Hapat për shfuqizimin e Speciales

Aktuale January 03, 2018 - 07:52

Deputetët, të cilët me anë të 43 nënshkrimeve iniciuan kërkesën për shfuqizimin e Ligjit të Gjykatës Speciale para rreth dy javësh, nuk kanë hequr dorë nga qëndrimi i tyre. Përkundrazi, ata konsiderojnë se Kryesia e Kuvendit e ka shkelur Kushtetutën meqë nuk ka thirrur seancë të jashtëzakonshme (më 22 dhjetor, ditën kur u mblodhën nënshkrimet) me pretekstin se nuk ka pasur kuorum.

Edhe njohësit e punës së legjislativit në Kosovë e pohojnë të njëjtën gjë, me ç’rast thonë se arsyetimi për mungesë kuorumi nuk qëndron. Ndërkohë, sa i përket shfuqizimit të Speciales ata kanë bërë të ditur se ekzistojnë disa hapa që duhet ndjekur, të cilët ndër të tjera përfshijnë edhe ndryshimet kushtetuese. E përderisa LDK-ja është e prerë që të mos e mbështesë kërkesën për shfuqizimin e Gjykatës në fjalë, përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosje” thonë se LVV-ja ka qëndrim të njëjtë si më 2015-ën dhe se shfuqizimi duhet të bëhet në bazë të normave parlamentare. Megjithëkëtë, anëtarë të Kryesisë së Kuvendit kanë thënë se ende nuk ka ndonjë njoftim se kur mund të mbahet mbledhja për ta caktuar seancën e kërkuar për shfuqizim të Speciales.

Hasani: Kryesia shkeli Kushtetutën, seanca është dashur të mbahej më 22 dhjetor

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, emri i të cilit figuron i pari në listën e atyre që kërkuan shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ka vlerësuar se Kryesia e Kuvendit ka shkelur Kushtetutën meqë nuk ka thirrur seancën atëherë kur është kërkuar nga deputetët. “Ne kemi kërkuar seancë, seanca është dashur të kërkohet të mblidhet më 22, atë nuk e ka bërë Kryesia, ka bërë shkelje të Kushtetutës. Nënshkrimet janë obligative për Kryesinë që të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme. Me kuorum ose pa kuorum kryetari duhet ta thërrasë mbledhjen. Shkelja e kësaj është bërë”, ka deklaruar ai.

Përderisa ka deklaruar se nuk ka informacion nëse do të thirret një seancë e tillë, siç është kërkuar, Hasani ka thënë se nuk është e nevojshme që nënshkrimet të mblidhen sërish meqë ato janë mbledhur njëherë.

Ndërkohë deputeti tjetër (nga AAK-ja), që ishte pjesë e grupit të deputetëve të cilët kërkuan shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ka thënë se kjo Gjykatë nuk është e drejtë, andaj do të votojë për zhbërjen e saj në momentin që do të vijë në Kuvend. “Në këtë format si është kjo gjykatë nuk pajtohem. Prandaj mendoj që duhet të shfuqizohet kjo gjykatë dhe të bëhet një tjetër. Në momentin që do të dalë në Kuvend unë votoj që të zhbëhet kjo gjykatë”, ka theksuar ai.

Selmanaj më tutje ka thënë se dërgimi i këtij ligji në Kuvend tashmë varet prej Kryesisë së Kuvendit.

Mirëpo nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka thënë se ende nuk ka ndonjë njoftim se kur mund të mblidhet Kryesia e Kuvendit për ta caktuar seancën e jashtëzakonshme.  “Realisht Kuvendi është në pushim sipas Kushtetutës së Kosovës. Në qoftë se duhet të takohemi për mbledhje, takohemi dhe vendosim sipas procedurave. Kryesia propozimet nuk mund t’i ndalojë, por nuk kam ndonjë njoftim që kryetari ka caktuar”, është shprehur Haliti.

