Deputetët e Vetëvendosjes, të ndarë rreth Speciales dhe Demarkacionit

Aktuale January 03, 2018 - 16:16

Lirimi i Albin Kurtit nga paraburgimi, ku po mbahej për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës, për shumëkënd u pa si një rast për ndihmë ndaj partive të koalicionit që po synojnë të shfuqizojnë Ligjin për Specialen. Por, analistët vlerësojnë se vota e VV-së për tema si Specialja dhe Demarkacioni nuk do të jetë unike për shkak të përçarjes në këtë lëvizje.

Gjithçka nisi me një bisedë në “Viber”, kur edhe publikisht u bënë të ditura përçarjet e para në Lëvizjen Vetëvendosje. Dje, Visar Ymeri dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të VV-së, duke e thelluar edhe më tej hendekun në Vetëvendosje.

Mirëpo, a do të ndikojë kjo ndarje edhe në mënyrën se si do të votojë ky subjekt për Demarkacionin dhe Gjykatën Speciale kur të dalin në Kuvend. Për këtë çështje, Gazeta Express ka folur me njohës të zhvillimeve politike.

Imer Mushkolaj, në një prononcim për Gazetën Express, thotë se ndarja në Vetëvendosje e ka dhënë tashmë një lajm që më në këtë organizatë nuk do të ketë veprime homogjene dhe kjo gjë do të japë frymë të re në politikë.

Madje, sipas tij, veprimet në Kuvend do të jenë të ndryshme dhe se Demarkacioni e Gjykata Speciale kanë mundësi të marrin kahje tjetër, prej deputetëve të caktuar.

“Do të ketë qasje të ndryshme dhe kjo është vërejtur edhe në kohën kur në Kuvend është tentuar të shfuqizohet Ligji i Gjykatës Speciale. E them këtë pasi që në disa takime të mbajtura në parti dhe gjithashtu me ambasadorë, të gjithë deputetët nuk kanë qenë të një mendimi, pasi që disa kanë qenë pro shfuqizimit të Speciales dhe disa kundër”, ka thënë Mushkolaj.

Ai mes tjerash ka bërë të ditur se edhe veprimet s’do të jenë më të njëjta dhe për këtë arsye mund të dalin disa rezultate të reja në skemën politike.

“Tanimë e dimë të gjithë që Vetëvendosja nuk është unike dhe vetë ideja që nuk është unike lë shumë hapësirë për manovrime të ndryshme, që do të thotë këto dallime brenda partisë reflektojnë edhe në vendime për çështjet e mëdha”, ka shtuar mes tjerash analisti Imer Mushkolaj.

Por, se cili krah do t’i përkrahë këto marrëveshje, ende është në mjegull.

Madje, edhe sipas Mushkolajt, votat do të jenë ndoshta edhe befasuese. Ai merr shembull konkret Liburn Aliun, i cili ka nënshkruar peticionin e veteranëve të luftës, dhe, sipas tij, Aliu me veprimet e tij dhe statuset është distancuar nga krahu i ashtuquajtur “krahu i Molliqajt”.

Mirëpo, njësoj nuk mendon njohësi tjetër i çështjeve politike, Nexhmedin Spahiu. Ndryshe nga Mushkolaj, Spahiu për Gazetën Express thotë se ndarja e Vetëvendosjes mund ta zgjasë jetën e qeverisjes Haradinaj, mirëpo nuk do të ndikojë shumë në vendimet e mëdha të vendit.

“E shumta mund të jetë që disa nga deputetët të ndahen nga Vetëvendosja, por kjo nuk mund të mjaftojë për t’i zhvilluar proceset e mëdha. Kjo ndarje mund të ndikojë në rezistencën e qeverisjes Haradinaj, por jo të bëjë ndonjë ndryshim rrënjësor në këtë drejtim”, thotë mes tjerash Spahiu.

Por, Spahiu nuk e përjashton mundësinë që deputetë të caktuar edhe të veprojnë krye në vete, duke ndryshuar votat e tyre e pastaj edhe të largohen krejt nga partia në fjalë.

Tash për tash, Kuvendi është në pushim dimëror, ndërsa pas 15 janarit pritet të fillojnë seancat plenare, dhe pastaj shihet se çfarë do të ndodhë me temat që po drithërojnë vendin.

Këtë muaj, kryeministri Haradinaj ka paralajmëruar se do ta presë në Prishtinë homologun e tij nga Mali i Zi, kryeministrin Dushko Markoviq.