Hysen Durmishi dorëzon mandatin, për Shpend Ahmetin asnjë fjalë të mirë

Aktuale December 28, 2017 - 16:10

Beteja brenda radhëve të Vetëvendosjes po vazhdon nga dita në ditë.

Shpend Ahmeti po pastron nga kuadrot brenda Komunës së Prishtinës të cilët janë lojalë ndaj Albin Kurtit. Ahmeti e ka lënë pa punë Hyseni Durmishin, i cili e ka drejtuar për 4 vjet Drejtorinë e Infrastrukturës.

Për largimin e tij nga kjo pozitë, Durmishi ka shkruar në Facebook duke mos e thënë asnjë fjalë të vetme ndaj Ahmetit, cili si duket me qetësi po pozicionohet në Krahun e Molliqajt.

‘Vetëvendosja’ së fundmi u përball me një skandal brenda partisë që ndau këtë subjekt në dy taborë. Gjithçka filloi pas një fyerje të Aida Dërgutit ndaj Albin Kurtit në një komunikim të brendshëm.

Kurti nga burgu ka shpallur kandidaturën për kryetar të këtij subjekti, për të kthyer kontrollin në këtë subjekt.

Durmishi, ndërkaq, nuk ka ngurruar të pozicionohet kundër krahut të Molliqajt kur ky i fundit po fliste për ngjarjet në parti, duke i thënë “Rrej Dardan, rrej”. /Express/

Çfarë shkroi sot Durmishi për largimin nga Komuna e Prishtinës mund ta lexoni më poshtë:

Hysen Durmishi drejtor i infrastrukturës në komunën e Prishtinës

Sot e dorzova detyrën në komunën e Prishtinës. I kalova 4 vite me shumë punë e angazhim. Gjatë këtyre 4 viteve nuk kam kursyer asgjë duke u munduar që sadopak të ndikoj në përmirësimin e infrastrukturës në komunën e Prishtinës. Duke e marrur parasysh buxhetin e limituar dhe pengesat me të cilat jemi ballafaquar besoj që kemi arritur rezultate të dukshme. Për 4 vite kemi shtruar afër 400 km rrugë, shumë km kanalizime, trotuare e shumë projekte tjera.

Jam shumë i lumtur për takimet e shumta me qytetarë dhe pritjet që i kam bërë për ta në zyren time. Komunikimi me ta më ka mundësuar që shumë më leht të vendos për prioritetet e investimeve. Pra i lumtur jam se qytetarët i kam bërë pjesë të vendimmarrjes. Për 4 vite në drejtorinë time i kam takuar afër 50 mijë qytetarë. Nuk besoj që ka ndonjë zyre në Kosovë që ka takuar kaq shumë qytetarë.

I falëndëroj të gjithë ata me të cilët kam bashkëpunuar në sukseset e drejtorisë. I falënderoj të gjithë ata qytetarë të cilët më kanë ndihmuar shumë. I falëndëroj të gjithë ata aktivistë e aktiviste të cilët më kanë ndihmuar e përkrahur. I falënderoj edhe stafin me të cilët kam punuar. Në të njëjtën kohë ju kërkoj falje të gjithëve nëse ndonjëherë nuk jam sjellur si duhet.

Qytetarë të Prishtinës ju dua shumë dhe ju dëshiroj gjithë të mirat. Qeverisjes në Prishtinë ju dëshiroj shumë suksese.