Rugova: Tendenca për shfuqizimin e Speciales nuk ka logjikë

Ndërkaq deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka vlerësuar se disa persona e kanë kuptuar se mund të mos jenë imunë ndaj Gjykatës Speciale prandaj po insistojnë në shfuqizimin e saj. “Edhe Gjykata Speciale është filluar, ka marrë versionin final edhe të ndryshimeve kushtetuese, por edhe të ligjit, me miratimin e këtyre që tani po duan ta shfuqizojnë. Prandaj LDK-ja ka konsideruar se tendenca për shfuqizim të Ligjit të Speciales në prag të këtij fundviti nuk ka logjikë dhe shihet që është puro personale dhe individuale.

Si duket, disa nga liderët aktualë e kanë kuptuar se mund të mos jenë imunë ndaj kësaj gjykate”, është shprehur ai për “Zërin”.  

Kurse deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, ka deklaruar se ky subjekt ka qëndrimin e njëjtë ndaj Speciales sikurse në vitin 2015. Mirëpo, sipas tij, shfuqizimi duhet të ndodhë me procedura të rregullta parlamentare. “Lëvizja ‘Vetëvendosje’ ka qëndrimin e njëjtë siç ka pasur në vitin 2015 karshi Gjykatës Speciale si diçka e padrejtë, e papranueshme. Prandaj ne e kemi parë me kujdes mënyrën dhe për këtë kemi dhënë edhe qëndrimin tonë që kjo duhet të bëhet me struktura të rregullta, norma parlamentare dhe ne qëndrimin tonë zyrtar e japim atëherë kur të vijë zyrtarisht në Kuvend”, është shprehur Selimi.  

Procedurat që duhet ndjekur për ta zhbërë Gjykatën Speciale

Nga ana tjetër Albert Krasniqi, njohës i punës së legjislativit nga KDI-ja, ka thënë se për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale duhet së paku 61 deputetë të qëndrojnë në sallën e Kuvendit dhe shumica e tyre të votojnë për shfuqizim. “Procedurat për shfuqizimin janë të njëjta me ato që kanë qenë për themelimin e ligjit. Duhet të ketë së paku 61 deputetë në sallën e Kuvendit që të ketë kuorum dhe shumica e tyre që marrin pjesë në votim të votojnë pro shfuqizimit të ligjit”, ka nënvizuar ai.  

Megjithatë, siç ka bërë të ditur Krasniqi, kjo nuk e zhbën Gjykatën Speciale. Përkundrazi, duhet të bëhen edhe ndryshimet kushtetuese (2/3 e deputetëve, duke përfshirë edhe 2/3 e komuniteteve), meqë baza e saj është në Kushtetutën e Kosovës.

Ndërkohë, arsyetimi i Kryesisë se nuk ka pasur kuorum sipas tij nuk qëndron për shkak se, siç është shprehur ai, Kryesia e Kuvendit nuk mund ta bllokojë një kërkesë të tillë të deputetëve. Krasniqi më tej ka thënë se deputetët duhet që edhe njëherë t’i mbledhin nënshkrimet e tyre për ta shfuqizuar këtë ligj, në mënyrë që të mbahet seanca e jashtëzakonshme. “Kështu që për ta riaktualizuar do të duhej që prapë të jenë 40 nënshkrime të paktën të deputetëve që thirrin seancë të jashtëzakonshme. Duhet që 2/3 e deputetëve të pranishëm të votojnë për shmangie të rregullores së punës së Kuvendit, për shkak se shfuqizimi i ligjeve kërkon një procedurë pak më të gjatë. Kjo mund të bëhet në mënyrë të rregullt, mirëpo nëse dëshirojnë që ta mbajnë me procedura të përshpejtuara, atëherë duhet që sërish t’i mbledhin nënshkrimet, se nuk ka kuptim që pas dy muajve të mbahet seanca e jashtëzakonshme”, ka shtuar ai, duke thënë se do të ketë prapë tentativa për zhbërjen e Gjykatës Speciale.

Kurse avokati Tomë Gashi ka konsideruar se iniciativa për zhbërjen e Speciales është e vonuar. Sipas tij, ata që e kishin përkrahur njëherë themelimin e saj tash po kërkojnë shfuqizimin e kësaj gjykate. Iniciativat e tilla sipas Gashit janë të qëllimshme, meqë është ofruar ngritja e aktakuzave të para.