2018-ta, vit i pritjeve të mëdha

Aktuale January 01, 2018 - 19:55

Ratifikimi i Demarkacionit, i cili do t’i hapte rrugë liberalizimit të vizave, formimi i Ushtrisë së Kosovës, nisja e fazës së re të dialogut me Serbinë dhe formimi i Asociacionit janë disa nga temat e mëdha që pritet të ndodhin.

Për qytetarët e Kosovës, fokusi mbetet ratifikimi i demarkacionit  dhe formimi i ushtrisë.

Por, për analistin politik Imer Mushkolaj, institucionet e Kosovës kanë punuar pak deri më tani për t’i përfunduar këto çështje.

Ai për lajmi.net thotë se viti 2018 është koha e fundit që këto çështje të përfundojnë.

“Është koha e fundit që 2018-ta të zgjidh këto, edhe çështjen e transformim të FSK-së, por edhe të liberalizimit të vizave, t’i jap përgjigje edhe Asociacionit, përndryshe nuk ka kurrfarë logjike që të zvarriten edhe më tej për interesa të kujt do qoftë”, është shprehur Mushkolaj.

Ai ka vlerësuar se për institucionet e Kosovës do të jetë sfidë përfundimi i këtyre proceseve, për shkak të Listës Serbe, e cila sipas tij, ka qëllim bllokimin e këtyre proceseve.

Një temë  tjetër me rëndësi është edhe faza e re e dialogut, në nivel presidentësh mes Kosovës dhe Serbisë.

E për Mushkolajn ky proces duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“Nëse nuk përfundon më njohje të Kosovës nga Serbia ,atëher i gjithe procesi i dialogut që ka ndodhë nga vitit 2011 është kotë”, është shprehur ai.

E sa i përket temave të rëndësisë nacionale, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj në një intervistë për lajmi.net ka thënë se ato janë prioritet i Qeverisë. Ai ka kërkuar që për tema të tilla të ketë konsensus nga partitë politike.

“Është momenti i duhur që liderët e partive politike, jo vetëm për demarkacionin por edhe për tema të tjera nacionale të gjejnë një konsensus. Pra ta gjejmë një qasje të përbashkët edhe për dialogun, edhe për ushtrinë, edhe për reformën e agjendës evropiane”, ka thënë Hoxhaj.