë në mënyrë që kjo pjesë e sistemit të drejtësisë të funksionoj sipas ligjeve dhe Kushtetutës se Kosovës, është e rëndësishme që Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial përmes monitorimit, vlerësimit të performancës dhe disiplinimit të ushtrojnë kontrollin e tyre të përcaktuar me Kushtetutë dhe ligj në mënyrë që të ketë transparencë dhe llogaridhënie në punën e gjykatës dhe prokurorisë”, ka thënë Miftaraj.

Edhe njohësi i çështjeve politike, Azem Vllasi shtrirjen e pushtetit gjyqësor dhe konsolidimin e Gjykatës dhe prokurorive në Veri e sheh si një përparim të mirë për Kosovën. Por, sipas tij, kjo është i vetmi përparim që ka ndodhur në këtë pjesë gjatë vitit që lam pas, duke cekur se kompetenca policore në atë pjesë nuk kanë kontroll të plotë.

“Ajo është rezultat i rëndësishëm sepse pushteti gjyqësor për shtet ka domethënie të madhe dhe kjo është shenj se segmenti i rëndësishëm i pushtetit të Kosovës po shtrihet dhe atje dhe prokuroria, gjyqësori, sistemi gjyqësor do të funksionoj sipas sistemit të Kosovës. Por, mjerisht, rendi dhe ligji atje para së gjithash janë kompetenca të policisë dhe nuk është nën kontrollin unik të shërbimit policor të Kosovës. Atje nuk shohim një udhëheqësi të plotë, do të thotë kreu i shërbimit të kontrollit policor nuk ka kontroll të plotë”, ka thënë Vllasi për Indeksonline.

Sipas tij, shtrirja e sistemit gjyqësor është një shenj e mirë për mos ndarjen e Mitrovicës Veriore, megjithëse shton se ajo nuk do mund të ndahej formalisht.

“Mitrovica edhe ashtu nuk do mund të ndahej formalisht, sepse kufijtë e Kosovës janë pranuar ndërkombëtarisht, e ka sovranitetin dhe pavarësinë shtetërore me kufijtë që i kemi pasur edhe si autonomi. Tash mbetet vetëm të funksionoj më mirë vetëm edhe sistemi i administratës tatimore dhe sistemi i shërbimeve të pagesave komunale, si për shembull rryma. Po e shihni se çfarë problemi kemi pasur me mos pagesën e rrymës ku gjithë ajo barrë është shtrirë mbi të gjithë obliguesit mbi pjesët tjera të Kosovës”, ka shtuar ai.

Si hap të rëndësishëm e ka parë edhe njohësi i çështjeve politike, Nexhmedin Spahiu. Në një prononcim për Indeksonline, Spahiu thotë se ky është një hap i rëndësishme për të gjitha komunitetet, jo vetëm në Veri, por në gjithë Kosovën.

“Kompromisi që është bërë në lidhje me Gjykatat në Veri të Kosovës ka qenë një hap shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe për jetën e komunitetit, jo vetëm në Veri të Kosovës por edhe të gjithë asaj çfarë përfshinë Gjykata Themelore në Mitrovicë, edhe për komunat Skenderaj, Vushtrri dhe Mitrovicë Veriore”, është shprehur Spahiu.

Ndryshe, marrëveshja për drejtësinë, gjegjësisht integrimi në sistemin e Kosovës të gjykatësve dhe prokurorëve serb nga veriu i vendit është arritur në vitin 2015, në Bruksel nga Kosova dhe Serbia.