Opozita, pesimiste që çështjet e mëdha zgjidhen në 2018-ën

Aktuale January 03, 2018 - 08:12

Kryeministri Haradinaj e nisi vitin 2018 duke premtuar që çështjet e mëdha si demarkacioni, liberalizimi i vizave, ushtria e dialogu, (të cilat për vite me radhë po kërkojnë epilog) do të gjejnë zgjidhje brenda këtij viti.

Përveç tij, edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (shefja e BE-së Frederica Mogherini dhe komisionari evropian për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Johannes Hhan) kanë paralajmëruar që viti 2018 do të jetë vit kyç për shtetet e Ballkanit. Mirëpo opozita në vend, duke parë punën e deritanishme të qeverisë “Haradinaj”, nuk ka shfaqur optimizëm që këto çështje do të marrin epilog gjatë vitit 2018. Deputetë nga lëvizja “Vetëvendosje” thonë se Haradinaj u mundua të gjejë zgjidhje, por që nuk punoi mjaftueshëm. Andaj zgjidhja e këtyre çështjeve sipas tyre njëherë mbetet vetëm dëshirë.

Në anën tjetër, deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës thanë prerë për “Zërin” se qeveria “Haradinaj” nuk ka potencial që t’i shtyjë çështjet e mëdha përpara.

Ndërkohë edhe njohësit e çështjeve politike kanë thënë se zgjidhja e çështjeve që e preokupojnë Kosovën për gati një dekadë do të jetë e vështirë përgjatë vitit 2018. Kryeministri Haradinaj premtoi që çështjet e mëdha që janë premtuar për vite me radhë e që ende nuk kanë marrë epilog, siç janë demarkacioni, liberalizimi i vizave e ushtria, do të jenë prioritet për vitin 2018.

Ndërkohë shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, njoftoi se 2018-a do të jetë një vit vendimtar për Ballkanin. “Ky nuk ishte një vit i lehtë për Ballkanin. Kam vizituar gjashtë kryeqytete të rajonit në njërin nga momentet më të vështira, në disa raste koha e krizës së thellë politike”, ka thënë ajo. Mogherini ka shtuar se “2018-a do të jetë një vit vendimtar që kjo rrugë të forcohet dhe të bëhet e pakthyeshme. Ky do të ishte një rezultat i rëndësishëm jo vetëm për rajonin, por për të gjithë Evropën”. Ndërkohë edhe Komisionari Evropian për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Johannes Hhan, theksoi se ky vit do të jetë kyç për shtetet nga Ballkani Perëndimor. Sipas tij, viti 2018 do të jetë kyç për Ballkanin Perëndimor dhe mundësi për bashkëpunim edhe më të afërt me të gjithë partnerët në sfidat e përbashkëta.

Mirëpo deputetët nga opozita janë treguar pesimistë sa u përket këtyre deklaratave. Deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Shqipe Pantina, duke folur rreth deklaratës së shefes së BE-së, Frederica Mogherini dhe komisionarit evropian Johannes Hahn se viti 2018 do të jetë vendimtar për shtetet e Ballkanit, tha se një pjesë të madhe të fajit e ka edhe BE-ja pasi ka imponuar zgjidhje, duke mos i lënë popujt të vendosin vetë për vendin e tyre.  “Pothuajse çdo vit dëgjojmë mesazhe te zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe mendoj që ka ardhur koha ta marrë përgjegjësinë e vet, sepse nuk është krejtësisht i pafajshëm për situatën që gjendet Ballkani e në veçanti Kosova, sepse ka imponuar zgjidhje që joçdoherë kanë qenë më të mirat”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, ajo megjithëse ka përmendur disa nisma të kryeministrit Haradinaj për zgjidhjen e çështjeve të mëdha, tha se kjo nuk po mjafton, andaj sipas saj zgjidhja e këtyre çështjeve në 2018-ën po mbetet vetëm dëshirë.

Kurse Naser Rugova, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se jemi mësuar me premtimet për demarkacion e liberalizim, për të cilat tha se qeveria “Haradinaj” ishte zotuar që këto çështje t’i kryejë brenda 100-ditshit, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Ndërsa sa i përket çështjes së demarkacionit, Rugova tha se po që se qeveria “Haradinaj i bën 60 vota, LDK-ja do ta ndihmojë që t’i sigurojë votat tjera.  

Ndërkohë njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, ka kritikuar qeverinë “Haradinaj” për mospërmbushjen e premtimeve që dha në fillim të mandatit për çështjet e mëdha. Ai ka thënë për gazetën se nuk pret që këto çështje të gjejnë zgjidhje gjatë këtij viti pasi sipas tij qeveria “Haradinaj” nuk po punon sa duhet për zgjidhjen e këtyre çështjeve.