Agim Bahtiri: Vitin e Ri si do ta pres me qytetarët e Mitrovicës

Aktuale December 31, 2017 - 22:58

Qytetarët e komunës së Mitrovicës ia besuan sërish votën Agim Bahtirit për kryetar të tyre. E ai përveç i pari i këtij qyteti, shpesh ka treguar që është tejet modest, madje edhe komik në situata të veçanta.

Bahtiri në një intervistë për Indeksonline tregon se si ishte viti 2017 për të, me cilat sfida është ballafaquar gjatë këtij viti, për vështirësitë e qeverisjes së një qyteti, por edhe për planet në vitin 2018.

Indeksonline: Si e përkufizoni me tri fjalë vitin 2017?
Agim Bahtiri: Vit i sfidave të mëdha!

Indeksonline: Cilat janë sfidat në të cilat je ballafaquar gjatë këtij viti?
Agim Bahtiri: Sfida e parë që vlen të veçohet me të cilën jam ballafaqur në këtë vit që po e lëmë pas, kanë qenë projektet e filluara nga unë në fillim të mandatit dhe përfundimi i tyre me sukses, pasi që veç ishte viti i fundit qeverisës i mandatit të parë, ku mendoj se i kam përmbyllur me sukses të plotë. Pastaj sfidë e radhës ishte situata e jashtëzakonshme e krijuar pas shkuarjes së vendit në zgjedhjet zgjedhjet parlamentare, ku si nënkryetar i AKR-së më është dashur të jap kontributin tim. Mirëpo, siç dihet sfida kryesore ka qenë periudha e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, ku unë pas një peticioni të organizuar nga mijëra qytetarë, vendosa që të rikandidohem edhe për një mandat për kryetar komune. Qytetarët e vlerësuan shumë pozitivisht punën time katër vjeçare dhe njëherësh me votën e tyre treguan se duan që të kenë edhe për katër vitet e ardhshme një qeveri me duar të pastra, që punon vetëm në interes të tyre.

Indeksonline: Sa është e vështirë të jesh kryetar i një komune?
Agim Bahtiri: Të jesh krytar komune nuk është privilegj, por është një përgjegjësi e madhe, pasi që duhet të kujdeset që 72 mijë qytetarëve t’ua bësh jetën më të lehtë dhe më të mirë. Siç e dini unë jetoj larg familjes time të ngushtë, pasi që gruaja, djemtë, vajzat, nipërit dhe mbesat i kam lënë në Holandë, vetëm e vetëm që t’iu shërbej bashkëqytetarëve të mi, por duke pasur një buxhet komunal të vogël nuk arrin t’iu dalësh në ndihmë të gjithëve që kanë nevojë. Mirëpo, ne me atë buxhet që e kemi, maksimalisht kujdesemi që ta shfrytëzojmë sa më mirë, duke iu dhënë prioritet njerëzve që kanë nevojë më së shumti. Nuk duhet harruar se një kryetar komune ballafaqohet çdo ditë direkt me qytetarë, e që këtë përgjegjësi nuk e kanë ministrat apo përfaqësuesit e tjerë të lartë shtetëror, pa harruar këtu vështirësitë që krijohet nga fakti se Mitrovica është qytet shumë specifik dhe kështu kam edhe obligime shtesë, për dallim nga kryetarët e komunave tjera.

Indeksonline: Çka iu kujtojnë festat e fundvitit?
Agim Bahtiri: Festat e fundvitit më kujtojnë sakrificën e popullit tonë për liri , pavarësi dhe demokraci, e cila ka rezultuar fatmiqësisht me fitimin e shtetësisë.

Indeksonline: Ku do ta prisni Vitin e Ri?
Agim Bahtiri: Vitin e Ri si zakonisht do ta pres së bashku me qytetarët e Mitrovicës në Sheshin “Mehë Uka”, ku bashkërisht do të festojmë për sukseset e vitit që po e lëmë pas dhe hapjen e rrugës për sukseset e reja që do të arrihen në vitin e ardhshëm.

Indeksonline: Planet për vitin 2018?
Agim Bahtiri: Para disa ditësh kam marrë edhe zyrtarisht mandatin e dytë qeverisës, ku ashtu siç jam zotuar do të punoj maksimalisht për zhvillimin ekonomik të Mitrovicës, pasi që në mandatin që e kaluar kam arritur me sukses të bëjë stabilizimin e gjendjes së sigurisë në Mitrovicë dhe kështu janë krijuar kushtet që të kemi investime për hapjen e një perspektive të re për mitrovicasit.

Indeksonline: Urimi për qytetarët dhe lexuesit e Indeksonline..
Agim Bahtiri: Gjithë qytetarëve të iu uroj shëndet, paqe, harmoni dhe sukses në vitin 2018, ku sigurisht që së bashku do ta bëjmë Mitrovicën një qytet shembull për gjithë Kosovën. Gëzuar!/Indeksonline/