'Gjyqtari Beqir Kalludra, e ka ngrënë turpin me bukë'

Aktuale January 03, 2018 - 18:42

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar ndaj dënimit të katër deputetëve të Lëvizjes nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Ajo ka thënë se me këtë akt është dënuar Republika e Kosovës, njofton ‘Zëri.info’.

Nagavci, përmes një statusi në profilin e saj në ‘Facebook’ ka shkruar se ky dënim ka të bëjë me një sistem gjyqësor me diktat politik. Sipas saj me këtë kemi të bëjmë me përpjekje për persekutim të kundërshtarëve politik.

Postimi i plotë i Nagavcit: 

‘Jo në emër tim!

Sistem gjyqësor me diktat politik. Përpjekje për persekutim të kundërshtarëve politik.

Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli, Donika Kadaj janë përfaqësues të zgjedhur nga populli. Ata kanë kryer me nder e përgjegjësi detyrën e tyre, mbrojtjen e integritetit teritorial.

Sot nuk u dënuan vetëm deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! sot u dënuam secili prej nesh, sot u dënua populli i Kosovës, sot u dënua Republika e Kosovës, u cënua shtetësia,u minua edhe një herë sistemi i drejtësisë.

Ishin dyqind e pesë mijë qytetarë që shprehën kundërshtimin e tyre në peticionin që paraqiste mospajtimin me marrëveshjet që cënonin qenësinë e republikës, pra logjjkisht pëlqimin me qëndrimin e deputetëve tanë në mbrojtje të republikës. Veprimi i tyre është arsyetuar dhe legjitimuar dhe nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

Por, gjyqtari Beqir Kalludra, zgjodhi të suprimonte edhe vullnetin e qytetarëve, edhe aktgjykimi e kushtetueses edhe obligimin e kushtetues të deputetëve për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit teritorial.

Urtësia jonë popullore për të tillët si ky gjyqtar e ka shprehjen E ka ngrënë turpin me bukë, andaj dhe s'mund të presim të kenë ndjenjë faji e përgjegjësie.

Proceset e montuara politke kanë dështuar përgjatë historisë, ato do të dështojnë përsëri’.