Maliqi: Kosova s’mund ta shfuqizojë Specialen, vendimi është marrë nga ndërkombëtarët

Aktuale December 27, 2017 - 18:18

Liderët kosovarë nuk do të mund ta shfuqizojnë Gjykatën Speciale. Jo vetëm se tash nuk i ka mbrapa vetës as ata që e dhanë nënshkrimin me arsyetimin se nuk ishin në dijeni se çfarë po nënshkruanin, porse e njëjta gjykatë nuk do të mund të zhbëhet pasi për të është vendosur në instanca të larta të Brukselit e Washingtonit.

Shkëlzen Maliqi, thotë se politikanët po tentojnë ta shtyjnë apo të nxjerrin ndonjë koncesion sa i përket kësaj çështjeje.

Tentimi i tre liderëve kosovarë që të premten mbrëma ta shfuqizojnë Gjykatën Speciale pavarësisht se fillimisht u mendua se po kërkohej vetëm një plotësim -ndryshim i ligjit, nuk u realizua. Kuorumi i pamjaftueshëm i kryesisë së Kuvendit nuk e mundësoi procedimin e saj në Kuvend.

Por, edhe një situatë e tillë të ndodhte, Gjykata Speciale nuk do të zhbëhej. Analisti i çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi, thotë se Kosova nuk ka mundësi që ta bllokojë këtë proces.

“Është  rekomandimi i Këshillit të Evropës e edhe sa e di unë i Kombeve të Bashkuara që të krijohet Specialja, ajo do të krijohej ashtu ashtu por amerikanët kanë sugjeruar që të bëhet në bashkëpunim me Kosovën që të jetë edhe Kosova se sa të bëhet vetëm si një instrument i Kombeve të Bashkuara.  Këtu është esenca, nëse Kosova heq dorë, vendimi është marrë edhe në instancat në Bruksel edhe në Nju Jork. Është diçka që duhet të ndodh për shkak të rekomandimeve të Këshillit te Evropës dhe këtu është problemi a mundet Kosova fare ta bllokojë këtë dhe unë mendoj se nuk mundet”, u shpreh Maliqi për Express.

Për këtë, ai tha se Kosova nuk ka llogari që të prishet me partnerët ndërkombëtarë. Ai kujtoi kërcënimet dhe pasojat që ambasadorët e huaj ia kujtuan të premten mbrëma liderëve të vendit nëse procedojnë tutje me shfuqizimin e Speciales.

Ai shtoi se politikanët po provojnë  ose ta shtyjnë ose me nxjerr një koncesion dhe nuk po e besojnë që mund të prishen me vendet mike.

“Ata si Nait Hasanat që e kane inicu po besojnë se kjo fare nuk do të ndodh se kërkush s’duhet me u përzi dhe s’duhet prekur UÇK’ja, e disa janë të bindur se kështu duhet me vepru dhe nuk i llogarisin pasojat dhe si ka shkuar procesi por janë dhjetëra vrasje edhe të civilëve që janë zhduk serbët gjatë luftës, ka pas edhe vrasje të shqiptarëve që ende nuk janë sqaru. Ato është dashtë t’i trajtojë gjyqësia vendore, Eulexi, por nuk e kanë bo se nuk i kanë shku deri në fund, pra janë do krime që nuk vjetrohen por procesohen”, shtoi ai ndër tjera.

Megjithatë Maliqi e pranoi se një Gjykatë e tillë për nga formati është i padrejtë për kosovarët sepse ndjek vetëm krimet shqiptare.

 “Edhe unë e di se osht format i saj është disi i padrejtë sepse ndjek vetëm shqiptarët sepse janë kry proceset e Hagës janë kry. Një kategori e krimeve janë mbet jashtë mandatit të Tribunalit të Hagës, ato është dashtë t’i trajtoj gjyqësia jonë e tash kjo është një pasojë e saj  plus Këshilli i Evropës për shkak të ndikimit të Rusisë e Serbisë edhe propagandës që ka marrë shumë dhe është dashtë ky sen të sqarohet. Tribunali i Hagës nuk ka gjet dëshmi, raporti i Dik Martit me duket idiotik por e ka pas përkrahjen e disa shteteve që as amerikanët nuk kanë mundur me blloku  dhe ata e kanë sugjeru të krijohet një trup i përbashkët” sqaroi Maliqi.

Sidoqoftë, ai është i bindur se shfuqizimi i Speciales nuk do të ndodh as në tentimin tjetër i cili është paralajmëruar të ndodh në janar. Përveç kësaj, siç u shpreh ai, duhet të ndërrohet Kushtetuta nëse veç e duan një situatë të tillë.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës kishte dështuar për dytën herë që të sigurojë kuorumin për shqyrtimin e kërkesës së 43 deputetëve nënshkrues, me të cilën kërkohej seancë e jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.