Reçica: Për secilën familje nga një anëtarë i punësuar

Aktuale December 28, 2017 - 10:33

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica në konferencën e fundit për media të mbajtur të mekurën duke folur për objektivat e dikasterit që ai drejton tha se po punohet rreth idesë së punësimit të një anëtari të familjes për secilën familje që nuk ka asnjë të punësuar.

“Objektivat tona kryesore gjatë këtij mandati janë: Punësimi i një anëtari të familjes për secilën familje që nuk ka asnjë të punësuar, aftësimi profesional dhe orientimi në karrierë si dhe vetëpunësimi. Pra punësimi i një anëtari të familjes për secilën familje që nuk ka asnjë të punësuar si dhe zvogëlimi i përfitueseve të asistencës sociale nëpërmjet aktivizimit të tyre në tregun e punës, nëpërmjet masave aktive të tregut si: subvencionim të pagave, angazhim në punët publike,  grande për vetëpunësim, praktikë në punë dhe trajnim në punë do jenë aktivitetet kryesore në përmbushjen e këtyre objektivave”, ka deklaruar ministri Reçica, transmeton Indeksonline.

Analiza e nevojave të tregut të punës, sipas kreut të MPMS-së, është një objektiv tjetër i cili do të zë vend në punën e ministrisë, me qëllim të harmonizimit të shkathtësive dhe aftësive profesionale të fuqisë punëtore me nevojat e tregut të punës.

“Avancimi i kushteve të punës së punëtorëve, luftimi i punësimit informal, garantimi i standardeve minimale të sigurisë dhe shëndetit në punë do të jetë një objektiv tjetër e MPMS-së. Në këtë fushë do të realizojmë reformën në Ligjin e punës duke transpozuar 15 direktiva të BE-së. Ky do të jetë një ligj i avancuar në përmbushjen e të drejtave të punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe do të rregulloj disa çështje që për një kohë të gjatë kanë qenë dhe janë pjesë e diskutimeve dhe debateve të ndryshme si pushimi i lehonisë, orari i punës, kontratat, dispozitat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e grave në punë etj”, ka thënë ndër të tjera ministri Reçica./Indeksonline/