Arsyetimi i PDK-së për votën kundër pagesës së mësuesve të fëmijëve me nevoja të veçanta

Aktuale December 28, 2017 - 12:26

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të zgjedhurit e qytetarëve të Kosovës nuk e votuan amendamentin i cili do të obligonte Qeverinë e Kosovës të paguajë për asistentët ose psikologët për fëmijët me nevoja të veçanta nëpër shkollat publike.

Votimi i këtij amendamenti do të ndihmonte në zhvillimin e këtyre fëmijëve, saktësisht të 6 mijë e 195 fëmijëve të regjistruar në arsimin gjithëpërfshirës.

Madje, ka deputet që në mungesë të syzeve ka votuar kundër, ka deputetë që kanë mbështetur vijën e Grupit parlamentar, ani pse një amendament i tillë nëse do të votohej do të ishte shumë dobiprurëse për fëmijët me nevoja të veçanta, duke ofruar kështu mundësi të barabarta për të gjithë.

Iniciatorë e këtij amendamenti ishte deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ku në një prononcim për Telegrafin ajo tregoi se si nuk mori përkrahje nga organet kompetente si dhe nga shumica e deputetëve.

“Kjo është iniciativë e imja dhe kemi të drejtë edhe si deputet të propozojmë amendamente. E kam diskutuar me ministrinë e Ministrisë së Arsimit, por çështja qëndron sepse shumë shpesh po lënë përgjegjësi nga një institucion tek tjetri p.sh ministria thotë e ka komuna, e komuna po ka vështirësi të angazhoj staf tjetër për shkak të kufizimit të numrit të punësuarve. Sot kanë mbetur shkollat pa psikologë, ndërsa fëmijët me nevoja të veçanta pa asistentë. Pasi e kam diskutuar e kam parë që nuk është planifikuar për këtë kategori e kam dërguar fillimisht tek Komisioni për Buxhet dhe Financa ku edhe aty nuk ka marr përkrahje ku më pas e kam paraqit në parlament ku edhe aty nuk mori përkrahje”, ka thënë Nagavci.

Disa nga deputetët e PDK-së, AAK-së dhe Nismës të cilët  votuan kundër këtij amendamenti kanë arsyetuar votën e tyre duke thënë për Telegrafin se ky amendament nuk është mbështetur nga Komisioni për Buxhet dhe Financa.

Deputeti i Nisma për Kosovën, Zafir Berisha në një prononcim për Telegrafin tha se nuk është kundër kësaj kategorie por sipas tij amendamentet duhet të shkojnë përmes komisioneve funksionale.

“Nuk mendoj që një deputet mund të përfolët se është kundër kategorisë për fëmijët me nevoja të veçanta, mirëpo në shumicën e rasteve është praktikuar që kur amendamentohen amendamentet të shkojnë përmes komisioneve funksionale”, theksoi Berisha.

Gjithashtu edhe deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Evgjeni Thaçi -Dragusha për Telegrafin tha se ka respektuar qëndrimin e Grupit parlamentar të partisë së saj.

“Qëndrimi i grupit parlamentar që disa amendamente të cilat nuk kanë pas mbështetje nga Komisioni për Buxhet dhe Financa të mos votohen sepse bëhet një disbalanc i buxhetit. Përndryshe amendamenti ka qenë shumë i qëlluar”, tregoi Thaçi-Dragusha për Telegrafin.

Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gani Dreshaj arsyetoi  votën e tij duke thënë se e kishte prekur butonin gabimisht pasi sipas tij nuk i kishte syzet.

“Nuk e dija që po votoj kundër sepse nuk i kisha syzat pasi ideja më ka pëlqyer tepër”, u shpreh Dreshaj.

Disa nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë votuar pro këtij amendamenti, ndërsa të tjerët nuk kanë votuar fare. Amendamenti ka marr përkrahjen e plotë vetëm të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndryshe, ky amendament parashihte shtim të 100 psikologëve në çerdhe, shkolla fillore, shkollat e mesme të ulëta dhe shkollat e mesme të larta ku shuma vjetore e përgjithshme do të ishte 511.200 euro si dhe 50 asistentë të fëmijëve me nevoja të veçanta me pagën bruto 380 euro, e që shuma e përgjithshme  do të ishte 228.000.00 euro.

Pra, do të kërkohej prej qeverisë që të ndante 739 mijë e 200 euro për gjithsejtë 150 punëtorë të tillë. /Telegrafi/

Image