Daut Haradinaj për Specialen: Nuk prishen lehtë raportet me ndërkombëtarët

Aktuale December 27, 2017 - 18:13


Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka thënë se tentimi për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nuk ka qenë për tu shqetësuar.

“Nuk ka qenë për tu shqetësuar, edhe pse është dukur dramatike, ka qenë vetëm një iniciativë e deputetëve. Nuk ka qenë e fshehtë ka qenë peticioni në sheshin ‘Nënë Tereza’.Unë kam qenë kundër dhe qëndroj njëjtë është një Gjykatë e keqe do të jep një mesazh jo të mirë edhe për vendin tanë. Më shumë ishte një lojë mediale sesa diçka për me u shqetësu dikush. Vendin duhet me rujt më shumë”, ka thënë Haradinaj në Info Magazine.

Sipas tij, raportet me ndërkombëtarët nuk prishen pasi për vite janë krijuar ura miqësie.

“Ne i respektojmë shumë miqtë jemi mirënjohës tërë jetën për kontributin që e kanë dhënë.  Me gjykimin e disa individëve nuk do të sjellët drejtësi në Kosovë. AAK nuk ndërron qëndrimin kemi qenë kundër dhe kundër do të mbetemi. Në rast se dikush tenton me i dhanë kahje individuale është shumë gabim. Unë kam qenë prej ushtarëve më të zot që i ka pas Kosova”, është shprehur Haradinaj. /Lajmi.net